Skip to content Skip to left sidebar Skip to footer

Trashëgimia Kulturore

Në krahun e djathtë të derdhjes së lumit Shkumbin atje ku ai kryqëzohet me rrugën e famshme Egnatia shtrihet qyteti i Elbasanit me emrin e lashtë Skampis. Gjatë historisë së lashtë Elbasani e ndërroi shpesh emrin e tij, por për herë të parë e gjejmë të shkruar në dokumentat historike të shekullit të II-të si vicus me emrin Scampis në varësi të Dyrrahut. 
Scampisi ishte një kastium (kështjellë)  tipike romake e ndërtuar në kapërcjellin e shek.III- IV e.s. 
Fortesa rrethohej me mure të fuqishëm. Nga të katër anët  një hendek i thellë  me ujë dhe 26 kulla të formave të ndryshme  (në formë U-je dhe patkoi) përforconin fuqinë mbrojtëse të  saj. Kalaja kishte katër hyrje një për secilën anë.
Në shek. VI qyteti zhvillohet jashtë kështjellës duke qenë qendër peshkopale me një katedrale dhe një bazilikë në kodrën e Tepes pranë Kalasë. Në vitin 1466 Kalaja e Elbasanit bie në duart e osmanëve, të cilët e rindërtuan thuajse tërësisht dhe prej tyre ai mori emrin Ilj-basan (Elbasan). Me këtë emër u bë qendër sanxhaku në shek.XVII-XVIII-të duke patur një zejtari tejet të zhvilluar dhe një tregëti brenda dhe jashtë vendit. Në mes të shek.XVII-të ai numëronte 900 dyqane, 2.000 shtëpi banimi. Zejet më të dëgjuara ishin regjia e lëkurave (tabakët), punimi i mëndafshit dhe i argjëndit (zbukurime dhe armë).
Brenda qytetit përveç banesave dhe dyqaneve Elbasani përmbante tashmë një numër të madh ndërtesash kulti si: kisha, manastire, xhami, dhe hamame (banja publike).

1. Kështjella e Skampis-it
Kështjella e Scampis-it është ndërtuar në kohën e sundimit të perandorit Dioklecian (284-305).  Ajo është ndërtuar tërësisht sipas teknikës romake opus mixtum.  Muri i kësaj periudhe ndërtimi me trashësi 3 m gjendet kudo në nivelin e poshtëm të kështjellës. 

2. Via Egnatia
Kjo rrugë është vazhdimi i Via Appia-s që fillon nga Roma antike deri në Brindisi.  Në vendin tonë Via Egnatia fillon nga Apollonia dhe Dyrrahu, dy degëzime që bashkohen pranë Scampis-it në bregun e majtë të përroit të Zaranikës për të vazhduar drejt Lindjes në veri të liqenit të Ohrit deri në Selanik.  Kjo rrugë mendohet se është ndërtuar midis viteve         146-120 p.e.s.


3. Xhamia Mbretërore 
Xhamia Mbretërore është një nga faltoret më të hershme të Shqipërisë, daton në vitin 1492. Kjo faltore përputhet me të gjitha xhamitë e tjera të emërtuara mbretërore që u ndërtuan nga Sulltan Bajazitit i II-të në fund të shekullit të XV. Xhamia u mbyll në 1967 gjatë diktaturës komuniste dhe u rihap mbas 1990. 


4. Kisha e Shën Mërisë Elbasan 
Kisha e Shën Mërisë ndodhet brenda kështjellës së Elbasanit dhe është rindërtuar në vitin 1833.


5. Hamami i Kalasë
Hamami brenda Kalasë, njihet edhe si Hamami i grave, i takon fundit të shekullit të XVI.  Skema e hamamit fillimisht përbëhet nga tre dhoma kryesore: dhoma e zhveshjes, e izolimit dhe e larjes. Gjatë shekullit XX, Hamami i Kalasë u perdor si magazinë ushqimore.  Sot, në këtë ndërtesë ka një lokal.


6. Kulla e Sahatit
Kulla e parë e Sahatit u ngrit këtu në shekullin e XVII dhe u rrënua para vitit 1854. Kulla e dytë prej druri, e ngritur gjatë viteve 1865-1869. Pas rrëzimit kjo kullë u zëvëndësua me kullën vazhduese në 1899. 
Mbishkrimi në portën hyrëse të kullës thotë:  “Mbreti i Botës mirësinë/dhe ngjallën këtë kohëtregues të bukur dhe zemërledhatues/shumë u përpoq, u kujdesua dhe u interesua Aqif Beu/zoti i dhashtë si shpërblim gjithë të mirat e kësaj bote/kur tingëllon, me zërin e tij njofton për bukuri kohën e saktë/në mënyrë të përsosur nga të katër anët tregon minutat/meqë zotëron intuitën e vjershëtorit tuaj/O Refit vitin e ndërtimit të tij/E ndërtuan në fillim të vitit 1315 (që i takon vitit 1899).”

