Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Lajme

Bashkia Elbasan dhe GIZ, bashkëpunim për projekte të reja në zhvillimin e qytetit

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, ka pritur në zyrën e tij Drejtoreshën e GIZ për Shqipërinë, znj. Jule Petra Schultz, me të cilën diskutoi mbi bashkëpunimin e deritanishëm dhe projektet e përbashkëta që synojnë zhvillimin e qëndrueshëm të qytetit.

Gjatë takimit u prezantua puna e realizuar në kuadër të projekteve që Bashkia Elbasan zbaton në bashkëpunim me GIZ, në fusha të rëndësishme si mobiliteti i qëndrueshëm dhe transporti publik, eficienca e energjisë, mbrojtja e mjedisit dhe përshtatja ndaj ndryshimeve klimatike. Në këtë kuadër u veçuan projektet SUMP, SUTi, ALBAdapt dhe CliMobility.

Një pjesë e diskutimeve iu kushtua edhe mundësive për zgjerimin e mëtejshëm të partneritetit në fusha si transporti, turizmi, bujqësia dhe zhvillimi ekonomik vendor, me synimin për të sjellë mundësi të reja investimi dhe zhvillimi për Elbasanin.

Partneriteti me GIZ dhe bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë mbeten një mbështetje e rëndësishme për realizimin e projekteve konkrete, në funksion të një Elbasani më të gjelbër, modern dhe të qëndrueshëm.

Elbasani përkujton 82-vjetorin e Çlirimit, homazhe në nderim të dëshmorëve

Elbasani përkujtoi sot, 11 Nëntorin, 82-vjetorin e Çlirimit të qytetit, në një ceremoni përkujtimore të zhvilluar pranë Lapidarit kushtuar 23 partizanëve të Brigadës së XV Sulmuese, të cilët dhanë jetën për çlirimin e kryeqendrës së Shqipërisë së Mesme.

Në këtë ceremoni morën pjesë kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, deputetë, drejtuesi politik i Qarkut Elbasan, Arbjan Mazniku, veteranë të LANÇ-it, familjarë të dëshmorëve, përfaqësues të institucioneve dhe qytetarë, të cilët kryen homazhe dhe vendosën kurora me lule në nderim të të rënëve.

Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, vlerësoi sakrificën e dëshmorëve, duke theksuar se përgjegjësia e brezit të sotëm është ta nderojë këtë trashëgimi përmes punës për zhvillimin e qytetit dhe krijimin e më shumë mundësive për qytetarët.

“Brezi i vitit 1944 luftoi për çlirimin e Elbasanit. Brezi ynë ka detyrën ta çojë më tej këtë amanet historik, duke ndërtuar një Elbasan modern dhe konkurrues, me ekonomi të fortë, institucione të përgjegjshme, mundësi të barabarta për çdo qytetar dhe një të ardhme ku të rinjtë të kenë arsye të besojnë, të qëndrojnë dhe të ndërtojnë jetën e tyre në qytetin që duan”, u shpreh Llatja.

Ai theksoi se liria duhet të përkthehet në mundësi konkrete për të rinjtë, familjet dhe të moshuarit, përmes arsimit cilësor, zhvillimit ekonomik dhe rritjes së mirëqenies.

Në këtë ceremoni përshëndeti gjithashtu edhe drejtuesi politik i Qarkut Elbasan, Arbjan Mazniku, i cili vlerësoi kontributin dhe sakrificën e dëshmorëve që dhanë jetën për çlirimin e Elbasanit, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike dhe përcjelljes së vlerave të tyre te brezat e rinj.

“Historia nuk nderohet vetëm duke kujtuar ata që e shkruan, por edhe duke u treguar të denjë për sakrificën e tyre”, ishte mesazhi i kryetarit Llatja në këtë ditë përkujtimore, duke përcjellë mirënjohjen për dëshmorët, veteranët dhe familjarët e tyre.

Bashkia Elbasan dhe Ministria e Brendshme pranë familjeve të prekura nga shpërthimi

Që në momentet e para Bashkia Elbasan ka qenë pranë banorëve të prekur nga shpërthimi në lagjen “Qemal Stafa”.

