Accesso




Skip Navigation Links > Kreu > Qyteti > Historiku i Qytetit

Historiku i Qytetit

Historiku i Qytetit të Elbasanit

Historia e trevave të Elbasanit e ka zanafillën e saj në shekullin e II-të p.k. me vendbanimet e hershme ilire. Në shekullin e II-të qyteti njihet me emrin “SKAMPA” e më vonë me emrin  “SKAMPINI” në varësi administrative të Durrahut. Duke qënë i vendosur në kryqëzimin e rrugëve Veri – Jug dhe Lindje – Perëndim, ai ka shërbyer si pikë e rëndësishme kalimi dhe si stacion i rëndësishëm, duke u përmendur si qëndër urbane, ushtarake e peshkopale. Pas bllokimit të rrugës Egnatia nga dyndjet e barbarëve, qyteti nuk përmendet më dhe njeh shkatërrimin e tij gjatë migrimit sllavo – bullgar diku nga shekulli VI - VII.

Elbasani u zhvillua si qendër e rëndësishme strategjike, administrative, ushtarake dhe ekonomike e Shqipërisë së mesme. Zejtaria dhe tregtia mori përsëri një zhvillim të dukshëm duke shtrirë lidhjet dhe ndikimin në tërë zonat përreth. Një zhvillim të ndjeshëm mori arti postbizantin i përfqësuar nga mjeshtri dhe piktori i madh Onufri i Neokastrës (Elbasanit), i cili krijoi një art kulminant ku spikat me forcë të veçantë gërshetimi i shkëlqyer i gjeniut me traditën vendase. Si vepra të tij, të trashëguara deri në ditët tona, janë afresket dhe ikonat e kishave të Shelcanit dhe të Valshit të mesit të shek. XVI. Vazhdues i veprës së Onufrit përmendet Kostandin Shpataraku. Një zhvillim të vrullshëm mori  qyteti i Elbasanit në shek.  XVII me krijimin, organizimin dhe  funksionimin e 60 llojeve të  zejeve në 45 Esnafe. Vlen të përmendet në këtë kohë “Kodiku i Esnafeve të Tabakëve”, 15 Maj 1658, i cili konsiderohet  ndër  më  të  vjetrit në Ballkan.

Në dokumentacionin e kohës, dëshmohet se në mesin e shekullit të XVII, Elbasani kishte 2000 shtëpi, 900 dyqane, punoheshin lëkura, leshi, mëndafshi, metalet e sidomos argjendi.

Prodhimet e qytetit të Elbasanit gjenin treg shitje si brenda dhe jashtë vendit. Këtë e dëshmon fakti që Turqia në dy ekspozita ndërkombëtare në Paris në vitin 1867 dhe në Çikago në vitin 1894 krahas artikujve të tjerë të artizanatit ekspozoi edhe pushkët, pistoletat dhe silahet e prodhimit shqiptar të Shkodrës, Elbasanit, Prizrenit, etj. E rëndësishme është se Elbasani shquhet për organizimin e panaireve. Panairi i parë është ai i vitit 1381 i pasuar me të tjerë në periudhat e mëvonshme.

Në këtë kohë Elbasani shquhet si qendër e fuqishme arsimore dhe kulturore me përpjekjet që bënë Bugomili (anonimi i Elbasanit), Dhaskal Todri për përhapjen e gjuhës e të shkrimit shqip. Në epokën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare zë një vend të rëndësishëm Kostandin Kristoforidhi, autor i abetares shqipe, fjalorit gegërisht dhe toskërisht, i cili konsiderohet si babai i gjuhës shqipe.


Një epitaf që tregon Skampinin

 

Rastësisht në vitin 1922, në muret e Kalasë së Elbasanit u zbulua një gur masiv (gur varri), ku ishte i gdhendur emri i qytetit Skamp. Sot, guri që daton shekullin e II-të të erës sonë, ndodhet në muzeun Etnografik të Elbasanit si një dëshmi që vërteton vendndodhjen e lashtë të Skampis, Elbasanit.

