Accesso




Skip Navigation Links > Kreu > Bashkia

Bashkia

​​​​​​​​​​​​​​Funksionet e Bashkisë Elbasan

 

Nenet 23-29 të ligjit nr. 139/2015 "PËR VETËQEVERISJEN VENDORE"

 

Neni 23

 

Funksionet e bashkive në fushën e infrastrukturës

dhe shërbimeve publike.

 

Në fushën e infrastrukturës dhe shërbimeve publike, bashkitë janë përgjegjëse në territorin e juridiksionit të tyre për:

1. Prodhimin, trajtimin, transmetimin dhe furnizimin me ujë të pijshëm.

2. Mbledhjen, largimin dhe trajtimin e ujërave të ndotura.

3. Mbledhjen dhe largimin e ujërave të shiut dhe mbrojtjen nga përmbytjet në zonat e banuara.

4. Ndërtimin, rehabilitimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve vendore dhe sinjalizimit rrugor, të trotuareve dhe shesheve publike vendore.

5. Ndriçimin e mjediseve publike.

6. Transportin publik vendor.

7. Ndërtimin, rehabilitimin dhe mirëmbajtjen e varrezave publike, si dhe garantimin e shërbimit publik të varrimit.

8. Shërbimin e dekorit publik.

9. Parqet, lulishtet dhe hapësirat e gjelbra publike.

10. Mbledhjen, largimin dhe trajtimin e mbetjeve të ngurta dhe shtëpiake.

11. Ndërtimin, rehabilitimin dhe mirëmbajtjen e ndërtesave arsimore të sistemit shkollor parauniversitar, me përjashtim të shkollave profesionale.

12. Administrimin dhe rregullimin e sistemit arsimor parashkollor në kopshte dhe çerdhe.

13. Ndërtimin, rehabilitimin dhe mirëmbajtjen e ndërtesave të shërbimit parësor shëndetësor dhe zhvillimin e aktiviteteve edukuese e promovuese në nivel vendor, të cilat lidhen me mbrojtjen e shëndetit, si dhe administrimin e qendrave e të shërbimeve të tjera në fushën e shëndetit publik, sipas mënyrës së përcaktuar me ligj.

14. Planifikimin, administrimin, zhvillimin dhe kontrollin e territorit, sipas mënyrës së përcaktuar me ligj.

 

Neni 24

 

Funksionet e bashkive në fushën e shërbimeve sociale

Bashkitë janë përgjegjëse për kryerjen e këtyre funksioneve:

1. Krijimin dhe administrimin e shërbimeve sociale, në nivel vendor, për shtresat në nevojë, personat me aftësi të kufizuara, fëmijët, gratë, gratë kryefamiljare, gratë e dhunuara, viktima të trafikut, nëna apo prindër me shumë fëmijë, të moshuarit etj., sipas mënyrës së përcaktuar me ligj.

2. Ndërtimin dhe administrimin e banesave për strehimin social, sipas mënyrës së përcaktuar me ligj.

3. Ndërtimin dhe administrimin e qendrave për ofrimin e shërbimeve sociale vendore.

4. Krijimin, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për mirëqenien sociale, të fondit social për financimin e shërbimeve, sipas mënyrës së përcaktuar me ligj.

 

Neni 25

 

Funksionet e bashkive në fushën e kulturës, sportit

dhe shërbimeve argëtuese

Bashkitë janë përgjegjëse për kryerjen e këtyre funksioneve:

1. Zhvillimin, mbrojtjen dhe promovimin e vlerave e të trashëgimisë kulturore me interes vendor, si dhe administrimin e objekteve që lidhen me ushtrimin e këtyre funksioneve.

2. Organizimin e aktiviteteve kulturore dhe promovimin e identitetit kombëtar e lokal, si dhe administrimin e objekteve që lidhen me ushtrimin e këtyre funksioneve.

3. Zhvillimin, mbrojtjen dhe promovimin e bibliotekave e të ambienteve për lexim, me qëllim edukimin e përgjithshëm të qytetarëve.

4. Organizimin e aktiviteteve sportive, çlodhëse e argëtuese, zhvillimin dhe administrimin e institucioneve e të objekteve që lidhen me ushtrimin e këtyre funksioneve.

