Skip to contentSkip to left sidebar Skip to footer

Aktivitete artistiko-kulturore

DITA E VERËS – 13–14 MARS

“Dita e Verës” është festa më e madhe tradicionale e qytetit të Elbasanit dhe një nga ngjarjet më të rëndësishme kombëtare, që simbolizon ardhjen e pranverës dhe fillimin e ciklit të ri të natyrës. Me rrënjë të lashta pagane dhe një histori të pasur që e lidh me trashëgiminë shpirtërore të qytetit, kjo festë mbledh mijëra vizitorë nga e gjithë Shqipëria dhe më gjerë. Gjatë kësaj periudhe, Elbasani kthehet në një qendër të gjallë me koncerte, aktivitete kulturore, artizanale dhe panaire.

Traditë: Festë shekullore me vlera kombëtare.

FESTA E TURIZMIT KURATIV (TREGAN) – PRILL–MAJ

Festa e Turizmit Kurativ, e rikthyer me sukses dy vitet e fundit, shënon në mënyrë simbolike çeljen e sezonit veror në Elbasan. Ky aktivitet zhvillohet në zonën e Treganit, e njohur për llixhat me vlera të jashtëzakonshme shëndetësore. Edhe pse Elbasani ofron turizëm gjatë gjithë vitit, ndryshe nga zonat bregdetare, kjo festë thekson potencialin e turizmit shëndetësor dhe promovon bashkëpunimin mes bizneseve vendase dhe institucioneve.

Traditë: Rikthyer si festë vjetore gjatë 2 viteve të fundit.

FUNARFEST (FUNAR) – MAJ–QERSHOR

“Funarfest” është tashmë një traditë 9-vjeçare për Bashkinë Elbasan. Ky festival zhvillohet në zonën kodrinore-malore të Funarit dhe ka për qëllim promovimin e produkteve lokale BIO, traditës bujqësore dhe turizmit natyror. Aktiviteti përfshin ekspozime, degustime dhe performanca kulturore që nxjerrin në pah vlerat e komunitetit dhe trashëgiminë rurale të zonës.

Traditë: 9 vjet.

FESTA E QERSHISË DHE DASHURISË (GODOLESH) – QERSHOR

Në qendër të fshatit Godolesh të Njësisë Administrative Labinot-Fushë zhvillohet “Festa e Qershisë dhe Dashurisë”, e cila është tashmë një traditë 9-vjeçare. Kjo festë nderon qershinë – simbolin bujqësor të zonës – dhe njëkohësisht promovon dashurinë dhe bashkëjetesën mes komunitetit. Aktivitetet përfshijnë panaire, koncerte, degustime dhe nisma kulturore që forcojnë lidhjen mes prodhuesve lokalë dhe vizitorëve.

Traditë: 9 vjet.

FESTA E SHËN GJON VLADIMIRIT (BRADASHESH) – QERSHOR

Festa e Shën Gjon Vladimirit është një nga ngjarjet më të kahershme fetare dhe kulturore të zonës së Bradasheshit. Çdo vit, pelegrinë dhe vizitorë nga e gjithë Shqipëria mblidhen pranë Kishës së Shën Gjon Vladimirit për të nderuar shenjtorin dhe për të festuar në natyrë, me muzikë, rite dhe bashkësi. Kjo festë është simbol i paqes, vëllazërisë dhe trashëgimisë shpirtërore të popullit elbasanas.

Traditë: Festë e kahershme historike.

DITA OLIMPIKE “MIQTË E MALIT” (GJINAR) – QERSHOR

Në zonën e Gjinarit zhvillohet “Dita Olimpike – Miqtë e Malit”, një aktivitet me mbi 10 vjet traditë që kombinon sportin, kulturën dhe turizmin malor. Festivali përfshin lojëra tradicionale, gara sportive, panaire me produkte vendase dhe koncerte popullore. Ai shërben si një mundësi për të promovuar Gjinarin si destinacion turistik të qëndrueshëm dhe për të nxitur jetesën aktive në harmoni me natyrën.

Traditë: Mbi 10 vjet.