Sipas historianëve,  ky gur varri i përket legjionarit Mark Sabidi Emilia Maksimus dhe vërteton plotësisht vendndodhjen e qytetit.
Dokumenti mbishkrimor, që mendohet se i takon shekullit të II-të e.s, është i vetmi monument epigrafik që përmend emrin e lashtë të qytetit në trajtë të shkurtuar “Skamp”.
Ai sqaron se në shekujt III-IV, lashtësia e kësaj qendre dëshmohet nga të dhënat që japin intineraret e ndryshme për rrugën Egnatia, me të cilën qyteti ishte mjaft i lidhur.
Të dhënat e fundit nga Skampini i përkasin shekullit të VI-të kohës së sundimit të perandorit Justiniani. Në Sinekdemos të Hieroklit, Skampini figuron si qytet krahas qyteteve të tjera të provincës së Epirit të Ri , ndërsa në listën e Prokopit të Çezaresë, Skampini konsiderohet si një nga kështjellat e ndërtuara rishtazi. Por dokumenti i fundit që përmend emrin Skampis datohet saktësisht në pranverën e vitit 519-të. 
Ndryshimi i emrit nga Skapin në Elbasan, duket se ndodhi me pushtimin turk. Në vitin 1466 Sulltan Mehmeti i II-të, ndërton kalanë, e cila ishte shembur nga romakët, nga perandori Justinian dhe më pas nga dyndjet e fiseve bullgare.
Kalaja u ndërtua si pikë mbështetje për trupat osmane e tipit fushor ndër më të mëdhatë në ballkan dhe u quajt prej tyre “Elbasan”, një emër me prejardhje turke. Në mbishkrimin në portën e kalasë është shkruajtur ” Ilj-basan”, që në turqisht do të thotë “shtypës”. Më pas, në të përdorshem e folur, “Ijl” u zëvëndësua me shkronjën “E”, duke i dhënë qytetit emrin që ka sot, “Elbasan”.​


Elbasani, qyteti që i parapriu Pavarësisë

 

Në 15 Nëntor të vitit 1912, 35 patriotë nga Elbasani, por edhe rrethet e tjera të tij 104 vjet më parë, shpallën Pavarësinë e këtij qyteti në Shqipërinë e Mesme, duke ngritur të parët Flamurin e Pavarësisë dhe duke i paraprirë kështu Pavarësisë së vendit në 28 Nëntor. 
      Sipas historianëve, vështirësitë për të arritur deri në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë ishin të shumta, pasi fati i kombit shqiptar ka kaluar nëpër disa orbita dramatike. Kryengritjet e njëpasnjëshme të shqiptarëve në vitet 1910-1911 ishin preludi i ngjarjes madhore që do të vinte më pas. 
     Viti 1912 ishte një vit i mbushur me ngjarje të trazuara për shqiptarët. Aleancat ballkanike ndërmjet shteteve Serbisë, Malit të Zi, Greqisë dhe Bullgarisë synonin ta fshinin nga harta emrin e Shqipërisë. Këto vende i shpallën luftë Perandorisë Osmane. Ato nuk mund të pranonin Shqipërinë aleate sepse kishin qëllime aneksimi ndaj trojeve shqiptare. Prandaj shtypi i kohës do të shkruante e me thirrje do t'i drejtohej shqiptarëve "të marrim armët e të mbrojmë kufinjtë e mëmëdheut tonë"...
        "Fitoret e njëpasnjëshme të fqinjëve ballkanikë ndaj perandorisë osmane krijuan kushte të reja për patriotët shqiptarë që ndodheshin jashtë atdheut. Ata vendosën të ndërmerrnin një veprim të ri politik, qëllimi i të cilit ishte shpëtimi i Shqipërisë nga copëtimi dhe mbledhja e një Kuvendi Kombëtar që do të vendoste për fatin e Shqipërisë".

   

