Accesso




Skip Navigation Links > Kreu > Lajmet > Drejt përfundimit rrugët e kalasë

Kategorite

Filtro:

Drejt përfundimit rrugët e kalasë

Rrugët e brendshme të Kalasë së Elbasanit i janë nënshtruar një ndërhyrje e cila konsiston, jo vetëm të përmirësojë jetesën e banorëve të kësaj zone, por të nxisë rritjen ekonomike përmes aktivitetit të zgjeruar të turizmit kulturor. Projekti në fjalë synon ruajtjen, restaurimin dhe vlerësimin e qendrave të trashëgimisë kulturore dhe historike.

Kryetari i Bashkisë Qazim Sejdini së bashku me Kryetarin e Grupit Parlamentar Taulant Balla dhe deputetët Evis Kushi dhe Arben Kamami inspektuan punimet të cilat tashmë janë drejt fundit.

Shtrimi i rrugëve të kalasë është bërë më kalldrëm, si shtrimi i dikurshëm duke u plotësuar me të gjitha elementët e zhvillimit urban si ndriçim, stola dhe sistemim të gjelbërimit. Rrugët të cilat përfshihen në këtë projekt janë rrugët "Xhaferr Kongoli", "Kol Papajani", "Savete Mishta" dhe segmente të rrugëve "Tajar Guranjaku" dhe "Bardhyl Popa".
Kryetari i Bashkisë Qazim Sejdini tha se: "Është një investim prej 385 milionë lekë të reja, një investim për ta kthyer në identitet kalanë, për të restauruar të gjitha rrugët e kalasë. Ka mbetur edhe shumë pak, por arteriet kryesore janë bërë dhe unë shpresoj që kjo të jetë një nxitje për zhvillimin e biznesit brenda mureve të kalasë. Ne do të vazhdojmë të aplikojmë që të arrijmë ta bëjmë, jo vetëm të shikueshëm, por edhe të aksesueshëm, ku të ofrohen shërbime dhe akomodim. Hapja e bizneseve këtu është e domosdoshme pasi ka mjaft kërkesa nga turistët".

Kryetari i Grupit Parlamentar të PS thekoi punën e mirë të Bashkisë së Elbasanit për të thithur investime në dobi të qytetit:

"Bashkia Elbasan është një prej pak bashkive që është vlerësuar edhe nga Komisioni Europian si një entitet i besueshëm për të investuar fonde të Komisionit Europian dhe ky projekt është tërësisht i financuar nga delegacioni i BE në Tiranë e cila ka bërë të mundur risjelljen në identitet të rrugëve me kalldrëm me gurë sipas modelit tipik shqiptar pa përdorur betonin, por thjesht me gurë dhe me rërë me qëllim që të ruhet ajo traditë e mirë e teknikës së kalldrëmit shqiptar."

Deputetja Evis Kushi dhe deputeti Arben Kamami si banorë të kalasë vlerësuan projektin duke kujtuar edhe investimet e fundit që datojnë rreth viteve ’80.

"Çdo para e investuar këtu ne na kthehet si përfitim humëfish, jo vetëm për këtë lagje, por për të gjithë qytetin. Edhe investimi në këto rrugë në fakt i rrit vlerën kësaj lagjeje sepse jo vetëm po rikonstruktohen me cilësi, por ruajnë shumë mirë dhe origjinalitetin dhe autenticitetin e kësaj zone. Ne nuk përfundojmë këtu, përkundrazi, vizioni ynë shtrihet shumë më tej sepse ne pretendojmë që kjo lagje të jetë një destinacion turistik", tha deputetja Kushi.

"Ky është investimi i parë në 30 vitet e fundit. Ndërhyrjet që mbahen mend datojnë në vitet '80. Rrugët ishin gati të pakalueshme dhe investimet e pjesshme të Bashkisë Elbasan me rrugën Egnatia nuk i përballonin nevojat e lagjes. Ky investim do ta kthejë në identitet dhe do të rrisë atraksionin për këtë zonë", theksoi Kamami.

Gjatë zbatimit të projektit është treguar kujdes i veçantë për të ruajtur impresionin original të rrugëve të cilat po restaurohen. Sipas modelit original të rrugës, gurët janë pozicionuar vertikalisht ndërsa kufinjtë e teksturës së rrugës kanë të njëjtën strukturë me gurë të mëdhenj.

Në këto akse rrugore të brendshme të kalasë është menduar të përdoret një sistem ndriçimi më i thjeshtë se ai i rrugës "Egnatia", në mënyrë që kjo e fundit të ruajë hierarkinë si rruga më e rëndësishme e lagjes "Kala". Një pjesë mjaft e rëndësishme, sidomos përsa u përket rrugëve të kalasë, do të jetë vendosja e tabelave që përmbajnë informacion në lidhje me vlerat historike dhe arkeologjike të kësaj zone.

Eventet

<nëntor 2018>
HënMarMërEnjPreShtDie
2930311234
567891011
12131415161718
192021222324
25
e diel, nëntor 25, 2018
2627
28
e mërkurë, nëntor 28, 2018
29
e enjte, nëntor 29, 2018
3012
345679

Se shpejti


Buletini Informativ