Sot, kryetari i Bashkisë Elbasan z. Gledian Llatja së bashku me Ministrin e Punëve të Brendshme, Ervin Demo, takoi banorët për t’i garantuar mbështetjen dhe për te diskutuar së bashku zgjidhjet.

Gjatë takimit me banorët, u diskutua për situatën e krijuar, shqetësimet e familjeve dhe hapat që do të ndërmerren për t’u ardhur në ndihmë.

Këshilli Bashkiak sot miratoi me procedurë të përshpejtuar bonusin e qirasë për familjet që kanë mbetur pa banesa.

Ndërkohë, jemi në pritje të raportit përfundimtar të Institutit të Ndërtimit, i cili do të përcaktojë nëse godina kërkon ndërhyrje të pjesshme apo një trajtim të plotë strukturor. Në bazë të këtij vlerësimi teknik do të përcaktohen edhe alternativat për zgjidhjen afatgjatë të situatës.

Në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe të gjitha institucionet përgjegjëse, do ta ndjekim këtë proces në vazhdimësi, me qëllim garantimin e sigurisë dhe gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare.

Këshilli Bashkiak miraton bonusin e qirasë për 15 familjet e prekura nga shpërthimi në lagjen “Qemal Stafa”

Këshilli Bashkiak i Elbasanit miratoi sot bonusin e qirasë për 15 familjet e prekura nga dëmtimi i pallatit në lagjen “Qemal Stafa”.

Shuma prej 1 000 000 lekë të reja (10 milionë lekë të vjetra) është miratuar për dy muaj e mbetur të këtij viti kalendarik ndërsa pjesa tjetër e trajtimit do të parashikohet në buxhetin e vitit 2027.

​Pas testimit të tregut ka rezultuar se qiratë mesatare të apartamenteve në treg të lirë për efekt subvencionimit të qirasë sipas numrit te banoreve për çdo apartament janë:

​a. Qiraja për strukturën e apartamentit për 1+1, është 15,000-25,000 lekë/muaj

b. Qiraja për strukturën e apartamentit për 2+1, është 25,000-35,000 lekë/muaj.

Bashkia e Elbasanit dhe Qeveria Shqiptare janë pranë banorëve në këtë situatë deri në zgjidhjen përfundimtare të problemit.

Rivitalizohet lulishtja “Valmi”, një hapësirë që mbart historinë dhe kujtesën e Elbasanit

Lulishtja “Valmi”, një nga hapësirat e njohura në zemër të Elbasanit, do të marrë një pamje të re përmes projektit të rivitalizimit, një ndërhyrje që synon jo vetëm përmirësimin urban të zonës, por edhe rikthimin e saj në funksion të qytetarëve.

E vendosur në një zonë me rëndësi historike për qytetin, lulishtja mban emrin Valmi, një emërtim që lidhet me kujtesën e hershme historike të Elbasanit. Në burimet historike përmendet edhe emërtimi “Qyteti i Valmëve”, përpara rindërtimit të qytetit dhe kalasë në vitin 1466, kur qyteti mori emrin Elbasan. Kjo e bën emërtimin e kësaj hapësire një element të veçantë të trashëgimisë dhe identitetit vendor.

Projekti parashikon largimin e strukturave të vjetra prej betoni dhe krijimin e ishujve të gjelbëruar, duke e shndërruar lulishten në një mjedis më estetik, të hapur dhe mikpritës për të gjitha grupmoshat.

Ndërhyrja, me autoritet kontraktor Këshillin e Qarkut Elbasan, synon t’i japë një tjetër dimension kësaj hapësire, duke ndërthurur përmirësimin e mjedisit urban me respektimin e historisë dhe identitetit të qytetit.