 

Stacioni Ad Kuintum​

 Stacioni ” Ad kuintum” ose ( stacioni i pestë ) njihet si stacioni i rrugës Egnatia , ndodhet në fshatin Bradashesh, është monument kulture .

Kjo banjë e njohur ndryshe si hamam është ndërtuar përgjatë rrugës Egnatia për t’i shërbyer qytetarëve edhe si mutatio, stacion pushimi.

 Ka një planimetri drejtkëndëshe me sipërfaqe 130m2 me këto mjedise: dhoma e zhveshjes, mjedisi i ngrohtë, mjedisi i nxehtë, dhe ai me ujë të ftohtë. Në brendësi ishte dhoma e zhveshjes që shërbente për  lidhjen e mjediseve. Muret e Hamamit, janë ndërtuar me muraturë të përzier.  Furnizmi me ujë bëhej me anë të kanaleve nga një depozitë mbi murin e nimfeut dhe largoheshin me një sistem tjetër kanalizimi”.

Banjat e këtij stacioni kanë një zgjidhje racionale planimetrike dhe estetike. Ky hamam është ndërtuar në fundin e shekullit të II – të  të erës sonë. Në këtë banjë kishte personel që shërbente për masazh, për pastrimin e të pafuqishmëve, për mirëmbajtjen, për zjarrin e pastërtinë.  Gjatë gjysmës së dytë të shekullit të XX – të gjatë kohës së rregjimit komunist këto banja u mbyllën, dhe në vitet e fundit të shekullit të XX – të, ato që i kanë qëndruar kohës ruhen si objekte historike e monumente kulture. Rreth këtyre banjave pikërisht në fshatin Bradashesh janë ndërtuar shumë shtëpi, duke krijuar lagjen që mori emrin ” Stacioni i Rrugës Egnatia”.

Tashmë këto banja thuajse kanë dalë jashtë funkisonimit dhe kanë mbetur veç muret dhe gurët e fortë që rrethoheshin banjat.

Kisha e Shën Kollit në Shelcan

Nga ndërtesa e vjetër në këtë kishë më e rëndësishme mbetet veshja e brendshme me afreskat e piktorëve të mesjetës Onufri dhe Kostandin Shpataraku.

Riparimi i fundit është bërë në vitin 1988 ku u bë restaurimi i gungës dhe  hajatit por mbeti pa rindërtuar këmbanorja. Vlen të përmendim se kanalizimet dhe rrethimi i plotë i këtij objekti me rëndësi jo vetëm fetare krijuan një farë mbrojtje. Kisha është njënefshe me hajate të vona, sot të zbuluara, nga jugu dhe perëndimi. Në anos hyhet nga ana perëndimore, ndërsa dikurë ka pasur edhe një portë në anën jugore, që sot është murosur. Kisha është me dysheme me pllaka guri të çrregullta, ndërsa është e mbuluar me çati me kapriata pa tavan, restaurim i vitit 1969.Naosi ndahet nga ambienti i altarit nga një iconostas prejmuri të pikturuar. Ai ka dyer, një në qendër dhe një në anën veriore. Me përjashtim të murit lindor të kishës, muret e tjera janë të suvatuara, kështu që nuk dallohet teknika e ndërtimit të tyre.

  Është pikërisht muri lindor që dëshmon se kisha e Shën Kollit ka qenë e ndërtuar përpara pushtimit turk. Muri lindor ka në qendër një apsidë rrethore me  një dritare të ngushtë dhe të lartë në mes. Dritarja mbulohet nga një har me tulla radiale rrethuar nga tulla përgjatë harkut. Apsida ka në pjesën e sipërme një dekor tullash të vendosura zigzak, që duhet të jetë e vonë. Si absida ashtu edhe i gjithë muri lindor janë ndërtuar në klausonazhe me dy tulla vertikale apo që kanë nga dy rreshta tullash  horizontale. Përsa i përket datimit mendohet se duhet t’i takojë fundit të shekullit të XIV, duke u nisur për këtë nga teknika e ndërtimit, me dy madje dhe me tre rradhë tullash horizontale.

 Vizitori gjen në ikonat e  Onufrit të pikturuar nën maskë shenjtorësh banorë të trevave të shpatit  gjë që shprehet me gjallërinë dhe sytë shprehës të të pikturuarve, me të kuqen karakteristike të Onufrit.

Kjo kishë disa herë në vit, por kryesisht në vigjilje të pashkës grumbullon disa qindra besimtarë jo vetëm nga Shelcani, por edhe nga fshatrat përreth  që nga Kryezjarthi Trepshenishti e deri nga fshatra të thella të Shpatit.

Kisha e Shën Kollit si e vetmja që i ka shpëtuar rrënimit të viteve në këtë fshat që ka mbrojtur ortodoksinë e tij gjatë 500 vjetëve të sundimit otoman, vazhdon të shikohet nga shelcanakët si një perlë e ardhur nga lashtësia dhe që duhet mbrojtur nga çdo dëmtim. Është edhe ky interesim i fshatarëve që kjo kishë relativisht e lashtë vazhdon të qëndrojë në këmbë për t’i shërbyer besimtarëve dhe turistëve të shumtë.

