Skip to content Skip to left sidebar Skip to footer

Njoftime

Njoftim për takimin konsultues të Forumit të Qeverisjes së Hapur

Objekti: Konsultimi i projektidesë “Rikonstruksioni i Kryqëzimit të Cërrikut”

Bashkia Elbasan, në kuadër të angazhimeve për transparencë, llogaridhënie dhe pjesëmarrje qytetare, njofton zhvillimin e një takimi konsultues të Forumit Vendor të Qeverisjes së Hapur (OGP Local), me qëllim prezantimin dhe diskutimin e projektidesë “Rikonstruksioni i Kryqëzimit të Cërrikut”.
Projekti parashikon riorganizimin e kryqëzimit ndërmjet rrugës “Thoma Kalefi” dhe unazës jugore “Çerçiz Topulli”, nëpërmjet ndërtimit të një rrethrrotullimi, rikonstruksionit të infrastrukturës rrugore, sistemimit të trotuareve, ndriçimit publik, sinjalistikës dhe hapësirave të gjelbra.
Takimi synon të mundësojë shkëmbimin e mendimeve dhe mbledhjen e sugjerimeve e rekomandimeve të anëtarëve të Forumit Vendor të Qeverisjes së Hapur (OGP Local), të cilat do t’u përcillen strukturave përgjegjëse për shqyrtim në funksion të përmirësimit të projektit të propozuar.

Informacion mbi takimin

  • Data: 20.10.2026
  • Ora: 10:00
  • Vendi: Salla Multifunksionale, Bashkia Elbasan
  • Organizator: Bashkia Elbasan – Forumi Vendor i Qeverisjes së Hapur (OGP Local)
  • Pjesëmarrës: Anëtarët e Forumit Vendor të Qeverisjes së Hapur (OGP Local) dhe
    përfaqësues të strukturave përgjegjëse të Bashkisë Elbasan.
    Gjatë takimit do të prezantohet projektidea, do të diskutohen ndërhyrjet e parashikuara dhe do të evidentohen komentet dhe rekomandimet e pjesëmarrësve, të cilat do t’u përcillen strukturave përgjegjëse për shqyrtim.
    Materialet e projektidesë dhe relacioni teknik vihen në dispozicion për njohje paraprake.
    Dokumentacioni bashkëlidhur:
  1. Projektidea – Rikonstruksioni i Kryqëzimit të Cërrikut.
  2. Relacioni teknik i projektit.

NJOFTIM PËR PËRFITIM BURSE

Në mbështetje të VKM-së nr 666 datë 10.10.2019 “Për kuotat financiare të ushqimit në mensa e konvikte dhe përcaktimin e kritereve për përfitimin e bursave e të pagesave për nxënësit e arsimit parauniversitar si dhe format e tjera të përkujdesjes ndaj kategorive të veçanta në institucionet arsimore parauniversitare publike” i ndryshuar,  Bashkia Elbasan fton të gjithë nxënësit, të cilët ndjekin arsimin parauniversitar publik me kohë të plotë, përfshirë këtu edhe arsimin profesional, për vitin shkollor 2026-2027, të aplikojnë për bursë në përputhje me kriteret e vendosura në VKM-në nr.666/2019 të ndryshuar dhe kuotat e akorduara nga MAS dhe MEKI.

Dokumentacioni i nevojshëm për përfitim burse do të dorëzohet nga nxënësi apo kujdestarët ligjorë pranë shkollës në të cilën nxënësi ndjek studimet, ku do të marrin dhe informacionin e detajuar mbi dokumentacionin e nevojshëm për cdo kriter.

Afati i dorëzimit të dokumentacionit është data 16.10.2026

Suksese!

Njohuri dhe aftësi për një qeverisje vendore më të mirë

Akademia e Trajnimit për Qeverisjen Vendore në Shqipëri (TALGA) mbështet zhvillimin profesional të të zgjedhurve dhe punonjësve të qeverisjes vendore, si edhe forcimin e kapaciteteve institucionale. Në qendër të veprimtarisë së saj është përgatitja e një administrate vendore më të aftë për t’iu përgjigjur nevojave të komuniteteve dhe sfidave të zhvillimit vendor.

