Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Muaj: Dhjetor 2024

Llatja/ Projekti ADAPT 2, një hap i madh për rehabilitimin mjedisor  të Shushicës

Në kuadër të projektit ADAPT 2, të mbështetur nga Agjencia Suedeze Sida dhe IUCN, Kryetari i Bashkisë Elbasan, Z. Gledian Llatja, inspektoi punimet në zonën e Shushicës.

 Ky projekt synon rehabilitimin e zonave të degraduara natyrore, përmes mbjelljes së fidanëve, ndërtimit të pritave malore dhe zbatimit të zgjidhjeve inovative për mbrojtjen e mjedisit dhe forcimin e qëndrueshmërisë lokale.

Z. Llatja, gjatë inspektimit, theksoi rëndësinë e këtij projekti dhe adresoi problematikat e deritanishme.

 “Në zonën e Shushicës jemi duke zbatuar një projekt të rëndësishëm për rehabilitimin e zonave të degraduara. Përmes ndërtimit të tetë pritave malore dhe mbjelljes së 8,500 fidanëve, kemi filluar një proces që ndihmon jo vetëm në mbrojtjen e mjedisit, por edhe në krijimin e mundësive për ekonominë lokale, falë bimësisë së re që po eksperimentojmë. Falënderoj IUCN për mbështetjen e dhënë dhe për frymën bashkëpunuese në këtë iniciativë.”

Sikundër shtoi se “jemi në fillimin e një sërë investimesh, ne po hapim sezonin e mbjelljeve të reja në bashkinë e Elbasanit dhe rehabilitimit të zonave të degraduara”.

Përfaqësuesi i IUCN, i pranishëm në inspektim, vlerësoi angazhimin për mbështetjen që Bashkia Elbasan ka treguar në zbatimin e projektit.

“Ky është një model suksesi, dhe me fillimin e fazës së re rajonale, do të kemi mundësi të monitorojmë, vlerësojmë dhe përmirësojmë ndikimin e këtyre masave në komunitet. Në fillim ne kontaktuam autoritetet kombëtare për të zbatuar atë që ju e përmblodhët shumë mirë, zgjidhjet me bazë në natyrë, zgjidhjet alternative duke u përpjekur të përmirësojmë jetët e njerëzve këtu, përtej mjedisit në vetvete.

Ka qenë një process i gjatë, por përgjatë gjithë procesit, shërbimet tuaja, e gjithë bashkia juaj na ka mbështetur gjithmonë dhe sot jam krenar të them se ky nuk është projekti ynë, por është projekti juaj.

Gjithashtu, kam kënaqësinë t’ju bëj me dije se ne jemi në fazën e re të zbatimit të projektit, në nivel rajonal dhe ne po planifikojmë të punojmë së bashku për monitorimin e zbatimit të këtij projekti, vlerësimin dhe si rrjedhojë të ndërmarrim masat si edhe të përmirësojmë ndikimin tonë në këtë rajon”

Deputetja Desantila Tahiraj përgëzoi këtë nismë, duke e vlerësuar si një hap të rëndësishëm drejt përballimit të ndryshimeve klimatike dhe përmirësimit të jetës së komunitetit:

“Mbjellja e 8,500 pemëve dhe rehabilitimi i këtyre zonave do të ketë një ndikim të madh jo vetëm në mjedis, por edhe në cilësinë e jetës së banorëve të kësaj zone.”

Në planin e zbatimit të këti projekti, përfshihet mbjellja e 8,600 fidanëve në një sipërfaqe prej 8.2 hektarësh, duke përfshirë pisha dhe bimësi të tjera qëndruese.

Ndërtimi i tetë pritave malore për të frenuar erozionin dhe përmirësuar cilësinë e tokës.

 Eksperimentimi me bimësi të reja, si lajthia dhe pemët frutore, për të ndihmuar ekonominë lokale.

Ky projekt, pjesë e ADAPT 2, shënon fillimin e sezonit të ri të mbjelljeve dhe një angazhim të përbashkët për një Elbasan më të gjelbër dhe më të qëndrueshëm.

Kryetari i Bashkisë  Gledian Llatja në Samitin e 5-të Global të Strong Cities Network

Kryetari i Bashkisë Elbasan Gledian Llatja ka marrë pjesë në Samitin e 5-të Global të Rrjetit të Strong Cities Network, një platformë ndërkombëtare që mblodhi mbi 140 liderë lokalë, përfaqësues të qeverive dhe organizatave të shoqërisë civile nga më shumë se 90 qytete dhe 40 vende.

 Samiti u fokusua në zgjidhje inovative për të adresuar çështje të ndjeshme si urrejtja, polarizimi dhe sfidat që krizat globale sjellin në nivele lokale.

Në këtë samit, kryetari i bashkisë ndau përvojat dhe iniciativat e ndërmarra në Elbasan për të ndërtuar një qytet gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm. Bashkëpunimi dhe shkëmbimi i ideve me liderë nga e gjithë bota nënvizuan rëndësinë e një qasjeje të përbashkët për të përballuar sfidat e përbashkëta.

Kjo pjesëmarrje përfaqëson një angazhim konkret për të forcuar rolin e qyteteve si faktorë të rëndësishëm në zgjidhjen e çështjeve globale, duke u bazuar në vlera solidariteti dhe mirëkuptimi.

Elbasani ndriçon: Ndezja e pemës sjell atmosferën magjike të festave!

Elbasani ka ndezur dritat e pemës së Vitit të Ri, duke sjellë gëzim dhe shpresë për të gjithë qytetarët, e veçanërisht për fëmijët, të cilët janë gjithmonë të parët që festojnë magjinë e fundvitit.

Në qendër të qytetit, mes një koncerti festiv dhe atmosferës së gëzueshme, pema e Vitit të Ri dhe simbolika e festës, me drerin kryesor dhe elemente të tjera të dashura për këtë periudhë, ndriçuan me drita shumëngjyrëshe, duke tërhequr buzëqeshje nga të vegjlit dhe të mëdhenjtë.

Fëmijët kënduan dhe recituan poezi me tematikën e festave të fundvitit, duke sjellë mesazhe paqeje dhe lumturie për vitin që po troket.

Nga ana e tij, kreu i Bashkisë Elbasan z. Gledian Llatja ndau urimin e tij të ngrohtë për qytetarët.
“Me shpresën se viti i ardhshëm do të jetë më i paqtë dhe i begatë, ndezëm dritat e bredhit të qytetit. Elbasani këtë dhjetor do të shkëlqejë nga atmosfera e ngrohtë dhe mikpritëse e festave. Festa të gëzuara e plot shëndet për ju dhe familjet tuaja!”

Ky vit sjell jo vetëm një dekor të mahnitshëm për qytetin, nën kujdesin e veçantë të kryetarit të Bashkisë Elbasan, por edhe një seri aktivitetesh festive dhe kulturore që do të zgjasin gjatë gjithë muajit dhjetor. Koncerte për fëmijë, evente artistike dhe aktivitete kulturore do të pasurojnë atmosferën dhe do të sjellin më shumë gëzim për të gjithë qytetarët.