Kisha Bizantine Shën Pjetri

Në lagjen Kala, jashtë mureve të sajndodhet një kishë bizantine, nuk ka priftërinj, nuk kryen as mesha, është shumë e përafërt me ritet ortodokse. Kisha Shën Pjetri është  e para në Shqipëri e cila  është shkruajtur totalisht shqip, ku duket edhe nga portretet që vende vende janë tipike shqiptare.

Kisha Shën Pjetri është ndërtuar në vitin 1926 në bazë të urdhërit bazilian themeluar nga arbëreshët. Në atë kohë kishën do ta drejtonte Shqiptari At Pjetër Sofroni i cili së bashku me shumë murgj bazilianë qëndronin në këtë kishë. Më pas gjatë kohës së Mbretit Zog në shqipëri, kisha nisi të haste me shumë kontradikta, por mundi të mbijetojë. Kisha është e veçantë sepse ka ruajtur ritin bizantin origjinal, dhe varet nga Pushteti i Vatikanit. Quhet kishë katolike lindore, e themeluar nga arbëreshët, e shkruar në shqip dhe vazhdon të ruajë ritet bizantinë, siç janë kishat e Rusisë, Greqisë, Serbisë etj.  Goditjen më të rëndë Kisha Shën Pjetri, e mori gjatë regjimit komunis në vitete 1944 – 1991 e cila u shndërrua në magazinë të vjetër, dhe vetëm me ardhjen e demokracisë  rikthetet mbas 50 vjetësh në Shqipëri  At Sofroni  i cili bën të mundur hapjen sërisht të kësaj kishe.

Ai qëndron për shumë vite së bashku me disa murgjër të tjerë, dhe pikërisht në vitin 1996 mbledh fonde nga shumë arbëreshë të Italisë dhe bën të mundur me ndihmën e dy piktorëve Fatbardh Marku dhe Arben Jano rikthimin e kësaj kishe në identitet.

Manastiri i Shën Joan Vladimirit në Shijon

Historia e fshatit, që ndodhet në tatëpjetën e Qafë Krrabës, nis rreth viteve 1010 – 1020, kur prifti Shën Joan Vladimiri do të predikonte ritet e fesë ortodokse.   Sipas të dhënave, Shën Joan Vladimiri u lind në fshatin Vladimir të Krajës, në Malin e Zi, në shek. XI. Këtu, ku dhe ndodhej oborri i tij mbretëror, ndodhet një kryq druri i madh, në nderim të tij. Për çdo vit, në datën 4 qershor, në Krajë organizohet një panair në nderim të Shenjtit, në të njëjtën kohë kur mbahet dhe në Manastirin në Shijon, pranë Elbasanit.  Të dhënat thonë se Neemani, ati i Joan Vladimirit, ishte mbret i Ilirisë, që sundonte në atë kohë dhe Malin e Zi, Dalmacinë, Bosnjën edhe disa krahina të Greqisë pranë Prevezës. Pas vdekjes së të atit, Joani mori sundimin. Me dëshirën për të bashkuar të gjithë shtetasit e tij me Kishën e Shenjtë, ai dërgoi në të gjithë mbretërinë predikues për të hapur besimin e vërtetë dhe për te kthyer jo besimtarët në të krishterë. Ai themeloi manastire, kisha dhe institucione bamirësie. Joan Vladimiri luftoi më pas me Samuelin, mbretin e Bullgarisë, prej të cilit u zu rob me tradhëti. U burgos në Ohër, nga ku, pas një vizite në burg, e bija e Samuelit, Kosara, i kërkoi të atit lirimin e Joan Vladimirit. Samueli lejoi dhe bekoi martesën e tyre dhe Joani ishte përsëri mbret në mbretërinë e tij.   Duke shëtitur krahinat, Joan Vladimiri pa një yll afër lumit të Kushtës në Elbasan. U afrua dhe pa një shqiponjë, mbi krahët e së cilës gjendej nje kryq i shndritshëm. Shqiponja-ëngjëll, pasi zbriti në tokë, la kryqin dhe u largua fluturim. Joani, me lutje, mori kryqin dhe e vendosi në po atë vend, ku më pas ndërtoi një kishë. 
     Pas pak vitesh, Vasili II, perandori i Bizantit, dërgoi ushtri kundër Samuelit, mbretit të Bullgarisë, i cili, pasi pranoi humbjen, vdiq nga hidhërimi. Pas vdekjes së tij, në fron u ngjit i biri, i cili mbretëroi për një vit. Kështu, Mbret i Bullgarisë u kurorëzua me vdekjen e djalit të mbretit Samuel i vëllai i tij nga nëna, Vladisllavi. 
     Vladisllavi kërkonte të pushtonte dhe mbretërinë e Joan Vladimirit, burrit të së motrës. Ai thirri Joanin në kryeqytetin e tij, Ohër, dhe u betua mbi Ungjillin e Shenjtë dhe Kryqin e drunjtë, (i cili ndodhet aktualisht në Krajë të Malit të Zi) se nuk do t’i bënte asgjë të keqe. Me të pabesë, Vladisllavi nxori shpatën dhe tentoi t’i priste kokën. Joan Vladimiri, duke i drejtuar Kryqin e tij të drunjtë, i tha “me këtë që më tradhëtove mi pre kryet”. “Mos derdhni gjak vëllazëror për vrasjen time, por luftoni për mua, ruani paqen dhe lavdinë e besimit më Krishtin, Zotit të vërtetë. Të sundohet me drejtësi dhe dashuri populli im”, i tha ai ndihmësit të tij. Kunati ia preu kokën me kryqin. Shenjti Joan Vladimir, pasi mori kokën në duar, u drejtua për në kishën e Shijonit, pranë Elbasanit, që ai vetë e ndërtoi. Shenjti Joan Vladimir u varros në kishë prej Kryepiskopit të vendit më 22 Maj (3 qershor) të viti 1015. Me vdekjen e tij, shqiponja u shfaq në kishë dhe u dëgjua një zë ungjillor; “në duart e tua o Zot po jap shpirtin tim”. Atëherë, prej qielllit në tokë u dëgjuan psalme dhe gjithë vendi u mbush me aromë të këndshme.      . 
     Fshati Shijon, për vetë pozicionin gjeografik, shquhet për bukurinë natyrore të tij, dhe kisha për vlerat e saj monumentale dhe historike. Në jo pak raste, ajo është shfrytëzuar nga shkrimtarët elbasanas, për të zhvilluar Ditët Poetike, në praninë e shkrimtarëve dhe të artistëve nga vendi. 
     Në këtë kishë gjendet dhe varri i kryepeshkopit të parë shqiptar, At Vissarion Xhuvani, emri i të cilit renditet në njerëzit e shquar të kombit.

