Skip to contentSkip to left sidebar Skip to footer

Sektori i Shtresave në Nevojë dhe Mosha e 3-të

  1. Aftësia e Kufizuar

Aftësia e kufizuar është pjesë e gjendjes njerëzore, ndaj si e tillë nuk duhet parë si pengesë, por si forcë. Ndërtimi i shoqërive gjithëpërfshiresë kërkon që ne t’i shohim personat me aftësi të kufizuar si pjesë e diversitetit njerëzor.

Bashkia Elbasan ka si parim mundësimin e një jetese me dinjitet, gjithëpërfshirëse të personave me aftësinë e kufizuar si qytetarë me pjesëmarrje të barabartë në të gjitha aspektet e jetës.

Në përputhje me Planin e Përfshirjes dhe Mbrojtjes Sociale, Sektori i Shtresave në Nevojë dhe Mosha e Tretë:

  • Identifikon dhe monitoron situatën e personave me aftësi të kufizuar.
  • Monitoron kërkesat që vijnë nga OJF-të për ndërtimin e një shoqërie pa barriera dhe punësimin e kësaj kategorie në rrezik social.
  • Identifikon personat me aftësi të kufizuar mendore dhe fizike dhe sipas rastit, pas verifikimit në familje, i referon tek mjeku i Zyrës Rajonale të Sh.S.Sh. Elbasan për  përfitimet ligjore nga KMCAP sipas statusit përkatës ose tek OJF-të kur personi ka nevojë për shërbime të përkujdesit social.
  • Ndjek proçedurat e vendosjes, shërbimeve dhe zbatimit të standarteve në Qendrën Sociale Balashe.
  • Përmes bashkëpunimit me shoqërinë civile dhe komunitetin nxit dhe promovon të drejtat e personave me aftësi të kufizuar.
  • Organizon  fushata ndërgjegjësuese në ditët ndërkombëtare të  PAK. 
  • Bashkëpunon me OJF-të që kanë në fokus PAK për aktivitete sociale.
  • Mundëson shërbimin e ofrimit të karriges me rrota të personalizuar për PAK.

Bashkia Elbasan ka një rrjet të pasur dhe të konsoliduar shërbimesh për aftësinë e kufizuar. Gjithashtu, është përmirësuar në mënyrë të ndjeshme bashkëpunimi midis aktorëve institucionalë (të pushtetit lokal dhe atij qëndror) dhe shoqërisë civile, ku është punuar ndjeshëm në përmirësimin / shtimin e llojeve të shërbimeve të larmishme, por edhe në ngritjen e kapaciteteve dhe përfshirjes / fuqizimit të personave me aftësi të kufizuar dhe atyre që përkujdesen për ta.

Pavarësisht se shumica e këtyre shërbimeve janë të pozicionuar gjeografikisht  brenda qytetit, ҫ’ka sjell domosdoshmërisht rezultatin që shumica e përfituesve të këtyre shërbimeve të jenë persona me aftësi të kufizuar që jetojnë në qytet, po punohet që të ketë më shumë shërbime të integruara dhe në zonat rurale.

Për këtë arsye një pjesë e madhe e aktiviteteve ndërgjegjësuese / lobuese / fuqizuese me fokus aftësinë e kufizuar po zhvillohen dhe në zonat rurale, të Bashkisë Elbasan.

Në qytetin e Elbasanit ekzistojnë një sërë qendrash të cilat ofrojnë një shërbimesh për personat me aftësi të kufizuar të tilla si:

Qendra “Fluturo për Jetën” qendër publike me vendndodhje Lagjja “Brigada 17 Sulmuese” rruga, Petraq Popa.

Ofron shërbime për fëmijë të prekur nga ҫrregullimi i spektrit të autizmit të moshës 2-6 vjeç.

Shërbime të ofruara:

  • Terapi individuale ABA;
  • Këshillimi i prindërve;
  • Aktivitete të shoqërizimit të fëmijeve në grupe;
  • Aktivitete ndërgjegjësuese për komunitetin mbi problematika specifike të fëmijëve me spektrin e autizmit;

Shkolla Speciale “Zëra Jete”, me vendndodhje Lagjja Kala, në oborrin e Kishës Ortodokse.

Shkollë speciale për fëmijë me aftësi të kufizuar mendore dhe fizike të moshës 6-19 vjeç.

