Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Muzeu Etnografik

 

Në qendër të qytetit të Elbasanit, shumë pranë Rrapit të Bezistanit, ndodhet një shtëpi karakteristike, e cila në vitin 1986 u kthye në Muze Etnografik. Shtëpia e Sejdinëve, siç njihet, iu dhurua shtetyit nga familja. “Në planin kompozicional dhe në përgjithësi në konceptimin e saj funksionalo -arkitektonik, kjo banesë u ngjan shumë banesave me çardak që ndodhen në Berat e Shkodër,” thotë drejtori i Muzeut Etnografik Kreshnik Belegu. Ndërtesa përbëhet nga dy kate, kati i parë ka qenë përdorur si magazinë ku futeshin prodhimet bujqësore, si edhe ka disa ambjente muzeale, koridorin, dhomën e leshrave, dhomën e metaleve, si dhe dhoma e tabakëve. Kati i dytë ka qenë përdorur si vendbanimi dhe përbëhet nga koridori i madh, dhoma e punës së vajzave, dhoma e grave, dhoma e burrave, si dhe dhoma e nuses. Banesa është restauruar nga Insituti i Monumenteve të Kulturës në vitin 1983 – 1985, dhe në vitin 1986 ambjentet e shtëpisë u përshtatën duke u kthyer në muze etnografik. “Muzeu përmban kuadrin historik, zejtarinë, me rreth 80 lloje zejesh, veshjet , tipin e banesës qytetare karakteristike elbasanase” thotë Belegu.

Ai shton se “në muze ruhen me fanatizëm prodhimet artizanale të bëra nga qytetarë të ndryshëm elbasanas, si edhe një sërë dokumentash të cilat flasin për historinë e qytetit të Elbasanit”. Nuk mungojnë kostumet e burrave të cilat i gjen të varura në dhomën e burrave. Belegu deklaron se “kostumet e burrave dhe grave të punuara nga rrobaqepësit e talentuar elbasanas, shquheshin për stilin e veçantë shqiptar, si një mozaik i pasur veshjesh që pasqyronin tiparet e krahinës etnografike”. Për të mos harruar mjeshtërinë e terzinjve ku shquhen për punimin e jelekëve, xhamadanëve, xhybeve, dollomaneve etj

Të gjitha këto të bëra me copa të kushtueshme, zbukuruar me motive vendase të thurur me gajtane e tel argjendi, ose ari. Veglat e punës të këtyre kostumeve ishin gërshëra, gjilpëra, kuti, hekuri me zjarr etj. Sipas Belegut, “kostumet e burrave e të grave dalloheshin për bukurinë dhe elegancën e çmoheshin shumë nga të huajt. Një dolloman apo xhybe e kategorisë së parë e punuar me copë kadife të kuqe të importuar që përdorej nga aristokracia e lartë arrinte një shumë të madhe”. Në muze gjen punime të metalpunuesve, artizanëve, dru punuesve, armëtarëve, leshpunuesve, guri i varrit të Mark Sabidit, i cili vërteton vendodhjen e qytetit të Elbasanit, ruhet në Muzeun Etnografik edhe në ditët tona.Gjithashtu në muze ndodhet edhe dokumenti më i vjetër arkeologjik basorelievi i skalitur në gur, stela me figurën e nuses ilire, si edhe vegja e tezgjahu që përdoreshin nga gratë të cilat endin pëlhura dhe qilima, etj. Muzeun Etnografik të qytetit të Elbasanit, i cili mbart brenda një pasuri të vyer të historisë së qytetit e vizitojnë çdo vit me qindra të huaj.