Buxhetimi me pjesëmarrje në Rajonin nr. 1, investime të reja në shkollën “Abdyl Paralloi” dhe rrugën e Krastës

Buxhetimi me pjesëmarrje vijoi në Rajonin nr. 1 të Elbasanit, ku banorët diskutuan mbi nevojat e zonës dhe investimet që parashikohen të përfshihen në Buxhetin 2027. Gjatë takimit, vëmendje iu kushtua investimeve të realizuara ndër vite, përmirësimit të infrastrukturës arsimore dhe sociale, si dhe projekteve të reja që pritet të nisin në këtë rajon.

Ndër investimet e reja janë rikonstruksioni i shkollës 9-vjeçare “Abdyl Paralloi”, ku projekti ka përfunduar fazën e përgatitjes

dhe janë hapur procedurat e prokurimit, si dhe ndërhyrja rrugore në lagjen Emin Matraxhiu, veçanërisht në zonën e Krastës, ku kanë përfunduar procedurat ligjore dhe pritet të mbyllet procesi i shpronësimit për nisjen e punimeve.

Gjatë takimit, kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, vuri në dukje investimet e realizuara në Rajonin nr. 1, të cilat kanë ardhur edhe si rezultat i kërkesave të vetë banorëve përmes buxhetimit me pjesëmarrje. Ai u ndal veçanërisht te rikonstruksioni i palestrave dhe terreneve sportive pranë shkollës pedagogjike “Luigj Gurakuqi”, si dhe te investimet në arsim, shërbimet sociale dhe infrastrukturën rrugore.

Buxhetimi me pjesëmarrje vijon të jetë një proces ku qytetarët kanë mundësinë të shprehin shqetësimet e tyre, të propozojnë ndërhyrjet e nevojshme dhe të votojnë për investimet që do të përfshihen në Buxhetin 2027.

Palestra e shkollës “Luigj Gurakuqi”, ku u zhvillua takimi, ishte e mbushur me banorë, duke dëshmuar interesin e komunitetit për këtë proces dhe besimin te mundësia për të ndikuar drejtpërdrejt në përcaktimin e investimeve për zonën.

Elbasani mirëpret Kupën e Pavarësisë në volejboll, nga 27 deri më 29 nëntor në Pallatin e Sportit “Tomorr Sinani”

Elbasani do të jetë mikpritës i Kupës së Pavarësisë në volejboll, një aktivitet mbarëkombëtar që do të zhvillohet në datat 27, 28 dhe 29 nëntor, në Pallatin e Sportit “Tomorr Sinani”, me pjesëmarrjen e ekipeve nga Shqipëria, Kosova dhe Tetova e Maqedonisë së Veriut.

Në kuadër të përgatitjeve për organizimin e këtij aktiviteti, Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Kulturës dhe Sporteve, Artin Kovaçi, priti Presidentin e Federatës Shqiptare të Volejbollit dhe njëkohësisht Zv.Presidentin e KOKSH, Erlind Pëllumbi, si dhe Sekretarin e Federatës, Ervis Dosti.

Ky aktivitet pritet ta kthejë Elbasanin në një pikëtakim të rëndësishëm të volejbollit, duke promovuar sportin, bashkëpunimin dhe miqësinë mes sportistëve dhe ekipeve pjesëmarrëse.

Klubi Shumësportësh Elbasani vijon bashkëpunimin me Federatën Shqiptare të Volejbollit për zhvillimin e mëtejshëm të këtij sporti, mbështetjen e talenteve të reja dhe organizimin e aktiviteteve me rëndësi kombëtare e ndërkombëtare. Elbasani bëhet gati të mirëpresë një tjetër festë të bukur sportive.

Bashkia Elbasan përgatit dokumentacionin për bonusin e qirasë për 15 familjet e prekura nga shpërthimi në lagjen “Qemal Stafa”

Në bazë të ligjit 45 viti 2019 për Emergjencat Civile dhe VKM 384 datë 12.06.2019 Bashkia e Elbasanit është duke përgatitur të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për trajtimin me bonus qiraje të 15 familjeve të prekura nga shpërthimi në lagjen “Qemal Stafa”.

Menjëherë pas mbërritjes së aktit të ekspertimit të Institutit të Ndërtimit, Këshillit Bashkiak do t’i kërkohet të kalojë me procedurë të përshpejtuar trajtimin me bonus qiraje.