Xhamia e Nazireshës

Xhamia e Nazireshës ngrihet në unazën jugore të qytetit, është e para faltore monumentale e konceptuar në stilin klasik osman. Sipas një nënshkrimi të shkruar me bojë në murin fundor të  mafilit lexohet viti 1599, e cila sipas disa  studjuesve nënkupton ndërtimin e xhamisë. Historinë e plotëson vetë emri i xhamisë që përjetëson  gruan e njohur të qytetit, bashkëshorten e një personaliteti të kohës me funksion të rëndësishëm perandorak, i cili e ngriti faltoren në emrin e saj.

Xhamia e Nazireshës ruhet në formën origjinale të sallës së faljes dhe të minares. Salla me përmasa kuadratike ndriçohet nga pesë dritare në tri anë të vendosura me ritëm në tri rradhë. Dritaret e poshtme janë të profiluara prej gurësh të gdhendur. Muratura së bashku me minarenë janë realizuar me teknikën e klausonazhit.

Në një periudhë të dytë xhamia ka pasur një restaurim të kupolës dhe një pjesë të minares. Dyshemeja e xhamisë është e shtruar me pllaka poligonale prej qeramike, ashtu si të gjithë xhamitë e tjera të vendit.

Xhamia e Nazireshës është shpallur Monument Kulture dhe tashmë është në mbrojtje të shtetit, si njëri nga monumentet përfaqsues të historisë së arkitekturtës mesjetare shqiptare. Nëpërmjet teknikës së ndërtimit ajo ndërlidh në vazhdimësi traditën e artit të ndërtimtarisë në periudhat pararendëse.

Për herë të parë pas ardhjes së demokracisë Këshilli Kombëtar i Restaurimeve në Tiranë, miratoi  në mbledhjen e tij më datë 04.12.2006, një investim prej 3 milion lekësh të vjetra për rehabilitimin e xhamisë së Nazireshës. Ky investim u krye nga Drejtoria Rajonale e Monumenteve në Tiranë , duke pasur në qendër të vëmendjes vendosjen e unazave metalike në minarenë e objektit si dhe në pjesë të tjera të dëmtuara.

 Fillimisht në Xhaminë e Nazireshës, u investua tek minareja e objektit pasi ajo rrezikonte shkatërrimin si pasojë e spostimit.

Disa vite më parë Fondacioni Shtetëror Turk ” Tika” në bashkëpunim me Myftininë e Elbasanit si edhe Institutin e Monumenteve të Kulturës nisën punën për rikonstruksionin e Xhamisë së Nazireshës ,rehabilitimin e plotë të oborrit të xhamisë. Xhamia e Nazireshës është ndër më të vjetrat në vend. Ajo është e stilit sulltanor me minare dhe kupolë, që në Shqipëri janë të rralla.

 Po t’i referohesh fakteve të sotme, në qytetin e Elbasanit me rreth 140 mijë banorë, që ka mazhoracë fetare muslimane me rreth 75 përqind, janë vetëm 5 xhami, si xhamia Mbret brenda Kalasë së qytetit, xhamia e Pashës në vendin e quajtur “Tri Urat”, xhamia e Nazireshës në jug të qytetit, xhamia në lagjen “Skënderbej” dhe xhamia më e re El-Hagri. Ndërkohë që bëhet e ditur se në qytet kanë qenë mbi 20 xhami, ku mes tyre dalloheshin xhamia e Ballijes dhe xhamia e Agait, të cilat u prishën nga regjimi komunist.

