Kryetari i Bashkisë Gledian Llatja, nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Komunën e Preshevës
Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Komunën e Preshevës, ku është pritur nga Kryetarja e Komunës, Ardita Sinani, dhe ambasadori i Shqipërisë, Bardhyl Canaj. Vizita kulmoi me firmosjen e një memorandumi bashkëpunimi që synon forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy qyteteve dhe krijimin e mundësive të reja për qytetarët e të dyja vendeve.
Memorandumi përfshin shkëmbimin e eksperiencave mes administratave, bashkëpunimin në trashëgiminë kulturore dhe historike, përmirësimin e cilësisë së arsimit, si dhe ofrimin e bursave dhe qëndrimit në Elbasan për nxënësit e Preshevës që dëshirojnë të studiojnë në Universitetin e Elbasanit. Gjithashtu, në marrëveshje parashikohet aplikimi i përbashkët për fonde të Bashkimit Europian për projekte infrastrukturore dhe sociale.
Gjatë konferencës për shtyp, Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, theksoi se “jam e nderuar jo vetëm si kryetare, por edhe si qytetare e Preshevës, për këtë vizitë të rëndësishme nga kryetari i Bashkisë së Elbasanit, z. Gledian Llatja, dhe ambasadori i Shqipërisë. Ky bashkëpunim është një hap inkurajues për qytetin tonë, duke na mundësuar shkëmbim eksperiencash në fusha të ndryshme dhe mbështetje konkrete për nxënësit që dëshirojnë të studiojnë në Elbasan.”
Kryetari Gledian Llatja e quajti vizitën dhe marrëveshjen një hap të rëndësishëm edhe drejt thellimit të marrëdhënieve. “Firmosja e këtij memorandumi vë bazat për një vëllazërim të ri mes dy qyteteve tona. Kjo marrëveshje nuk është vetëm simbolike, por krijon mundësi konkrete për qytetarët e Preshevës dhe Elbasanit, që nga mbështetja me bursa për nxënësit që studiojnë në Elbasan deri te zhvillimi i përbashkët i projekteve për infrastrukturën dhe jetën kulturore.”
Llatja theksoi gjithashtu se bashkëpunimi me Preshevën nuk është vetëm simbolik, por krijon mundësi konkrete për zbatimin e projekteve që prekin direkt qytetarët. Ai vlerësoi rolin e BE-së dhe donatorëve të tjerë si partnerë të rëndësishëm në forcimin e infrastrukturës dhe jetës komunitare.
“Ky memorandum hap rrugën për aplikime të përbashkëta në projektet e Bashkimit Europian, të cilat do të na ndihmojnë të përmirësojmë cilësinë e jetesës për qytetarët tanë. Fokusi ynë është në infrastrukturën, arsimin dhe zhvillimin social, duke synuar që të dy qytetet tona të përfitojnë nga thirrjet dhe grantet europiane.”
Llatja nënvizoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e kulturës dhe artit, duke shtuar se Bashkia e Elbasanit dhe Qendra e Artit do të organizojnë koncerte dhe festivale në Preshevë për të forcuar lidhjet kulturore dhe ndërveprimin midis qytetarëve.