Për më shumë info kliko këtu

Enabling City Transformation-Certificate-of-Completion

ELBASANI ka kënaqësinë të njoftojë se ka përfunduar zyrtarisht Programin Enabling City Transformation!
Pas 18 muajsh pune intensive dhe përkushtimi, projekti Elbasan Climate-Neutral Innovation in Mobility (eCIM) ka arritur rezultate të rëndësishme për përshpejtimin e tranzicionit të Elbasanit drejt një mobiliteti urban të qëndrueshëm, inteligjent dhe neutral ndaj klimës.
Përmes projektit eCIM, kemi avancuar planifikimin e mobilitetit me biçikleta dhe në këmbë, kemi testuar zgjidhje pilot për lëvizje më të sigurt të këmbësorëve dhe çiklistëve, kemi prezantuar mjete inteligjente dhe të bazuara në të dhëna për mobilitetin, kemi forcuar kapacitetet e bashkisë për planifikimin e mobilitetit të qëndrueshëm dhe kemi përfshirë në mënyrë aktive nxënësit, qytetarët dhe aktorët vendorë në formësimin e së ardhmes së mobilitetit në qytetin tonë.
Më e rëndësishmja, këto veprime na kanë ndihmuar të testojmë se si planifikimi, teknologjia, të dhënat, bashkëpunimi institucional dhe pjesëmarrja e komunitetit mund të ndërveprojnë për të mbështetur një qasje më të integruar ndaj mobilitetit urban dhe për të kontribuar në zbatimin e Kontratës Klimatike të Qytetit të Elbasanit.
Ky program na dha mundësinë të eksplorojmë veprime inovative që krijojnë kushtet e nevojshme për kapërcimin e sfidave sistemike të veprimit klimatik dhe hapin rrugën drejt një transformimi urban gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm.
Jemi të lumtur dhe krenarë që kemi qenë pjesë e këtij programi dhe e këtij rrugëtimi. Falënderojmë Misionin e BE-së për Qytetet, si dhe platformën NetZeroCities për mbështetjen, lehtësimin e procesit dhe instrumentet e ofruara. Falënderojmë gjithashtu të gjithë ata që kemi takuar, me të cilët kemi krijuar lidhje dhe kemi bashkëpunuar gjatë këtij rrugëtimi!
Ky nuk është fundi, por vetëm një hap i rëndësishëm që na afron më shumë drejt një të ardhmeje neutrale ndaj klimës.

NJOFTIM PËR HAPJEN E REGJISTRIMEVE NË ARSIMIN PARASHKOLLOR

Bashkia Elbasan njofton të gjithë prindërit dhe kujdestarët ligjorë se kanë nisur regjistrimet e fëmijëve në institucionet e arsimit parashkollor (kopshte dhe klasa përgatitore) për vitin shkollor 2026–2027.

Aplikimet do të pranohen pranë Zyrës së Informacionit në Bashkinë Elbasan, nga data 04.06.2026 deri më 30.06.2026, çdo ditë nga e hëna në të premte, në orarin 09:00–12:00.

Aplikimi për regjistrim i fëmijëve bëhet me deklaratën tip të plotësuar në zyrën e informacionit në bashki nga personi që ushtron përgjegjësinë prindërore, sipas shtojcës nr.1 në Urdhërin e MAS nr.31/2020 dhe me dokumentacionin e mëposhtëm: 

  • Formulari i aplikimit;(formulari i aplikimit do të plotësohet pranë zyrës së informacionit kur të dorëzoni dokumentet)
  • Certifikatë personale e fëmijës;
  • Certifikatë familjare;
  • Certifikata ose Kartela e vaksinave të fëmijës;
  • Vërtetim banimi;
  • Vërtetim për marrëdhënien në punë e të paktën njërit prej prindërve/kujdestarëve ligjorë (për kopshtet me ditëngrënie)

Regjistroni fëmijën tuaj në kohë dhe bëhuni pjesë e një mjedisi edukativ, të sigurt dhe gjithëpërfshirës për zhvillimin e tij.

Ju mirëpresim!