Elbasani pushtohet nga festa dhe tradita: Karnavalet dhe atmosfera pranverore ndezin qytetin
Elbasani është mbuluar nga një atmosferë festive, ku qindra qytetarë dhe vizitorë nga e gjithë Shqipëria kanë mbushur rrugët për të festuar Karnavalet e pranverës. Fëmijët e shkollave, të veshur me kostume shumëngjyrëshe dhe plot kreativitet, kanë sjellë gëzim dhe energji në çdo cep të qytetit.
Muzika popullore, aromat tradicionale të ballokumeve dhe panairet me produkte artizanale kanë krijuar një mozaik emocionesh, duke e kthyer Elbasanin në qendrën e festimeve pranverore. Në këtë atmosferë të gjallë, i pranishëm ka qenë edhe kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, i cili që në nisje të festës ka ftuar qytetarët dhe turistët të festojnë së bashku në zemër të qytetit.
Elbasani është bërë destinacioni kryesor për shumë turistë vendas dhe të huaj, si dhe për përfaqësues të politikës që janë bërë pjesë e festimeve. Ndërkohë, masat e policisë kanë siguruar mbarëvajtjen e aktivitetit, duke garantuar një atmosferë të qetë dhe të sigurt për të gjithë.
Nga qendra e qytetit e deri në nënparqe, tingujt e muzikës, ngjyrat e kostumeve dhe traditat elbasanase po e bëjnë këtë festë një përvojë unike për të vegjël e të mëdhenj. Festimet pritet të vijojnë edhe në orët e pasdites, duke e kthyer Elbasanin në një qytet plot jetë dhe emocione pozitive.