Teqeja e Baba Xhemalit

Teqeja e Baba Xhemalit u ndërtua në vitin 1929 mbi themelet e teqesë së Baba Ali Horosanit, i cili u vra në Elbasan në vitin 1862. Në atë kohë Baba Xhemali, një vjershëtar, dijetar, i lindur në Stamboll, pasi kishte shërbyer në Bagdad e në Stamboll u vendos në Elbasan, ku dhe ndërtoi objektin për besimtarët e sektit bektashian. 
  Në atë kohë, Baba Xhemali mori informacione se në regjistrat e vjetër të vakëfeve në Elbasan figuronte një copë trualli me emër “Teqja e baba Ali Horosanit”. Mbi këtë informatë baba Xhemali vendosi të blejë truallin për 800 franga ari, ku dhe ngriti teqenë që sot është një vend pelegrinazhi jo vetëm për besimtarët, por edhe për shumë vizitorë. 
     Bazuar në dokumentet që ekzistojnë lidhur me këtë objekt fetar mësohet se gjatë ndërtimit të teqesë së Baba Xhemalit, dolën në dritë edhe rrënojat e një tyrbeje që ndodhej pranë ish-teqesë së Baba Aliut. Aty u gjet dhe një gur vorri, në të cilin ishin shkruar disa vargje që tregonin për të zotin e teqesë, Ali Baba si dhe ditën e lindjes dhe vdekjes së tij. 
     Baba Xhemali përhapi idetë bektashiane, deri në 28 shtator të vitit 1949, kur dhe ndërroi jetë për t’u prehur pranë tyrbes së Ali Horosanit të cilën e rindërtoi vetë.  Pas vdekjes së tij, deri në vitin 1967 kur regjimi komunist mbylli të gjitha objektet e kultit, teqeja u drejtua nga disa pasues. 
     Me vendosjen e demokracisë, Teqeja e Baba Xhemalit ishte e para që u hap në Elbasan, në 14 qershor të vitit 1993, nga Baba Sherifi, tyrbja e të cilit ndodhet pranë asaj të Baba Ali Horosanit dhe Baba Xhemalit.

Bazilika e Kodër Tepes

 Shumë pranë Ullishtës në lindje të qytetit, në vendin e quajtur ish “Shtëpia e Pritjes” ndodhet një nga bazilikat më të vjetra të këtij qyteti. Arkeologë të ndryshëm që e kanë hulumtuar nga afër bazilikën shprehen se ajo i takon Varrezës së Skampinit, në shekullin IV- V.

E shpallur Monument Kulture kjo bazilikë është një ndër ndërtimet më të vjetra të kultit të krishterë mbas Bazilikës së Akropolit në Butrint.             

Bazilika në Kodrën e Tepes, (vendi ku ndodhet bazilika) u gjet me mure që ruhen pak mbi tokë, dhe ka të njëjtën pamje thuajse si ajo aktualja. Ajo i përkiste tre fazave ndërtimore duke pësuar edhe ndryshime. Nefet anësore të bazilikës u kthyen në mjedise varri për dinjitarët e komunitetit fetar të Skampinit.

Ka qenë viti 518-të kur bazilika pësoi rrënim si pasojë e tërmeteve dhe nuk rindërtohet më. Në këtë kohë Scampini kishte katedralen e Shën Pjetrit ( që përmendet vetëm në dokumenta) dhe në këtë kohë lejohej varrimi brenda kalasë. 

 Faza e parë e ndërtimit paraqet një bazilikë me tre mjedise të formuara nga dy kolona. Muret, mbi të cilën mbështetet janë ndërtuar në gurë dhe breza tre katër rradhësh tulla.

Lartësia e plotë e murit ka qenë 5.5 metra”. Kjo fazë, sipas Belegut ishte një ndërtim i varfër shtruar me dhe të ngjeshur.

Në fazën e dytë, në bazilikë u bënë një sërë transformimesh, për t’ia përshtatur më mirë përdorimit si kishë varrezash, funksion që mund të ketë pasur që në fillim.

Në këtë kohë murosen arkadat ndërmjet nefeve, duke krijuar një sallë qëndrore, e cila shtrohet me mozaik dhe krijohet ndarja e rregullt të ambjentit të altarit nga naosi me një ikonostas të gurtë.

Ky ndryshim, në organizmin funksional e arkitektutral të kishës, lidhet me futjen brenda saj në nefin verior, të dy varreve me qemer tullash.

Kapitelet kountike të stilizuara, tregojnë se rindërtimi i tretë datohet në shekullin e

V-të të erës sonë. Më vonë monumentit i është bërë një ndryshim në anën perëndimore. Ky ndryshim është bërë në shekullin e VI-të të erës sonë, dhe përkon i njëjtë me atë të një rindërtimi në kalanë e Elbasanit.