Shërbime të ofruara:

  • Plan Edukativ Individual (PEI);
  • Transport falas;
  • Shërbim mense

Ofrues shërbimesh jopublike për personat me aftësi të kufizuara janë:

Qendra “Future For You” me vendndodhje lagjja “28 Nëntori” pranë Pallatit Sportit.

Qendër terapeutike kryesisht për fëmijë me sindromën down por edhe për fëmijë me nevoja të tjera të veҫanta të moshës 2-18 vjeç.

Shërbime të ofruara:

  • Terapi zhvillimi;
  • Logopedi;
  • Terapi edukimi;
  • Këshillim për prindër dhe familjarë
  • Aktivitete ndërgjegjësuese

“Qendra Shqiptare për Integrimin e Njerëzve me Nevoja të Veçanta” me vendndodhje lagjja “Visarjon Xhuvani” rruga Rinia nr 6.

Qendër terapeutike për fëmije me aftësi të kufizuar kryesisht për fëmije me ҫrregullime të spektrit të autizmit të moshës 3-16 vjeç.

Shërbime të ofruara:

  • Vlerësim fizik, fiziologjik, mjekësor, psikologjik e social;
  • Terapi individuale në grup dhe familjare;
  • Këshillim dhe mbështetje psikologjike, ligjore;
  • Terapi zhvillimi, psikomotoricitetit, logopedi.

Shoqata për Shërbime Psiko-Sociale “Të Dëgjoj 366”, është organizatë e cila ka në fokus ofrimin e shërbimeve në fushën psikologjike dhe atë sociale.

Adresa e organizatës:

E-mail: judegjoj366@gmail.com

Cel +355 677109808

Lagja “Emin Matraxhiu”, Rr. “Besim Qorri”, Pallati përballë portës D të stadiumit Elbasan Arena, Elbasan, Albania.

Shërbimet e ofruara:

  • Terapi ABA dhe Zhvillimi;
  • Terapi Arti dhe Loje;
  • Këshillim për adoleshentë dhe të rritur;
  • Terapi për adoleshentë dhe të rritur;
  • Asistencë Psikologjike në çështjet ligjore;
  • Supervizim;
  • Orientim Profesional;
  • Konsultim për detyra kursi;
  • Trajnime.

Grupmoshat e targetuara:

“Të Dëgjoj 366” ofron shërbim për të gjitha grupmoshat, falë stafit multidisiplinar të atashuar pranë saj. Për informacione më të gjera ju mund të drejtoheni në faqen e saj të webit:  https://tedegjoj366.al/

Shoqata e të Verbërve me vendndodhje lagjja 5 Maji, pallati nr 500 kati 1

Shërbime të ofruara:

  • Informim me kaseta audio;
  • Kurse të gjuhës angleze;
  • Kurse kompjuteri;
  • Trajnime, seminare.

Shoqata e Para-Tetraplegjikeve me vendndodhje lagjja Kongresi i Elbasanit.

Shërbime te ofruara:

  • Ndihmë ligjore;
  • Lobim advokim ne mbështetje të realizimit të të drejtave të personave para-tetraplegjike.

Studio psikoterapie “Serentis” Terapi është studio jo-publike për shërbime psikologjike.

Drejtor ekzkutiv-Irma Gjozi, psikologe klinike e liҫensuar.

Me vendndodhje: Lagj, “Visarian Xhuvani”, rruga 10 Korriku, 100 metra pranë universitetit “A. Xhuvani”, Elbasan. Kjo studio ofron:

  • Shërbime për fëmijë me probleme mendore nga mosha 3-13 vjeҫ;
  • Shërbime për të rritur me probleme mendore;
  • Terapi ABA;
  • Trajnime për prindërit;
  • Praktika për studentë;
  • Supervizime për studentë e profesionistë;
  • Aktivitete psiko-sociale;
  • Terapi këshillimi për të rritur në situata stresante, ҫrregullime ankthi.

Pakicat Rome e Egjiptiane

Ne qytetin e Elbasanit jetojnë afërsisht 2,622 Romë dhe 8,318 Egjiptian. Shumica e romëve i përkasin fisit Kallbuxhi dhe banojnë në lagjen “5 Maj”, në bashkëjetesë me pjesën tjetër të komunitetit.

