Skip to contentSkip to left sidebar Skip to footer

Mbështetje për Bizneset

Lehtësira dhe përjashtimet nga taksa e ndërtesës

Përjashtohen nga taksa mbi ndërtesën:

  1. Pronat e shtetit dhe të njësive të qeverisjes vendore, që përdoren për qëllime jofitimprurëse;
  2. Pasuritë në pronësi të shtetit, të kaluara me V.K.M., nën administrimin e shoqërive publike shtetërore;
  3. Ndërtesat e banimit, që shfrytëzohen nga qiramarrësi me qira të paliberalizuara;
  4. Banesat sociale në pronësi të Bashkisë;
  5. Pasuritë e paluajtshme “ndërtesa”, pronë e subjekteve juridikë ose fizikë, që në bazë të marrëveshjeve me Bashkinë përdoren nga kjo e fundit si banesa sociale;
  6. Ndërtesat që përdoren nga komunitetet fetare, në funksion të veprimtarisë së tyre;
  7. Strukturat akomoduese “hotel / resort me katër dhe pesë yje, status special”, sipas përcaktimit në legjislacionin e fushës së turizmit dhe që janë mbajtës të një marke tregtare të regjistruar dhe njohur ndërkombëtarisht “brand name”;
  8. Ndërtesat e banimit, të deklaruara si vendbanim nga kryefamiljarët që përfitojnë vetëm pension pleqërie/pension social, kur familja e tyre përbëhet vetëm nga pensionistë, ose dhe me persona në ngarkim të tyre, që janë të paaftë për punë;
  9. Ndërtesat e banimit të kryefamiljarëve që trajtohen me ndihmë ekonomike;
  10. Ndërtesat kulturore, nën mbrojtje të përkohshme ose të përhershme, për kohën në të cilën deklarohet mbrojtja, sipas legjislacionit në fuqi për monumentet e kulturës dhe/ ose trashëgimisë kulturore të cilat përdoren vetëm për qëllime jofitimprurëse;
  11. Ndërtesat e invalidëve të punës kur janë kryefamiljarë, pas paraqitjes së dëshmisë së invaliditetit, në ato raste kur familja përbëhet vetëm nga invalidi, ose dhe nga persona në ngarkim të tyre të paaftë për punë ose pensionistë;
  12. Përjashtohen nga taksa e ndikimit në infrastrukturë investimet e kryera për ndërtimin e strukturave akomoduese me 5 yje, “status special”, sipas përcaktimit në legjislacionin përkatës për fushën e turizmit.
  13. Në qoftë se ndërtesa dëmtohet nga forca madhore, përjashtohet nga taksa e ndërtesës në masën 75% të vlerës.
  14. Kur ndërtesa tjetërsohet ose zhduket gjatë vitit, detyrimi llogaritet për periudhën që gëzon statusin e pronarit.

 

Dokumentacioni nevojshëm për përfitimin nga përjashtimi mbi taksën e ndërtesës

 

Kategoritë e përcaktuara në pikat 1, 2 dhe 3 te nenit 36, për të përfituar këtë përjashtim, duhet të dorëzojnë pranë sektorit të taksave dhe tarifave familjare, zyrave të Njësive Administrative dhe Lagjeve të Bashkisë Elbasan sipas rastit dokumentet si vijon:

  • marrin pension pleqërie/pension social;
  • janë kryefamiljarë që kanë në përbërje të familjes vetëm pensionistë, ose dhe me persona në ngarkim të tyre të paaftë për punë;
  • trajtohen me ndihmë ekonomike;
  • kopje të dokumentit ku banojnë që provon se janë pronarë apo përdorues të pasurisë së paluajtshme, për pasuritë që nuk janë të pajisura me dokumente të pronësisë, personat që kanë aplikuar për legalizim të ndërtesës etj;
  • kopje të kontratës/ librezës/ faturës së abonentit kryefamiljar që bën kërkesën për përjashtim.

 

Lehtësira dhe përjashtimet nga tarifat

 

  1. Institucionet e varësisë së Bashkisë Elbasan përjashtohen nga tarifat e pastrimit, gjelbërimit dhe ndriçimit.
  2. Ambulantët në tregjet e miratuara përjashtohen nga tarifa e pastrimit, e ndriçimit dhe gjelbërimit.
  3. Subjektet me objekt veprimtarie turizmin (të tipit: punime artizanale, shitje suvenire, bar-restorantë të kulinarisë tradicionale dhe të ngjashëm), që ushtrojnë aktivitetin e tyre brenda mureve perimetral të territorit të Kalasë Elbasan me sipërfaqe deri në 40 m2, përjashtohen nga tarifa e pastrimit, e ndriçimit dhe gjelbërimit. Për përjashtimin duhet të paraqesin çertifikatën e pronësisë dhe vërtetim nga Agjensia e Kulturës dhe Turizmit.
  4. Organizatat jofitimprurëse përjashtohen nga tarifa e pastrimit, e ndriçimit dhe gjelbërimit. Për përjashtimin duhet të paraqesin vërtetim nga Drejtoria Rajonale Tatimore që nuk kanë realizuar të ardhura të vitit të mëparshëm.