18 shkolla në garë, “Kupa e Luleve” kurorëzon kampionët e basketbollit të shkollave 9-vjeçare

Kampionati i basketbollit për shkollat 9-vjeçare të qytetit të Elbasanit, “Kupa e Luleve”, ka përfunduar pas disa javësh garë plot energji, rivalitet sportiv dhe emocione të bukura për nxënësit pjesëmarrës.
Finalja e këtij kampionati u zhvillua në Pallatin e Sportit “Tomorr Sinani”, ku skuadrat më të mira të turneut u përballën për titullin kampion, duke dhuruar një atmosferë entuziaste dhe ndeshje me ritëm të lartë.
Në finalen e vajzave u përballën ekipet e shkollës “Bardhyl Popa” dhe Green School. Pas një ndeshjeje me plot aksione të bukura, skuadra e “Bardhyl Popa” arriti të shpallet kampione e këtij edicioni.
Ndërkohë, në finalen e djemve u përballën ekipet e shkollave “Jorgji Dilo” dhe “Imelda Lambertini”. Në një përballje me rivalitet të fortë dhe lojë dinamike, titullin kampion e fitoi skuadra e “Jorgji Dilo”.
Kampionati i basketbollit “Kupa e Luleve”, i cili nisi më 2 shkurt, u organizua nga Qendra Kulturore e Fëmijëve Elbasan në bashkëpunim me Zyrën Vendore të Arsimit, duke bërë bashkë 18 shkolla 9-vjeçare të qytetit në një garë sportive.