Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 16 Korrik 2025

Asistencë falas për e-Albania në çdo cep të Bashkisë Elbasan

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, zhvilloi sot një vizitë në sportelet e dedikuara të Bashkisë Elbasan, ku ofrohet asistencë për përdorimin e portalit e-Albania. I shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, Ministri Mazniku u njoh nga afër me funksionimin e këtyre zyrave dhe bashkëbisedoi me qytetarë dhe stafin.

Kryebashkiaku Llatja theksoi se Bashkia Elbasan ka një rrjet prej 19 zyrash të shpërndara në të gjithë territorin për të ndihmuar qytetarët me aplikimet online:

“Kemi kohë që ofrojmë në Bashkinë e Elbasanit asistencë për përdorimin e portalit e-Albania. Ky shërbim ofrohet falas, në çdo njësi administrative, me qëllim që qytetarët të mos udhëtojnë deri në qytet. Krahas këtij shërbimi, kemi vënë në funksion edhe sportelet ‘One Stop Shop’, ku ofrohen të gjitha shërbimet e bashkisë në një pikë të vetme. U bëj thirrje qytetarëve të mos përdorin shërbimet me pagesë, pasi ne e ofrojmë këtë ndihmë pa kosto dhe me profesionalizëm.”

Ministri Mazniku vlerësoi modelin e ofruar nga Bashkia Elbasan, duke pohuar se “ portali e-Albania u ka dhënë qytetarëve mundësinë të aksesojnë shërbimet publike online, por për shumë prej tyre, sidomos të moshuarit apo ata që nuk kanë njohuri teknologjike, asistenca është thelbësore. Është shumë e rëndësishme që në çdo njësi administrative të Bashkisë Elbasan ofrohet ndihmë falas nga stafi i bashkisë, pa qenë nevoja të përdorin shërbime private. Ky është një shembull i mirë se si pushteti vendor vjen realisht në ndihmë të qytetarit.”

Ky model i shërbimeve publike dixhitale pa pagesë, i shtrirë në gjithë territorin e bashkisë, synon të rrisë aksesin, barazinë dhe përfshirjen digjitale të qytetarëve të Elbasanit.