                                   Mozaiku i Bazilikës

Dyshemeja e bazilikës në këtë kohë ndahet nga rrugë me pllaka guri shtuf në katër panele mozaiku, dy nga dy, simetrike kryesisht me motive bimore e gjeometrike.

Dy panelet afër hyrjes janë më të mëdha. Ato kanë një bordurë me gërshet, brenda së cilës gjenden rrathë dhe rombe me ngjyra të ndryshme. Në pjesën e sipërme në drejtim të qendrës së sallës ka një dekor me gjethe vesh rrushi. Dy panelet e tjera më të vogla janë me motive gjeometrike.

Mozaikët janë ndërtuar me kubikë mermeri të bardhë, gëlqerorë, ngjyrë vjollcë, të bardhë e të zëzë dhe tullash të kuqe.

Ato shquhen për nivel të mirë ekzekutimi. Kolonat e ikonostasit janë prej mermeri gri, të prura nga një vend tjetër. Në pllakat e ikonostasit me përmasa 102×92 centimetra, janë gdhendur luanë, kaprollë, shpendë të ndryshëm, krahas ornamenteve bimore.

Bazilika paleokristiane

Gërmimet në bazilikën paleokristiane që ndodhet shumë pranë portës së kalasë si dhe rrapit të ” Bezistanit” nisën në muajin gusht të vitit 2007, dhe fillimisht për zbulimin e saj u realizua një sondazh arkeologjik, duke u bazuar në disa dokumenta të ruajtura në arkivën e  muzeut etnografik të qytetit të Elbasanit. Deri më tani në këtë bazilikë janë gjetur mjaft objekte si shtylla mermeri, të gjata rreth 5 metra, me punime dekorative, të cilat janë vendosur në hollin e Muzeut Etnografik të qytetit, i vetmi që ruan çdo vlerë të lashtë të këtij qyteti.  Arkeologët që morën pjesë në gërmimin e mozaikut kanë gjetur një kapitel, pjesë zbukurimi që vendoset sipër kollonave, një afresk  që ndodhet në mur, si dhe  dy varre të cilat i përkasin shekullit të V-të.

Mendohet se mozaiku është një bazilik Palokristiane një ndërtim ky që i përket fund shekullit të katërt të erës sonë. Arkeologët  e cilësojnë këtë zbulim thuajse në qendër të qytetit të Elbasanit si një nga bazilikat me përmasat më të mëdha në të gjithë vendin tonë. Kjo bazilikë është e ngjashme me katedralen e zbuluar para disa vitesh në Mallakastër.  Bashkia e Elbasanit për të shmangur ndonjë rast incidenti nga persona të papërgjegjshëm ka vendosur roje 24 orë nga Policia Bashkiake.

Rrapat shekullorë

” Rrapi i Mansit”, një pikë turistike me burime uji që frekuentohet nga qytetarët për argëtim ditor.  Emërtimi lidhet me itinerarin e rrugës “Egnatia”, në shekullin e II-IV, e cila mendohet se ka vazhduar në luginën midis Teqes së Madhe dhe Krastës.

Në këtë vend ka qenë edhe stacioni i pushtimit, i quajtur ” Mansio”. Prej këndej, pika mori emërtimin ” Rrapi i Mansit.”  Historikisht, për qytetin ka shërbyer si pikë dëfrimi, çlodhjeje, veçanërisht në festën e Ditës së Verës.

Si dru, Rrapi nuk i ruan përmasat karakteristike për shkak të degaradimit, por mendohet se ka një moshë 605 vjeçare.

– Rrapi  i Bezistanit, është edhe ai një tjetër monument natyror në qendër të qytetit, shumë pranë Portës së Kalasë. Emërtimi i tij lidhet me tregun e mbyllur, i quajtur ” Bezistan”, bërthamë e rëndësishme tregëtare, ndërtuar në shekullin e XVII që përfshinte një numër të konsiderueshëm dyqanesh.

Historkisht, “Rrapi i Bezistanit” ka shërbyer si pikë referimi për ngjarjet historike, arsimore e kulturore të Elbasanit. Përmasat tregojnë se ka një moshë mbi 500 vjeçare.

  Rrapi i Vojvodës, sërisht një tjetër monument natyror që ndodhet në të dalë të qytetit.

Emërtimin me termin “Vojvodë” lidhet me periudhën e sundimit osman dhe ka marrë emrin e komandantit ushtarak, mëkëmbës në perandorinë osmane. Vojvoda kryente detyrën e komandimit ushtarak e të sigurimit të qetësisë në qytet.

Rrapi shërbente si pikë kufitare për hyrjen e daljen në Elbasan. Si vend kryente funksionin e pritjes e përcjelljes së figurave, personaliteteve dhe delegacioneve në festa apo ngjarje të rëndësishme.

Rrapi shërbente  edhe si pikë takimi e drejtimi për karvanet që vinin nga fise të ndryshme të perandorisë. Përmasat e tij tregojnë se ka një moshë rreth 700 vjeçare.