Komuniteti Rom bashkëjeton në harmoni të plotë me pjesën tjetër të shoqërisë nga ku dallohet qëndrimi i tyre prej shumë vitesh në të njëjtën zonë banimi lagjen “5 Maj”. Bashkia Elbasan për të ofruar shërbime sa më cilësore për këtë komunitet ka ngritur struktura të efektshme të cilat bashkëpunojnë me të gjithë aktorët lokal për identifikimin, vlerësimin dhe monitorimin e shërbimeve të ofruara.

Angazhimi i bashkisë në lidhje me pakicat rome e egjiptiane ka qenë maksimal dhe në kuadër të realizimit të objektiva të përcaktuara në Planin Vendor për Integrimin e Romëve dhe Egjiptianëve, 2019-2022.

Deri më tani janë realizuar këto aktivitete sipas gjashtë fushave prioritare: regjistrimi civil, arsimi dhe dialogu ndërkulturor, punësimi dhe zhvillimi i aftësive, kujdesi shëndetësor, strehimi dhe integrimi urban, si dhe mbrojtja sociale.

1. Regjistrimi Civil. Bashkia Elbasan ndjek procedurat duke bashkëpunuar me organizatat rome e egjiptiane lokale dhe kombëtare për regjistrimin në gjendjen civile të të miturve. Mbështetja ligjor falas kemi pasur edhe nga organizata TLAS e cila ndjek të gjitha procedurat gjyqësore për shkak të mungesës së dokumentacioneve përkatëse.

2. Arsimi dhe dialogu ndërkulturor. Bashkia Elbasan ka ndjekur hap pas hapi procesin e identifikimit dhe referimit të rasteve të fëmijëve të këtij minoriteti në ҫerdhe, kopshte dhe shkolla. Në koordinim me aktorët lokal dhe ZVA Elbasan hartohet lista e fëmijëve që nisin klasën e parë, lista e fëmijëve të cilët për arsye të ndryshme që kanë braktisur shkollën ose fëmijë që janë transferuar nga Shqiperia drejt shteteve të tjera. Rastet e fëmijëve që kanë braktisur shkollën janë në monitorim të vazhdueshëm nga Drejtoria e Shërbimit të Kujdesit Social dhe Komunitar.

3. Punësimi dhe arsimi profesional. Identifikim i rasteve nga Bashki, ndërgjegjësimi dhe referimi i tyre pranë Zyrave të Punës për të kuptuar përfitimet që rrjedhin nga regjistrimi si punëkërkues i papunë në programet e nxitjes së punësimit apo për orientim drejt kurseve të formimit profesional.

4. Kujdesi shëndetësor. Bashkia Elbasan realizon aktivitete informuese në lidhje për rëndësinë dhe domosdoshmërinë e vaksinimit të fëmijëve, kujdesit ndaj higjenës, planifikimit familjar, kancerit të gjirit etj.

5. Strehimi dhe integrimi urban. Informim dhe referim mbi aplikimin për përfitim të bonusit të qerasë apo programe te ndryshme që ka Zyra e Strehimit.

6. Mbrojtja Sociale. Vlerësimi i nevojave për shërbime sociale dhe i kapaciteteve të institucioneve vendore për të adresuar parime thelbësore duke ju referuar nevojave dhe specifikave lokale të Bashkisë Elbasan, si pjesë e hartimit të Planit Vendor për Mbrojtjen Sociale, 2017-2022.

Menaxhimi i rasteve sipas specifikave (familje në nevojë, dhunë në familje dhe persona me aftësi të kufizuar) nëpërmjet tryezave ndërsektoriale duke i trajtuar me plane individuale.

Vazhdimi i funsionimit të gjashtë skuadrave të terrenit të cilat kanë në përbërjen e tyre punonjës të Drejtorisë të Kujdesit Social dhe Komunitar si dhe përfaqësues të aktorëve lokal që kanë në fokus fëmijët. Këto skuadra identifikojnë dhe monitorojnë rastet e fëmijëve që shfrytëzohen për punë të ndryshme (lypje, shitje ambulatore, mbledhjen e mbeturinave të riciklueshme etj.)

Për fëmijët që vijnë nga familje me probleme social-ekonomike është bërë koordinim e referim midis strukturave për të përfituar shërbime nga qendra multifunksionale publike dhe jopublike që operojnë në qytetin e Elbasanit. Shërbime që konsistojnë në kryerjen e mësimeve pas shkolle, informim mbi situatën aktuale, aktivitete psiko-sociale.

