Skip to contentSkip to left sidebar Skip to footer

Sektori i Mbrojtjes së Fëmijëve dhe Barazisë Gjinore

SEKTORI I MBROJTJES SË FËMIJEVE DHE BARAZISË GJINORE

Sektori i Mbrojtjes së Fëmijëve dhe Barazisë Gjinore është pjesë e Drejtorisë së Shërbimeve të Kujdesit Social dhe Komunitar. Ky sektor ka për detyrë, në mënyrë të posaçme, parandalimin, identifikimin, vlerësimin, mbrojtjen dhe ndjekjen e rasteve të fëmijës në rrezik dhe/ose në nevojë për mbrojtje dhe viktimave të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore.

Fëmijë në nevojë për mbrojtje është ai fëmijë i cili është në rrezik dhe i dyshuar për trafikim, fëmijë i shfrytëzuar dhe i detyruar të punojë, fëmijë i abuzuar dhe i dhunuar, fëmijë i braktisur dhe i neglizhuar.

Viktimë e dhunës në familje është personi që vuan nga një akt i dhunës në familje që sjell si pasojë cënim të integritetit fizik, moral, psikologjik, seksual, social, ekonomik të tij dhe që ndodh brenda familjes ose njësisë shtëpiake).

Sektori i Mbrojtjes së Fëmijëve dhe Barazisë Gjinore

Njësia për Mbrojtjen e Fëmijëve (NJMF) përmes Punonjësve për Mbrojtjen e Fëmijëve ka për detyrë në mënyrë të posaçme parandalimin, identifikimin, vlerësimin, mbrojtjen dhe ndjekjen e rasteve të fëmijës në rrezik dhe/ose në nevojë për mbrojtje brenda territorit të Bashkisë Elbasan.

Metodologjia e zbatuar për të mbështetur fëmijën në nevojë për mbrojtje dhe familjen është menaxhimi i rastit. Punonjësi për mbrojtjen e fëmijës thërret rregullisht Grupin Teknik Ndërsektorial (GTN) për të adresuar dhe koordinuar ndërhyrjen për rastet e fëmijëve në nevojë për mbrojtje të referuar pranë kësaj njësie.

Pjesë përbërëse e GTN-së janë përfaqësues të strukturave përgjegjesë për mbrojtjen e fëmijëve si: policia, strukturat e shërbimeve sociale, arsimore, shëndetësore, të drejtësisë, të organizatave të shoqërisë civile, si dhe çdo specialist/e tjetër që ka njohuri për situatën e fëmijës, me qëllim përmirësimin e situatës së fëmijëve dhe të familjeve të tyre duke kontribuar për marrjen apo zbatimin e masave për mbrojtjen e fëmijës bazuar kjo në Ligjin 18/2017 “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës” dhe VKM Nr. 578 dt. 03.10.2018 “Për procedurat e referimit e të menxhimit të rastit, hatimit dhe përmbajtjen e planit individual të mbrojtjes, financimin e shpenzimeve për zbatimin e tij si dhe zbatimin e masave të mbrojtjes.”

Punonjësi për mbrojtjen e fëmijës siguron dokumentimin e të dhënave të sakta e faktike dhe dosje personale për të gjithë fëmijët e identifikuar dhe referuar pranë NJMF, (sipas formatit të Protokollit të Punës) dhe bazës së të dhënave elektronike dhe raporton rregullisht pranë Agjencisë Kombëtare për të Drejtat e Fëmijëve.

Koordinatori/ja Vendor/e është përgjegjës/e për referimin dhe menaxhimin e rasteve të dhunës në marrëdhëniet familjare dhe dhunës ndaj grave në Bashkinë Elbasan.

Nëpërmjet menaxhimit të rastit të dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave u sigurohet ndihmë e mbështetje personave të dhunuar në marrëdhëniet familjare, me qëllim mbrojtjen, garantimin e të drejtave dhe rehabilitimin e tyre. Koordinatori/ja Vendor/e mbledh Ekipin Teknik Ndërsektorial (ETN) për qëllim menaxhimin e rasteve të dhunës dhe bashkërendimin e veprimtarisë së institucioneve të autoriteteve përgjegjëse në nivel lokal.