Krasta e Madhe

Zona e pyllëzuar Krasta e Madhe ndodhet 1,5 km në lindje  të qytetit të Elbasanit dhe është pyllëzuar gjatë periudhës 1959-1969 me pishë të egër dhe te butë. Qëllimi i këtij pyllëzimi ka qenë krijimi i një kurore të gjelbër  mjaft të bukur në periferi të Elbasanit. Nisur nga pozita gjeografike tepër e favorshme e zonës së pyllëzuar te Krastës së Madhe , tendenca e zgjerimit të zonës së banuar dhe e ndërtimeve të reja përreth saj  kanë krijuar kushte optimale të favorshme për përfshirjen e saj  brenda kufijve  te jetës urbane të qytetit Elbasan. Bashkia  e Elbasanit në vitin 2006 hartoi një projekt i cili do ta kthente krastën në një park në  shërbim të komunitetit. Së fundi është shtuar dhe zgjeruar fondi pyjor ekzistues i kësaj zone  si dhe është zgjeruar infrastruktura  e saj.

Kostumografia, një traditë nga Iliria

“Rajoni i Elbasanit si zonë e ndërmjetme folklorike numëron rreth 37 kostume popullore autentike, me mbi 10 variante.

Nga burimet etnografike, harta e kostumologjisë së rajonit të Elbasanit rezulton e pasur dhe e hershme. Ajo ndahet në katër njësi etnografike; Malësia e Labinotit, Shmilit, Funarit dhe Krrabës, qyteti i Elbasanit, Malësia e Shpatit si dhe Fusha e Elbasanit, Dumresë dhe Sulovës.

Elemente të tjera të veshjes popullore, të dokumentuara në zbulimet arkeologjike, janë edhe vargonjtë  e mesit, tirqet, kallcet, që përdoren në kostumet e nuseve të malësisë së Shmilit, Krrabës dhe Shpatit” vijon Meksi.

Më vonë shfaqen opingat, xhokat, bruca, që vazhdojnë të jenë pjesë e veshjeve të Elbasanit. Opingat përdoren në të gjithë rajonin, ndërsa xhoka e zezë me krahë dhe pa krahë, përdoret në Elbasan, në malësinë e Krrabës si dhe në Peqin. Në shekujt XVI – XVII, me zhvillimin e zejtarisë, mori hov përpunimi dhe tregtimi i mëndafshit. Ai u përdor për eksport, por edhe si lëndë e parë për përgatitjen e kostumeve popullore të grave të qytetit.

Në atë kohë kostumi “shqiptarçe” i grave të qytetit të Elbasanit, i huazuar më vonë nga gratë e Tiranës, Durrësit, Kavajës, Peqinit, u bë kostumi mbizotërues i grave të Shqipërisë së Mesme.

Ky  kostum vazhdon të jetë mbizotërues  në garderobën e ansambleve artistike dhe folklorike, ndërsa ka kapërcyer edhe kufinjtë e Shqipërisë me pjesëmarrjen në festivalet ndërkombëtare.

Shumëllojshmëria e kostumeve popullore në trevën e Elbasanit ka tërhequr interesimin e organizatave ndërkombëtare të Folkut Europian.

Elbasani është një nga trevat më të pasura etno-folklorike të Shqipërisë. Në Elbasan këndohet e kërcehet me shumë pasion kënga e vallja popullore qytetare dhe në të njënjtën kohë ruhen me shumë fanatizëm e krenari kostumet tradicionale popullore. Në këtë trevë, çdo 11 mijë banorë përfaqësohen me kostumin e tyre popullor. Vetëm në qytetin e Elbasanit këndohen 209 krijime popullore të korifnjve të kësaj muzike si Isuf Myzyri, Leks Vini , Mustafa Bodini etj.

Muzeu Etnografik 

Muzeu etnografik në Elbasan, që funksionon si i tillë prej mëse dy dekadash, mban brenda mureve të tij një pasuri të vyer të kulturës popullore të kësaj treve, mes të cilave spikat një mozaik prej 80 lloj zejesh. 

Muzeu Etnografik  është ndërtuar në një shtëpi karakterisike me çardak që i takon shek.XVIII, dhe ndodhet në qendër të qytetit të Elbasanit. Elbasanasit e njohin si shtëpia e Sejdinëve, një familje e vjetër Elbasanase.  Është një shtëpi që nga mënyra e ndërtimit dhe arkitektura është e veçantë në llojin e vet në trevën e Elbasanit. Në planin kompozicional dhe në përgjithësi në konceptin e saj funksionalo – arkitektonik, kjo banesë i ngjan shumë banesave me çardak që gjejmë në Berat e Shkodër.  

 Banesa përbëhet nga 2 kate: kati i parë ka qenë përdorur si magazinë ku futeshin prodhimet bujqësore dhe ka këto ambjente muzeale: korridori, dhoma e leshrave, dhoma e metaleve, dhoma e tabakëve.

