Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 10 Korrik 2025

Vijon aksioni për lirimin e hapësirave publike të zëna nga bizneset

Në qytetin e Elbasanit po vijon aksioni për lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë abuzive nga bizneset. Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) dhe Policia Bashkiake e Elbasanit po zhvillojnë aksionin, i cili ka për qëllim kthimin e trotuareve dhe lulishteve në përdorim të lirë për qytetarët, duke siguruar një ambient të rregullt dhe tërheqës, që të promovojë më mirë potencialin e Elbasanit.

Autoritetet kanë dërguar njoftime paraprake ndaj bizneseve për largimin vullnetar të strukturave që pengojnë kalimin, ndërsa për rastet pa përgjigje kanë nisur heqjet nga IKMT.

Në vijim, pritet të shtohen aksionet dhe kontrollet nga ana e institucioneve përgjegjëse për monitorimin e zbatimit të ligjit në hapësirat publike, me qëllim ruajtjen dhe mbrojtjen e tyre afatgjatë.

Bashkia e Elbasanit thekson rëndësinë e mbrojtjes së hapësirave publike sidomos në sezonin veror, kur qyteti mirëpret një numër të konsiderueshëm turistësh dhe vizitorësh.

Përfundon rikonstruksioni i rrugës “Benjamin Deliana” në lagjen “28 Nëntori”

Rruga “Benjamin Deliana” në lagjen “28 Nëntori” është tashmë e rikonstruktuar dhe ka marrë trajtën e një aksi funksional që i shërben komunitetit lokal. Ndërhyrja nga Bashkia Elbasan ka përfunduar me shtresimin përfundimtar të asfaltit dhe sistemimin e infrastrukturës.

Kjo rrugicë, megjithëse me gjatësi të shkurtër, ka pasur rëndësi të veçantë për banorët, pasi lidh dy rrugë të tjera më të mëdha, “Mustafa Shashaj” dhe “Shyqyri Berisha”, dhe i shërben drejtpërdrejt rreth 150 banorëve. Për më shumë se 30 vite, rruga ka qenë e paasfaltuar, pavarësisht se kishte sistem kanalizimesh funksional.

Rikonstruksioni i saj u realizua pas një kërkese të kahershme të banorëve, si pjesë e programit të Bashkisë Elbasan për përmirësimin e infrastrukturës në zonat informale, si në qytet, ashtu edhe në njësitë administrative rurale.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, thekson seedhe një tjetër rrugë e paasfaltuar prej dekadash mori zgjidhje përfundimtare. Zona të tëra informale, si në qytet ashtu edhe në fshat, po i rikthejmë në standarde dinjitoze. Kjo është qasja jonë, të mos lëmë asnjë segment të lënë pas.”

Ai shtoi se investimet do të vijojnë në mënyrë të pandërprerë në të gjitha zonat informale të bashkisë, me qëllim që çdo lagje dhe komunitet të ketë infrastrukturën që meriton.