Bashkia Elbasan ka ngritur prej vitesh një qendër komunitare rome e cila ofron edukim, arsimim, dhe aktivitete argëtuese për komunitetin Rom dhe jo vetëm.

Q.K.R. Qendra Komunitare Rome Elbasan

Kjo qendër është ngritur në vitin 2005 nga fondacioni “Soros”,

Në këtë qendër ofrohet mbështetje edukative dhe arsimore për fëmijët dhe të rinjtë për njohjen e gjuhës Shqipe si dhe zhvillon elemente të traditës të komunitetit nëpërmjet kurseve dhe aktiviteteve komunitare. 

Qendra e re Komunitare Rome është një projekt i financuar nga PNUD në bashkëpunim me Bashkinë Elbasan.

Kjo qendër ndodhet ne lagjen ”5 Maj” Rrapishtë dhe është zgjedhur pikërisht ky vend në mënyrë që të jetë sa më afër komunitetit Rom, pasi në këtë lagje është e përqëndruar një pjesë e madhe e këtij minoriteti.

Objektivat kryesore të kësaj qendre janë:

  • Te integrojë komunitetin rom në rrjedhat e shoqërisë përmes: dijes, edukimit dhe argëtimit të fëmijëve dhe të rinjve Rom që frekuentojnë këtë qendër;
  • Të ruajë dhe të promovojë traditat rome;
  • Të ndërgjegjësojë anëtarët e komunitetit Rom për domosdoshmërinë e gjithëpërfshirjes së tyre në shoqëri.
  • Të rrisë bashkëpunimin me OJF të ndryshme për të siguruar ndihmën e tyre në realizimin cilësor të shërbimeve për komunitetin.

Sherbimet që ofron qendra janë

  • Veprimtari mësimore dhe edukative në gjuhën shqipe dhe rome;
  • Veprimtari kulturore dhe artistike;
  • Veprimtari sportive;
  • Veprimtari për edukimin qytetar dhe shëndetësor;
  • Veprimtari ndërgjegjësuese për probleme të mprehta shoqërore që preokupojnë komunitetin Rom;

Qendra komunitare rome frekuentohet aktualisht nga

  • 45 fëmijë që bëjne ҫdo ditë detyrat dhe ndjekin kurset e ndryshme në qendër, të cilët shkojnë ҫdo ditë dhe në shkollë;
  • 40 fëmijë që marrin pjesë në aktivitete ndërgjegjësuese, ndjekin kurset e qendres.
  • 40 të rinj, vajza djem mbi moshën 14 vjeҫ të cilët marrin pjesë në aktivitete kulturore artistike, tema ndërgjegjësuese.
  • Rreth 50 fëmijë nga 3- 6 vjeҫ në kopshtin rom.

Në bashkëpunim me OJF-të e tjera lokale në qendër bëhen edhe seanca informative për ҫështjet me rëndësi për komunitetin Rom në veҫanti si arsimi, shëndetësia strehimi etj.

“Qendra Sociale Balashe” Elbasan (QSB)

Qendra Sociale Balashe (QSB)

Adresa: Qendra Sociale Balashe

Lagjia: Shen Koll

Rruga: Gjergj Dimitrov

Elbasan

Historiku

Qendra sociale ditore për të moshuar dhe persona me aftësi të kufizuar (PAK).

Është një ent publik me karakter socio-sanitar e ideuar dhe administruar nga  Bashkia Elbasan në bashkëpunim me OJF italiane Cips, Movimondo, Proggeto Svilupo, mbështetur edhe Qeveria Shqiptare.

Çfarë ofron dhe roli që ka

Qendra ofron shërbime sociale për të moshuar dhe persona me aftësi të kufizuara.

Është një ambient i rehatshëm dhe mikpritës ku bëhen takime mes brezave dhe ka si qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës së qytetarëve të Elbasanit, ku i kushtohet vëmendje të veçantë kategorive të cilat janë në vështirësi nga ana sociale.

Objektivat afatshkurtër

  • Ardhja në ndihmë këtyre dy kategorive që kanë nevojë përmes shërbimeve që ofron qendra.
  • Lidhja me komunitetin (përmes aktiviteteve kulturore).
  • Riaftësim fizik (fizioterapi).
  • Ndihmë ekonomike (mensa).