Aktualisht në mbikëqyrjen e forcave zjarrfikëse banorët janë duke marrë sendet e tyre personale nga apartamentet.

Shërbimi Social pranë Bashkisë Elbasan gjithashtu ka vënë në dispozicion punonjësit socialë dhe psikologët për të qëndruar pranë banorëve.

Bashkia Elbasan në gatishmëri të plotë pas shpërthimit në pallatin në lagjen “Qemal Stafa”, vijon asistenca për familjet e prekura.

Rreth orës 14:30 të datës 4 nëntor 2026, në një pallat në zonën e Unazës së qytetit të Elbasanit ndodhi një shpërthim i fuqishëm, i pasuar nga rënia e zjarrit, i cili shkaktoi dëmtime të konsiderueshme në godinë dhe krijoi një situatë emergjente.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, strukturat e Bashkisë Elbasan, Shërbimi Zjarrfikës, Emergjencat Civile dhe Policia e Shtetit u angazhuan në terren për menaxhimin e situatës, evakuimin e banorëve dhe garantimin e sigurisë. 

Zjarrfikësja e Elbasanit ndërhyri që në momentet e para me 5 mjete dhe 25 punonjës. Më shumë se 10 banorë, kryesisht të moshuar dhe fëmijë, u evakuuan nga katet e larta të godinës përmes autoshkallës së emergjencës. Për shkak të përmasave të ngjarjes, operacionit iu bashkuan edhe forcat zjarrfikëse nga bashki të tjera.

Gjatë operacionit u identifikuan dy viktima, të cilat humbën jetën si pasojë e shpërthimit. Ndërkohë, 10 persona të tjerë morën ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Elbasanit, kryesisht për shkak të asfiksisë, dhe më pas u rikthyen pranë familjeve të tyre.

Në orët e pasdites, operacionit iu bashkuan edhe Forcat e Armatosura, me dy ekipe kërkim-shpëtimi, të përbëra nga 17 persona, të cilët punuan për lokalizimin dhe nxjerrjen nga rrënojat e 69-vjeçarit. Për këtë qëllim u përdorën pajisje të specializuara, përfshirë kamera termike, kamera kërkimi, pajisje për prerjen e betonit dhe jastëkë ajri për ngritjen e peshave.

Pas ndërhyrjes së parë, inxhinierët kryen vlerësimin paraprak të godinës, duke evidentuar dëmtime strukturore dhe problematika që kërkonin masa të menjëhershme sigurie. Ekspertët e Institutit të Ndërtimit kryen gjithashtu inspektimin teknik të objektit dhe, sipas vlerësimit të tyre paraprak, pallati u konsiderua i pabanueshëm, duke kërkuar marrjen e masave të menjëhershme për garantimin e sigurisë së banorëve dhe objekteve përreth.

Bashkia Elbasan ka marrë përsipër asistencën për familjet e prekura, duke vënë në dispozicion ambientet e saj të akomodimit. Familjet që nuk kishin mundësi të strehoheshin pranë të afërmve u sistemuan në konviktin e qytetit, ku iu siguruan ushqimi dhe kushtet e nevojshme për qëndrimin e tyre.

Gjithashtu, strukturat bashkiake, në bashkëpunim me Policinë dhe shërbimet e Emergjencave, kanë asistuar banorët në lëvizjen e sigurt drejt banesave, nën shoqërimin e forcave përgjegjëse, për të marrë dokumentet dhe sendet personale me vlerë.

Gjatë gjithë këtyre 24 orëve, kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, ka ndjekur nga afër dhe në vijimësi situatën, duke qenë i pranishëm në vendngjarje dhe në komunikim të vazhdueshëm me strukturat përgjegjëse, ekipet e emergjencave dhe specialistët e Institutit të Ndërtimit.

Bashkia Elbasan i shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet e dy viktimave, ndërsa falënderojmë zjarrfikësit, punonjësit e emergjencave dhe efektivët e Policisë për angazhimin dhe përkushtimin e treguar gjatë gjithë operacionit.

