Menjëherë pas zgjedhjeve, nisin investimet në Elbasan; Llatja dhe Qose inspektojnë punimet në Labinot Fushë
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, i shoqëruar nga deputeti i sapozgjedhur në datën 11 maj, Adi Qose, kanë inspektuar nga afër punimet që kanë nisur për asfaltimin e rrugës në lagjen e Ballinjve, pjesë e fshatit Labinot, në njësinë administrative Labinot Fushë.
Menjëherë pas zgjedhjeve, Bashkia Elbasan ka nisur me intensitet ndërhyrjet për sistemimin dhe përmirësimin e infrastrukturës, me qëllim rritjen e cilësisë së jetesës për të gjithë banorët. Rruga që po ndërtohet ka një gjatësi prej 465 metrash linearë dhe është pjesë e një plani më të gjerë investimesh si në qytet, ashtu edhe në zonat rurale.
“Ky investim ishte i domosdoshëm për shkak të kushteve të vështira të terrenit dhe problemeve të vazhdueshme të shkaktuara nga përroi i Gurrës, i cili shpesh, në periudha reshjesh të mëdha, ka dëmtuar tokat bujqësore dhe ka paraqitur rrezik për banorët,” tha kryetari Llatja. Ai shtoi se ndërhyrja ka nisur me pastrimin e përroit dhe po vijon me asfaltimin, një projekt i diskutuar më parë me banorët gjatë procesit të buxhetimit me pjesëmarrje.
Gjatë inspektimit, deputeti Adi Qose falënderoi kryetarin Llatja për angazhimin dhe realizimin e këtij investimi, duke theksuar se ishte një kërkesë e hershme e komunitetit lokal. “Kjo rrugë është tejet e rëndësishme pasi e lidh zonën me rrugën nacionale dhe përmirëson ndjeshëm jetën e banorëve. Është një premtim i mbajtur dhe një ogur i mirë që punët po nisin nga Labinoti Fushë,” tha Qose.
Bashkia Elbasan ka ndërmarrë ndërhyrje të shumta në fshatin Labinot Fushë, veçanërisht në përmirësimin e shtresave asfaltike të rrugëve të lagjeve, si pjesë e një plani gjithëpërfshirës zhvillimi.
“Zgjedhjet përfunduan, tani jemi të gjithë të mobilizuar për të punuar dhe për të qenë në shërbim të qytetarëve,” përfundoi Llatja.