ETN-ja përbëhet nga përfaqësues teknikë të institucioneve që janë përfaqësues nga Policia, Gjykata e Rrethit Gjygjesor Elbasan, Njësia për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe Nëpunësja vendore e barazisë gjinore si dhe nga profesionistë të lirë nga fushat sociale, të psikologjisë, avokatisë, të shërbimit shëndetësor, të mjekësisë ligjore, përmbarimit dhe shërbimit të Ndihmës Juridike Falas me qëllim për të caktuar masat e nevojshme që duhet të ndërmerren për të siguruar mbrojtje të përshtatshme, rehabilitim dhe riintegrim për viktimën e dhunës bazuar kjo në VKM 327 Nr. 02.06.2021 “Për mekanizmin e bashkërendimit të punës ndërmjet autoriteteve përgjegjëse, për referimin e rasteve të dhunës në mardhëniet familjare, si dhe procedimin e tij, për mbështetjen dhe rehabilitimin e viktimave të dhunës.”

Nëpunësi/ja gjinor/e ka për detyrë të mbështesë integrimin e çështjeve të barazisë gjinore në hartimin e politikave, programeve, dokumenteve dhe kuadrit ligjor të cilat hartohen nga Bashkia Elbasan dhe bashkëpunon me strukturat përkatëse në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për çështjet e barazisë gjinore.

Nëpunësja e Barazisë Gjinore ka prioritet pikërisht trajtimin e çështjeve të barazisë gjinore, në përputhje me legjislacionin dhe politikat në fuqi. Bashkëpunon me strukturat përkatëse në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për çështjet e barazisë gjinore dhe mbështet Bashkinë Elbasan për:

  • mbledhjen, përpunimin dhe raportimin e statistikave vendore të ndara sipas gjinisë duke respektuar formatet e miratuara;
  • përgatitjen dhe dhënien e informacioneve dhe raporteve periodike lidhur me politikat, strategjitë, dokumente të tjera politikash, ligjet dhe aktet e tjera nënligjore, sipas planifikimit vjetor të punës së bashkisë;
  • përgatitjen dhe dhënien e informacionit periodik për aktivitetet e kryera nga Bashkia në kuadrin e promovimit të barazisë gjinore dhe statusit të gruas shqiptare si dhe luftën kundër dhunës në familje;
  • të dhëna statistikore për nivelin e dhunës në familje në bashkinë Elbasan, të dhëna të mbledhura nga institucionet në nivel vendor;

Sektori i Mbrojtjes së Fëmijëve dhe Barazisë Gjinore ofron shërbime sociale të dedikuara për fëmijët në nevojë për mbrojtje dhe viktimat e dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje duke bashkëpunuar me aktorët lokalë si më poshtë:

  • menaxhimi i rasteve të fëmijëve në nevojë për mbrojtje;
  • menaxhimi i rasteve të viktimave të dhunës në familje/ me bazë gjinore;
  • shërbime sociale dhe psikologjike; 
  • edukim, riintegrim dhe mbështetje psiko-sociale në shkollë; 
  • ndërmjetësim, lehtësim dhe përkujdes shëndetësor për fëmijën;  
  • këshillime, informacione dhe referime mbi punësimin, formime profesionale, tregun e punës;  
  • referim dhe mbështetje ligjore për fëmijët dhe viktimat e dhunës, të cilëve ju janë shkelur të drejtat e tyre; 
  • strehim emergjent, për fëmijët dhe viktimat e dhunës;
  • transport në një vend të sigurtë;
  • mbështetje ekonomike si rast në nevojë;
  • mbështetje ekonomike si subjekt i pajisur me UM;
  • paketa ushqimore, bonus qeraje (sipas specifikave të rastit);
  • mbulimi i kostos së ilaҫeve për fëmijët;
  • referim për ndjekjen e një kursi profesional;
  • punësimi i rastit duke koordinuar me Zyrën Rajonale të Punësimit Elbasan;
  • regjistrimi i fëmijëve në shkollë, kopësht dhe çerdhe;
  • informim dhe këshillim për dhunuesit;
  • monitorimi i zbatimit të Urdhrave të Mbrojtjes bazuar në detyrimet ligjore që burojnë nga Ligji nr. 9669, datë 18.12.2006, “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, i ndryshuar.

Organizimi i aktiviteteve ndërgjegjësuese për adresimin e ҫështjeve që kanë të bëjnë me mbrojtjen e fëmijëve dhe dhunën me bazë gjinore.