              -Elbasani shpall pavarësinë. -

     Ushtria serbe po përparonte me shpejtësi në tokat shqiptare. Ajo po i afrohej Elbasanit, ç'ka i vuri rrethet patriotike të qytetit përballë detyrës urgjente të Shpalljes së Pavarësisë me qëllim që autoritetet ushtarake serbe të viheshin para një fakti të kryer. 
     Më 25 nëntor 1912, Elbasani shpalli i pari Pavarësinë, duke vënë kështu gurin e parë në themelet e kësaj pavarësie.  
     Lef Nosi në librin e tij "Dokumente Historike 1912 -1918", shkruan për këtë ditë të shënuar të qytetit: "Na gjindja e Elbasanit, pa ndonji shtrëngim të jashtëm ose të brendshëm, por nga dëshiri ynë i lirë, bashkë me gjithë qytetarët e Shqipnisë po i bajmë të ditur gjithë botës së qytetërueme se sot shpallim vetësinë tonë nga mbretnia Otomane, tue u numurue si një komb i lirë i cili me ndihmën e të madhit Zot, mbrojtësit të të gjithë kombeve të Europës, shprehem se do të qeverisim me nder, drejtësi dhe nji paansi të plotë, pa vënë re ndryshim feje apo dogme. Çdo shqiptar ose i huej do të mund të rrojë lirisht, duke gëzuar të gjitha të drejtat njerëzore. Edhe na kemi nërmend të rrojmë vllazënisht edhe me qeveritë fqinjëse, pa dashur t'u bajmë as të paktin dam, por duke ju lutun të na ndihmojnë në vetqeverimin tonë edhe rrëzimin e qeverisë Ottomane. Rroftë Shqipnia e lire. Kështu e baftë Zoti!"
      Ndërsa në telegramin që i dërgohet Ismail Qemalit për shpalljen e mëvetësisë nënvizohet se: "Gjithë populli ynë (Elbasanit), myslimanë e të krishterë, me një za kanë pranue indipendencën e Shqipërisë". 35 firmëtarët e shpalljes së Pavarësisë së Elbasanit ishin, Aqif Pashë Elbasani, Abdulla Bej Tirana, Venemin Deliana, Ali Agjahu, Refik Myftiu, Sheh Mahmut Guma, Sheh Hysen Sulova, Ruzhdi Alushi, Alush Saraci, Venemin Nosi, Kolë Papajani, Emin Haxhiadem Shijaku, Ymer Peni, Hysen Dakli, Hysen Hostopalli, Serafin Jorgaqi, Dhimitër Paparisto, Shefqet Bej Vërlaci, Hasan Bej Bicakciu, Fuat Bej Kahremani, Servet Bej Zylfi, Demir Bej Sulcebeu, Sheh Xhaferr Pasmaqi, Taqi Buda, Haxhi Nikolla Jorgaqi, Rrapush Demeti, Mahmut Hakani, Isuf Bej Taushani, Hasan Ciftja, Demir Zenelhoxha, Hafëz Sulejman Kungulli, si dhe Dhimitër Dhimitruka. Ngritja e flamurit në Elbasan më 25 Nëntor ishte një moment i rëndësishëm, ku veçanërisht shquhet Aqif Pashë Elbasani.  

     "Aqif Pashë Elbasani, siç njihet në qytet, ndihmoi për kryengritjen e përgjithshme antiosmane në vitin 1912 dhe në organizmin e çetës së Elbasanit. Njihet si bashkëpunëtori më i ngushtë i Ismail Qemalit në shpalljen e Pavarësisë si dhe për mbështetjen e plotë që i dha qeverisë së tij. 
     Ai bashkë me popullin e Elbasanit dhe me mbështetjen e Ismail Qemalit ngritën Flamurin Kombëtar më 25 Nëntor të vitit 1912 dhe shpallën të parët pavarësinë duke i treguar ushtrisë serbe që po i afrohej Elbasanit se kishte shkelur në vise të Shqipërisë së Pavarur.
      Më 25 Nëntor 1912 Elbasani shpalli i pari Pavarësinë kombëtare, duke vënë kështu gurin e parë në themelet e kësaj pavarësie. Në Kuvendin Historik të Vlorës, më 28 Nëntor të vitit 1912, Elbasani do të përfaqësohej nga Lef Nosi, Shefqet Daiu, Mit'hat Frashëri, Qemal Karaosmani, ndërsa Dervish Biçaku shkoi si delegat i Peqinit.
        Shpallja e Pavarësisë ishte nder për Elbasanin, por edhe e drejtë legjitime për vendin që zuri dhe rolin që luajti ky qytet në shpalljen e Pavarësisë Kombëtare. Me aktin e 28 Nëntorit 1912 sanksionohej e drejta e pamohueshme historike e kombit shqiptar për të qenë i bashkuar, i lirë e i pavaruar në trojet e veta. Pavarësisht sesi do të rridhnin ngjarjet më vonë, Kuvendi i Vlorës hodhi themelet e shtetit të ri sovran shqiptar.

Eventet

<maj 2017>
HënMarMërEnjPreShtDie
24252627282930
1
e hënë, maj 1, 2017
234567
891011121314
15161718192021
22232425262728
2930311234

Se shpejti


Buletini Informativ