AKTIVITETET E GUSHTIT – TRADITË E PËRVITSHME (GUSHT)

Muaji gusht është kthyer në një periudhë festive për qytetin e Elbasanit, me një seri aktivitetesh kulturore, artistike dhe sportive që janë zhvilluar pa ndërprerje gjatë 6 viteve të fundit. Këto ngjarje, të shpërndara në qendër dhe në njësitë administrative, përfshijnë koncerte, ekspozita, panaire dhe aktivitete rinore që e bëjnë qytetin një destinacion të gjallë veror.

Traditë: 6 vjet.

GRAND GALA -DHJETOR

“Grand Gala ” është një event i konsoliduar me mbi 11 vjet traditë, i cili përfaqëson kulmin e aktivitetit kulturor vjetor të qytetit. Gala bashkon artistë të njohur, personalitete publike dhe komunitetin elbasanas në një mbrëmje ceremoniale ku çmohen arritjet kulturore, sportive dhe qytetare. Ajo është një shfaqje e identitetit dhe elegancës së Elbasanit modern.

Traditë: Mbi 11 vjet.

FESTA E BYSHEKUT (SHUSHICË) – FUNDJAVA E TRETË E SHTATORIT

“Festa e Byshekut” është rikthyer si traditë gjatë dy viteve të fundit, duke sjellë një frymë të re në jetën kulturore të Shushicës. Aktiviteti zhvillohet në natyrë dhe përfshin ekspozime, panaire, muzikë dhe argëtim familjar, duke promovuar potencialet turistike dhe bujqësore të zonës. Kjo festë synon të ringjallë kujtimet e pushimeve verore tradicionale të qytetarëve elbasanas.

Traditë:Rikthyer si festë vjetore gjatë 2 viteve të fundit.

Festa e Gështenjës (Labinot Mal) – E Diela e Fundit e Tetorit

Në Labinot Mal zhvillohet çdo vit “Festa e Gështenjës”, e cila tashmë ka krijuar një traditë 5-vjeçare. Kjo festë promovon gështenjën si produkt tipik i zonës, si dhe zejet, artizanatin, kulinarinë dhe vlerat etnografike të komunitetit. Përmes saj, Bashkia Elbasan synon të mbështesë fermerët dhe të forcojë turizmin agro-kulturor në territorin e saj.

Traditë: 5 vjet.

FESTIVALI NDËRKOMBËTAR I TEATROVE – TETOR

Festivali Ndërkombëtar i Teatrove është një nga ngjarjet më të rëndësishme artistike në kalendarin kulturor të Bashkisë Elbasan. Ky vit shënon edicionin e 27-të të tij, duke dëshmuar vazhdimësinë dhe rëndësinë që ky aktivitet ka fituar ndër vite. Festivali mbledh trupa teatrore kombëtare dhe ndërkombëtare, duke ofruar shfaqje me vlera të larta artistike, kulturore dhe sociale. Ai kontribuon në rritjen e profilit kulturor të qytetit, në zhvillimin e artit skenik shqiptar dhe në forcimin e bashkëpunimeve kulturore me skena teatrore të huaja.

Traditë: 27 vite.

TAKIMI KOMBËTAR I ORKESTRAVE ME HARQE – TETOR

“Takimi Kombëtar i Orkestrave me Harqe” është një aktivitet i rëndësishëm muzikor që organizohet nga Bashkia Elbasan në bashkëpunim me institucionet arsimore dhe kulturore të vendit. Ky vit shënon edicionin e 10-të të tij, duke e kthyer këtë ngjarje në një traditë të konsoliduar që promovon artin muzikor dhe talentet e reja shqiptare. Aktiviteti mbledh në Elbasan orkestrina nga shkolla të ndryshme arti, konservatorë dhe institucione kulturore, duke krijuar një hapësirë bashkëpunimi dhe shkëmbimi artistik ndërmjet muzikantëve të rinj dhe profesionistëve të fushës.

Traditë: 10 vjet.

SlowFood – Dita e Ushqimeve Lokale – 10 Dhjetor

“SlowFood” është festa më e re në kalendarin e aktiviteteve të Bashkisë Elbasan, e cila këtë vit shënon traditën e saj të parë. Kjo nismë promovon produktet lokale, gatimet tradicionale dhe mënyrën e shëndetshme të jetesës, duke e lidhur komunitetin me rrënjët e tij gastronomike. Aktiviteti synon të mbështesë prodhuesit vendas dhe të forcojë identitetin ushqimor të rajonit.

Traditë: 1 vit.