Dhuna në familje

Bashkia Elbasan në kuadër te zbatimit të Ligjit Nr. 8652, dt. 31.07.2000 për “Organizimin dhe Funksionimin e Qeverisjes Vendore” i ndryshuar, Ligji Nr. 9970 dt. 24.07.2008 “Për Barazinë Gjinore në Shoqëri”, Ligj Nr. 9669, dt. 18.12.2006, “Për masat kundër dhunës në marrëdhëniet familjare” (ndryshuar me Ligjin nr. 9914, dt. 12.05.2008, Nr. 10, 329, dt. 30.9.2010, 47/2018, dt. 23.7.2018, 125/2020 dt. 15.10.2020), VKM nr. 327, dt. 02.06.2021 “Për mekanizmin e bashkërendimit të punës ndërmjet autoriteteve përgjegjëse, për referimin e rasteve të dhunës në marrëdhëniet familjare si dhe procedimin e tij, për mbështetjen e rehabilitimin e viktimave të dhunës në familje” ka ngritur Mekanizmin e Koordinuar të Referimit të Rasteve të Dhunës në Marrëdhëniet Familjare, i cili përbëhet nga institucionet përgjëgjëse në nivel vendor dhe ka detyrimin për parandalimin, mbrojtjen, mbështetjen dhe rehabilitimin e viktimave të dhunës në familje. Ky mekanizëm është i përbërë nga tre struktura që janë përkatësisht:

  • Komiteti Drejtues (KD);
  • Ekipi Teknik Ndërdisiplinar (ETN);
  • Koordinatorja Vendore (KV).

Komiteti Drejtues kryesohet nga Kryetari i Bashkisë Elbasan.

Anëtarët e Komitetit Drejtues janë:

  • Prefekti i Prefekturës Elbasan;
  • Drejtori i Policisë Vendore Elbasan;
  • Kryetari i Gjykatës së Rrethit Gjygjësor Elbasan;
  • Krye/Prokurori i Prokurorisë Elbasan;
  • Drejtori i Zyrës së Punës Elbasan;
  • Drejtori i Zyrës Vendore të Arsimit Elbasan;
  • Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Shërbimit Social Shtetëror Elbasan;
  • Drejtori i Zyrës së Përmbarimit Elbasan;
  • Drejtori i Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Elbasan;
  • Drejtori i Organizatës “Tjetër Vizion”;
  • Drejtori i Shërbimit të Provës Elbasan;
  • Drejtori i Drejtorisë Rajonale e Formimit Profesional Publik Elbasan;
  • Drejtori i Organizatës “Forumi i Gruas Elbasan”;
  • Drejtori i Organizatës “World Vision”;
  • Drejtori i Organizatës “Ndihmë për Ballkanin”;
  • Drejtor i “Qendrës së Gruas për Zhvillim dhe Kulturë”, Elbasan.

Në takimet e KD diskutohet:

  • Zbatueshmëria e Ligjit Nr. 9669 dt. 18.12.2006 “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare” i ndryshuar me Ligjin Nr. 10329, datë 30.09.2010, ndryshuar me Ligjin Nr. 47/2018, 125/2020 dt. 15.10.2020.
  • raportohet për rastet e dhunës në familje të menaxhuara nga ETN-ja;
  • shtimi i shërbimeve të nevojshme në mbështetje të rasteve të dhunës në familje;
  • nevoja për burime, trajnime, standarde e protokolle të caktuara.

Ekipi Teknik Ndërdisiplinar (ETN)

Përbëhet nga një ekip profesionistësh(esh), specialistë(e) të institucioneve të KD-së.

Qëllimi kryesor i të gjithë anëtarëve të Ekipit është mbledhja së bashku për të caktuar masat e nevojshme që duhet të ndërmerren, si dhe personat apo institucionet përgjegjëse për realizimin e tyre, për të siguruar mbrojtje të përshtatshme, rehabilitim dhe riintegrim për viktimën e DHF.

Koordinatori Vendor

  • Asiston viktimat në njohjen e të drejtave të tyre dhe në ndjekjen e procedurave të nevojshme për marrjen e një UM/UMM/UMPMM;
  • Mbledh ETN për menaxhimin e rasteve;
  • Koordinatorja Vendore në bashkëpunim me antarët e ETN harton planin individual të ndërhyrjes që përmban masat dhe shërbimet e nevojshme në mbrojtje të viktimës së dhunës;
  • Shërben si ndërmjetës për t’i lidhur viktimat me shërbimet e nevojshme dhe për të siguruar vazhdimësinë e kujdesit ndaj tyre;
  • Monitoron respektimin e UM nga palët nëpërmjet vizitave në familje dhe çdo 60 ditë raporton në Polici;
  • Siguron që dosjet dhe dokumentacioni rreth viktimave të DHF të jetë i përditësuar; siguron ruajtjen e kopjeve të UM/ UMM/ UMPMM;
  • Përditëson të dhënat për të gjitha rastet e DHF, të trajtuara nga ETN në sistemin www.revalb.org i cili është regjistri elektronik për mbajtjen e të dhënave për rastet e DHF, të menaxhuara në mënyrë shumë disiplinare.