 

Neni 26

 

Funksionet e bashkive në fushën e mbrojtjes së mjedisit

Bashkitë janë përgjegjëse për kryerjen e këtyre funksioneve:

1. Sigurimin, në nivel vendor, të masave për mbrojtjen e cilësisë së ajrit, tokës dhe ujit nga ndotja.

2. Sigurimin, në nivel vendor, të masave për mbrojtjen nga ndotja akustike.

3. Zhvillimin e aktiviteteve edukuese dhe promovuese, në nivel vendor, të cilat lidhen me mbrojtjen e mjedisit.

 

Neni 27

 

Funksionet e bashkive në fushën e bujqësisë, zhvillimit rural,

pyjeve dhe kullotave publike, natyrës dhe biodiversitetit

Bashkitë janë përgjegjëse për kryerjen e këtyre funksioneve:

1. Administrimin, shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit, të transferuar në pronësi të tyre, sipas mënyrës së përcaktuar me ligj.

2. Administrimin dhe mbrojtjen e tokave bujqësore e të kategorive të tjera të resurseve, si toka të pafrytshme etj., sipas mënyrës së përcaktuar me ligj.

3. Krijimin dhe administrimin e sistemit vendor të informacionit dhe këshillimit bujqësor e rural, sipas legjislacionit në fuqi.

4. Krijimin dhe administrimin e skemave vendore të granteve për bujqësinë e zhvillimin rural, të financuara nga buxheti lokal dhe/ose me bashkëfinancim nga të tretët, duke garantuar akses të balancuar gjinor.

5. Administrimin e fondit pyjor dhe kullosor publik, sipas legjislacionit në fuqi.

6. Mbrojtjen e natyrës e të biodiversitetit, sipas legjislacionit në fuqi.

 

Neni 28

 

Funksionet e bashkive në fushën e zhvillimit ekonomik vendor

Bashkitë janë përgjegjëse për kryerjen e këtyre funksioneve:

1. Hartimin e planeve strategjike të zhvillimit e të programeve për zhvillimin ekonomik vendor.

2. Ngritjen dhe funksionimin e tregjeve publike dhe të rrjetit të tregtisë.

3. Mbështetjen për zhvillimin e biznesit të vogël, nëpërmjet veprimtarive nxitëse, të tilla si panaire e reklama në vende publike.

4. Organizimin e shërbimeve në mbështetje të zhvillimit ekonomik vendor, si informacioni për bizneset, aktivitetet promovuese, vënia në dispozicion e aseteve publike etj.

5. Publikimin e broshurave informative, krijimin e portaleve me profil ekonomik etj.

6. Dhënien e granteve financiare për mbështetjen e aktiviteteve të biznesit të vogël e të mesëm, sipas mënyrës së përcaktuar në legjislacionin në fuqi, duke garantuar akses të balancuar gjinor.

 

Neni 29

 

Funksionet e bashkive në fushën e sigurisë publike

Bashkitë janë përgjegjëse për garantimin e këtyre funksioneve:

1. Mbrojtjen civile, në nivel vendor, dhe administrimin e strukturave përkatëse, sipas mënyrës së përcaktuar me ligj.

2. Garantimin e shërbimit të zjarrfikësve, në nivel vendor, dhe administrimin e strukturave përkatëse, sipas mënyrës së përcaktuar me ligj.

3. Garantimin e mbarëvajtjes së marrëdhënieve në komunitet, parandalimin dhe ndërmjetësimin për zgjidhjen e konflikteve në komunitet.

4. Parandalimin e kundërvajtjeve administrative, forcimin, inspektimin dhe monitorimin e zbatimit të rregulloreve e të akteve të njësive të vetëqeverisjes vendore brenda juridiksionit të tyre vendor dhe në përputhje me përcaktimet ligjore.

Eventet

<mars 2017>
HënMarMërEnjPreShtDie
272812345
6789101112
13
14
e martë, mars 14, 2017
1516171819
2021
22
e mërkurë, mars 22, 2017
23242526
272829303112
3456789

Se shpejti


Buletini Informativ