“Mirënjohje dhe respekt për çdo zjarrfikës, punonjës të emergjencave dhe efektiv policie që dha maksimumin për të shpëtuar jetë në këtë situatë të rëndë.”

Bashkia Elbasan vijon angazhimin për mbështetjen e familjeve të prekura, garantimin e strehimit të tyre dhe koordinimin me institucionet përgjegjëse për marrjen e masave të mëtejshme.

Buxhetimi me pjesëmarrje  me të rinjtë, propozimet e tyre pjesë e prioriteteve për Elbasanin

Procesi i Buxhetimit me Pjesëmarrje 2027 vijoi me të rinjtë e Elbasanit, duke u dhënë mundësinë të shprehin nevojat, idetë dhe propozimet e tyre për investimet dhe prioritetet që duhet të marrë në konsideratë Bashkia gjatë vitit të ardhshëm. Takimi, i zhvilluar në kuadër të vitit shkollor 2026–2027, u bë një hapësirë dialogu dhe bashkëbisedimi, ku të rinjtë u ftuan të artikulojnë lirshëm kërkesat e tyre dhe të bëhen pjesë aktive e vendimmarrjes vendore.

Drejtoresha e Zyrës Vendore të Arsimit, Vella Llanaj Liço, theksoi rëndësinë e përfshirjes së të rinjve në këtë proces, duke nënvizuar se buxhetimi me pjesëmarrje krijon mundësinë që nevojat dhe interesat e komunitetit të bashkërendohen me prioritetet e pushtetit vendor, në mënyrë që investimet publike të orientohen aty ku kërkohen më shumë nga qytetarët. Ajo i ftoi të rinjtë të shprehnin me përgjegjësi dhe pa hezitim idetë e tyre, duke theksuar rolin e rëndësishëm që ka rinia në zhvillimin e shoqërisë.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, u ndal te tradita e këtij procesi me të rinjtë dhe ndikimi që propozimet e tyre kanë pasur në investimet e realizuara ndër vite. Ai vuri në dukje  kërkesat e mëparshme të Këshillit Rinor për rikonstruksionin e shkollës “Onufri”, si dhe ndërhyrjet në shkollat “Konstandin Kristoforidhi” dhe “Dhaskal Todri”. Ndërkohë, bëri të ditur se shkolla “Vasil Kamami” pritet të nisë rikonstruksionin pas përfundimit të procedurave të prokurimit publik, ndërsa për shkollën “Ahmet Dakli” projekti është tashmë gati.

Llatja përmendi gjithashtu kërkesat e të rinjve për instalimin e paneleve fotovoltaike në shkolla, duke bërë të ditur se janë vendosur projekte për shtatë shkolla, ndërsa janë shtuar edhe tre të tjera dhe katër ndodhen në fazën e implementimit. Ai evidentoi edhe investimet e kryera në institucionet arsimore, si dhe projektin e Parkut “Dua të Luaj”, një kërkesë nga të rinjtë, i cili ofron hapësira për sport, argëtim dhe aktivitete komunitare, me fusha futbolli, tenisi e basketbolli, kënde lojërash për fëmijë dhe ambiente për të moshuarit.

Gjatë takimit u prezantuan edhe nisma të tjera të Bashkisë në mbështetje të rinisë, si programi TUMO, Zyra e Këshillimit të Karrierës, Programi Kombëtar i Praktikave të Punës dhe aktivitetet në fushën e sportit, kulturës, artit dhe vullnetarizmit.

Në këtë kuadër u prezantua edhe Plani Vendor i Veprimit për Rininë 2026–2030, i cili synon të përcaktojë drejtimet kryesore të ndërhyrjes në arsimim, punësim, pjesëmarrje dhe jetën kulturore të të rinjve.

Takimi u përmbyll me diskutimin dhe votimin e prioriteteve të propozuara nga të rinjtë, duke vijuar kështu procesin e Buxhetimit me Pjesëmarrje, ku zëri i komunitetit shndërrohet në propozime konkrete për investimet dhe zhvillimin e Elbasanit gjatë vitit 2027.