Objektivat afatgjatë

  • Përmirësimi i kushteve të jetesës së qytetareve të Elbasanit;
  • Zgjerimi i shërbimeve;
  • Vetëfinancimi.

Kjo qendër ofron sherbime deri ne 100 persona të moshuar në nevoje dhe 30 të rinj e 10 fëmijë me aftësi të kufizuar

Qëllimi

  • Terapia e punësimit për personat me aftësi të kufizuar;
  • Qendra Balashe është një qendër rehabilitimi dhe rezidencial e cila ofron shërbime sociale për të moshuar dhe të rinj me aftësi të kufizuara;
  • Është një ambient i rehatshëm dhe mikpritës ku bëhen takime mes brezave dhe ka si qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës së qytetarëve të Elbasanit, ku i kushtohet vëmendje e veçantë kategorive të cilat janë në vështirësi nga ana sociale;
  • Mosha e pranimit të personave me aftësi të kufizuar është 5-18 vjeҫ, 18-55 vjeҫ.

Shërbimet që ofron qendra dhe numri i përfituesve

  • Terapi Punësimi për AK (numri maksimal 30 përfitues).

Kriteret e pranimit mbështetur në VKM Nr. 425, datë 27/06/2012:

  • Në institucionet e përkujdesit shoqëror pranohen persona me aftësi të kufizuara mendore, fizike dhe sensore;
  • Aftësia e kufizuar sipas shkronjave ‘a’, ‘b’ dhe ‘c’ percaktohet me vendimin e Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP);
  • Mosha për t’u pranuar në institucionet komunitare për persona me aftësi të kufizuar është nga 5–55 vjeҫ;

Në dokumentacionin që duhet plotësuar për pranimin e personave me aftësi të kufizuara në institucionet e përkujdesit shoqëror përfshihen:

  • Ҫertifikata e lindjes së personit ose fotokopje karte identiteti;
  • Ҫertifikata e gjendjes civile;
  • Vendimi i komisionit mjekësor për përcaktimin e aftësisë së kufizuar;
  • Epikriza shëndetësore;
  • Fotografi (2 copë);

Shërbimi komunitar për moshën e tretë-shërbim në familje dhe në qendër (120 persona)

Kriteret e pranimit mbështetur në VKM Nr. 425, datë 27/06/2012:

  • Të vijnë pa të ardhura ose me të ardhura të pamjaftueshme;
  • Të vijnë nga familje në nevojë, të vlerësuara nga administratori shoqëror;
  • Të jenë të vetmuar dhe pa të ardhura;
  • Të kenë mbushur moshën për pension sipas legjislacionit në fuqi.

Në dokumentacionin e nevojshëm për pranimin e personave të moshuar në institucionin e përkujdesjes shoqërore përfshihen:

  • Kërkesa me shkrim nga personi, familja, nga të afërmit e tij, nga administratori shoqëror i njësisë ku banon me miratimin e personit;
  • Fotokopje e kartës së identitetit;
  • Ҫertifikatë familjare;
  • Fotografi (2 copë);
  • Vërtetim nga sigurimet shoqërore, nëse përfiton ose jo pension pleqërie apo ndonjë lloj tjetër pensioni;
  • Vërtetim i lëshuar nga administratori i njësisë së ndihmës dhe përkujdesjes shoqërore për gjendjen ekonomike të familjes së personit të moshuar.

Shërbim rezidencial (Azil për të moshuarit 16 persona)

Kriteret e pranimit mbështetur në VKM Nr. 425, dt. 27.06.2012:

  • Kërkesa me shkrim nga vetë personi ose familja, nga të afërmit e tij apo administratori shoqëror i njësisë ku banon, me miratimin e personit të moshuar;
  • Çertifikata e gjendjes civile ose fotokopje kartës së identitetit;
  • Çertifikata e gjendjes familjare;
  • Fotografi të personit (2 copë);
  • Raporti mjekësor që përcakton gjendjen shëndetësore të personit;
  • Vërtetim nga sigurimet shoqërore, nëse përfiton pension pleqërie apo ndonjë lloj pensioni tjetër;
  • Vërtetimin e lëshuar nga administratori i njësisë së ndihmës dhe përkujdesit shoqëror (Zyra Rajonale ShSSh ose Sektori Social pranë bashkisë ose komunës) për gjendjen ekonomike të familjes së personit të moshuar.