Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 6 Maj 2025

Një tjetër investim i rëndësishëm në arsim: Rikonstruksion i plotë i gjimnazit “Dhaskal Todri”

Një tjetër hap madhor në përmirësimin e infrastrukturës arsimore në Elbasan është bërë realitet. Gjimnazi “Dhaskal Todri”, një nga institucionet më të njohura të dijes në qytet, do të rikonstruktohet tërësisht, duke u kthyer në një mjedis modern dhe të denjë për qindra nxënës dhe mësues.

Ky projekt, i shumëpritur prej vitesh, pritet të sjellë përfitime të drejtpërdrejta për 607 nxënës dhe 42 mësues, të cilët do të punojnë dhe mësojnë në kushte bashkëkohore, me standarde të larta sigurie dhe funksionaliteti.

Përmes këtij investimi, Bashkia e Elbasanit synon të krijojë hapësira që, edukojnë dhe përgatisin gjeneratat e ardhshme për sfidat e kohës.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, u shpreh se “investimi në arsimin cilësor është investim në të ardhmen e qytetit tonë. Rikonstruksioni i Gjimnazit ‘Dhaskal Todri’ është një premtim i mbajtur dhe një hap konkret drejt krijimit të kushteve më të mira për nxënësit dhe mësuesit tanë. Elbasani meriton shkolla dinjitoze dhe bashkëkohore, dhe ky është vetëm fillimi.”

Ky lajm vjen vetëm pak ditë pas njoftimit për nisjen e rikonstruksionit të shkollës 9-vjeçare “Naim Frashëri”, duke treguar një angazhim të qëndrueshëm për zhvillimin e sektorit të arsimit në qytet.

Teatri “Skampa” për dy javë radhazi në duart e të rinjve: Maratona Rinore drejt finales së madhe

Qindra të rinj nga gjimnazet e Elbasanit kanë mbushur sallat e Teatrit “Skampa” në kuadër të aktiviteteve të Maratonës Rinore, një ngjarje që prej 29 vitesh promovon talentin e ri në artet skenike. Këngë, aktrim, kërcim dhe performanca të ndryshme kanë qenë në qendër të këtij maratone kulturore, e cila këtë vit ka tërhequr jo vetëm pjesëmarrës, por edhe një publik të gjerë admirues.

Nën kujdesin e Bashkisë së Elbasanit dhe Qendrës së Artit, të rinjtë janë përgatitur me përkushtim nën drejtimin e stafit të Teatrit “Skampa”, duke sjellë një nivel të lartë interpretimi në skenë. Organizatorët theksojnë se aktiviteti synon jo vetëm argëtimin, por edhe zbulimin dhe promovimin e talenteve të reja, disa prej të cilëve sot janë emra të njohur të skenës shqiptare.

Kryetari i Bashkisë ka shprehur mbështetjen e tij për këtë nismë, duke e cilësuar atë si një urë lidhëse mes artit dhe brezit të ri, si dhe ka premtuar një edicion jubilar akoma më madhështor për vitin e ardhshëm, kur Maratona shënon 30-vjetorin e saj.

Finalja e Maratonës Rinore do të zhvillohet më 7 maj, me një spektakël të shumëpritur që pritet të kulmojë këtë periudhë intensive artistike.