Kati i dytë ka qenë përdorur si vend banimi dhe përbëhet nga këto ambjente : korridori, dhoma e punës së vajzave, dhoma e grave, dhoma e burrave, dhoma e nuses.

  Në mozaikun e zejeve, që pasqyrohen në këtë muze, përmenden punimet e shajak punuesve, qelesh punuesve, terzinjve, punimet e opingarëve, e saraçëve, punimet e zilexhinjve, armëtarëve, argjendarëve, çibukçinjve, samarxhinjve, mullinjtë primitivë të vajit, si dhe guri mortor i legjionarit Mark Sabiti, monumenti që vërteton arkeologjikisht vendndodhjen e Skampis.

Pusi që Lahet Vetë

Është hapur  613 vjet më parë, në vitin 1460 në një lagje të madhe jo shumë larg qendrës së qytetit të Elbasanit. Ideja e hapjes së një pusi ishte e dy vëllezërve arabë, besimtarë muslimanë Hyseni dhe Dylgjeri, të cilët mbas hapjes së pusit në këtë vit, do të ndërtonin edhe një xhami shumë pranë pusit. Kur nisën hapjen e pusit, dy vëllezërit, hodhën brenda tij një çekiç, sqeparin, dhe mistrin prej floriri, vegla pune të cilat sinjifikonin mbarësi përsa i përket ndërtimeve në të ardhmen.  Të gjithë besimtarët, para se të kryenin faljen e namazit laheshin në pusin e ndërtuar shumë pranë xhamisë. Që asokohe kjo lagje e cila vinte duke u shtuar nga qytetarë Elbasanas por edhe të ardhur nga fshatrat përreth do të shtohej nga viti në vit. Mbas ndërtimit të xhamisë dhe hapjes së pusit lagja mori emrin ” Dylgjer Hysen”, në nder të dy vëllezërve arabë, por që asnjëherë nuk u thërrit me këtë emër, por me titullin simbol ” Pusi që lahet vetë”.  Por në vitin 1966 sistemi Komunist do të prishte xhaminë, si dhe do të mbyllte pusin që lahet vetë. Që nga ajo ditë pusi u mbyll dhe të shumtit që e dinin vendodhjen e tij, tashmë nuk jetojnë më, vetëm mbas 45 vjetësh, dikush do të investonte për të hapur sërisht këtë pus, i cili njihet tashmë nga i gjithë komuniteti Elbasanas, por edhe shumë vizitorë e turistë për nga vetë historia që ai ka, më së shumti nga gojëdhënat e vetë banorëve. Dhe sot të gjithë këtë lagje e cilësojnë me këtë emër ” Pusi që lahet vetë”. Shumë pak është shkruar në historinë e Monumenteve të Kulturës për pusin që lahet vetë, por edhe për rrapin i cili ndodhet shumë pranë tij.  Sipas rrëfenjave të banorëve të kësaj lagjeje, një herë në dy javë pusi shpërthente ujë dhe nxirrte papastëritë në rrugë, dhe të nesërmen në mëngjes rruga ishte e mbushur me ujë. Pusi lahej për ditë të premte, ç’ka edhe  sistemi  komunist e prishi atë.

Folklori muzikor

Folklori muzikor i trevave të qytetit të Elbasanit gërshetohet me të gjitha llojet e muzikës folklorike, nga kënga homofonike, polifonike e deri tek vallja e kënduar apo muzika instrumemtale.

Qyteti  Elbasanit qëndron si oazë i rrethuar nga e gjithë kjo larmi folklorike muzikore. Këngët e qytetit shquhen për moshën, tematikën, melodinë, muzikalitetin. Rol parësor luan melodia e korifejve të këngës popullore, si Isuf Myzyri, Mustafa Bodini, Leks Vini. Këngët janë kënduar nga burrat dhe gratë. Gratë këndojnë butë dhe shoqërohen vetëm nga dajreja, ndërsa burrat këndojnë ashtu si gratë, por edhe me zë të lartë gjoksi. Në rastin e parë kënga është kënduar në rrethin e bektashinjve, dhe ka shumë këngë që janë krijuar dhe ekzekutuar në këto ambjente.

Ç’ka vlen për t’u theksuar është se këngët e Elbasnait janë kënduar edhe jashtë zonës e trevave të origjinës, gjë që dëshmon për vlerat e tyre morale, qytetare e artistike. Ceremonitë e ritet e dasmës, Ditës së Verës, janë krejt të veçanta dhe bëjnë pjesë në fondin e kulturës muzikore qytetare të Elbasanit. Me interes janë edhe vallet, ku karakteristikë e qytetit në kërcimin e valleve popullore është se shumë prej tyre kërcehen çift, burrë e grua.

 Folklori muzikor i trevave të qytetit përbën pasuri me vlera kombëtare të trashëguara në shekuj, së cilës shumë folkloristë, kompozitorë, etnografë, muzikologë e këngëtarë iu përkushtuan dhe duke i qëmtuar këto visare i sollën shërbim të madh popullit e qytetit të Elbasanit.