Sistemi i punonjësve në gadishmëri

“Sistemi i punonjësve në gadishmëri”, i ngritur me urdhër të kryetarit të bashkisë, më qëllim rritjen e efektivitetit të punës për menxhimin e rasteve të fëmijëve në rrisk dhe viktimave të dhunës me bazë gjinore.

Kjo praktikë ka mundësuar ofrimin e shërbimeve për rastet emergjente (24 orë në çdo ditë të javës). Sistemi i punonjësve në gadishmëri përbëhet nga specialistët e Drejtorisë së Shërbimeve të Kujdesit Social në Bashkinë Elbasan, të cilët(at) janë në gadishmëri në përgjigje të çdo rasti të fëmijëve në nevojë për mbrojtje dhe viktimat e dhunës në familje, në bazë të një grafiku të mirëpërcaktuar, me numrat e telefonit të punonjësve përgjegjës. Grafiku është vënë në dispozicion të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Elbasan, Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan dhe Agjensisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve.

Qendrat Komunitare Multifunksionale.

Bashkia Elbasan, me vizionin “Shërbime sociale të qëndrueshme dhe të standartizuara pranë komunitetit, në mbështetje dhe fuqizim të familjes”, i ka kushtuar vëmendje të vecantë punës për ngritjen e shërbimit social në komunitet; një shërbim i domosdoshëm dhe shumë i rëndësishëm jo vetëm për shtrirjen gjeografike të territorit të Bashkisë së Elbasan pas reformës territoriale, por edhe me synimin e ofrimit të shërbimit social sa më pranë komunitetit. Në këtë aspekt kemi tashmë 5 Qendra Komunitare Multifunksionale me qëllim ofrimin e shërbimeve sociale pranë komunitetit, familjes dhe individit. Modeli për Shërbimet Komunitare përmes Qendrës Multifunksionale është:

  • Të përqendruara te familja por me në qendër fëmijën;
  • Puna shumëdisiplinore;
  • Përdorimi i një qasjeje multidisiplinare për menaxhimin e rastit

Në Qendrat Komunitare Multifunksionale ofrohen këto shërbime:

  • programe të aftësimit prindëror, programe të zhvillimit të fëmijëve;
  • mbështetje pas shkolle;
  • programi i aftësive jetësore;
  • shërbimi i pritjes dhe vlerësimit të nevojave;
  • sesione ndërgjegjësuese;
  • menaxhim rasti dhe ndihmë direkte;
  • këshillim karriere;
  • referim dhe ndërgjegjësim për punësim etj.

Lidhur me shërbimet në komunitet kjo ka të bëjë me punën në terren që kryhet nga stafi i qendrave multifunksionale si vizitat në familje, shkollat e zonës, identifikimi i rasteve në nevojë, fuqizimi ekonomik i familjeve, koordinimi me aktorët potecialë për trajtimin e rasteve në nevojë të identifikuara, vlerësimi i nevojave të komunitetit të zonës etj. Të gjitha shërbimet e lartpërmendura ofrohen për kategoritë vulnerable: fëmijë, të rinj, gra/vajza, burra/djem, etnitë, të moshuar, etj.

Gjithashtu, duke qenë se territori i Bashkisë Elbasan, pas reformës administrative ka një shtrirje më të gjerë e përfshin zona të thella malore, Bashkia e Elbasan ka krijuar shërbimin lëvizës, i cili përbëhet nga “Skuadra Lëvizëse” me specialistë të drejtorisë, të cilët ofrojnë shërbime parashoqërore në njësitë administrative dhe referojnë rastet sipas problematikave dhe nevojave që ata paraqesin.

Bashkia Elbasan në vazhdim të krijimit dhe zgjerimit të rrjetit për ofrimin e shërbimeve sociale në territor, synon mbulimin e territorit me shërbime sociale për komunitetin si në formën e shtimit të Qendrave Komunitare Multifunksionale edhe në Njësitë e tjera Administrative ashtu dhe përmes forcimit të shërbimeve lëvizëse.

Qendrat Komunitare Multifunksionale janë në funksion nga dita e Hënë në të Premte në orarin 08.00 – 16.00. Gjithashtu, Bashkia Elbasan ka të ngritura Skuadrat terrenit për fëmijët në situatë rruge janë operative nga e Hëna në të Shtunë dhe në raste emergjente ofrohet shërbim edhe në fundjave me kalendar të paracaktuar nga Drejtoria e Shërbimit të Kujdesit Social dhe Komunitar.