Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 29 Korrik 2025

Elbasani gjallëron gjithë muajin korrik me aktivitete festive për qytetarët dhe turistët

Gjatë gjithë muajit korrik, Bashkia Elbasan ka sjellë një seri aktivitetesh festive që kanë gjallëruar qytetin edhe në ditët më të nxehta të verës. Nën kujdesin e veçantë të kryetarit të Bashkisë, Gledian Llatja, në sheshin qendror dhe në hapësira të tjera publike janë organizuar koncerte, shfaqje argëtuese dhe evente kulturore që kanë mbledhur jo vetëm qytetarët elbasanas, por edhe shumë vizitorë e turistë.

Një nga kulmet e këtyre aktiviteteve ishte El Summer Fest, i cili solli një tjetër mbrëmje të paharrueshme në zemër të qytetit. Artistë të njohur shqiptarë ndezën atmosferën me performancat e tyre, duke krijuar një energji të veçantë mes publikut.

Bashkia Elbasan synon që këto aktivitete të kthehen në një traditë të përvitshme, duke ofruar mundësi argëtimi për çdo moshë dhe duke e promovuar qytetin si një destinacion atraktiv edhe gjatë verës.

Gledian Llatja viziton furrën “Baku”, biznesi që po i shtohet hartës së zhvillimit të Elbasanit

Geni dhe Erjoni, dy vëllezër të kthyer nga emigrimi, themeluan në vitin 2014 furrën “Baku” në qytetin e Elbasanit. Me një shumëllojshmëri produktesh brumi dhe ëmbëlsirash, si dhe standarde të larta higjienike e teknologjike, biznesi u bë shpejt i njohur jo vetëm në komunitetin ku ndodhej, por edhe më gjerë në qytet.

Furra “Baku” nisi si një biznes familjar, ku të punësuarit e parë ishin pjesëtarë të familjes. Me kalimin e viteve, cilësia e produkteve dhe kërkesa në rritje bënë që numri i punonjësve të zgjerohej nga 10 në 15. Së fundmi, ata kanë hapur edhe një pikë të dytë shërbimi, duke shtuar kapacitetet dhe prezencën e tyre në qytet. Ky zgjerim është bërë edhe me mbështetjen e pushtetit vendor.

Furrën “Baku” e vizitoi edhe Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, si një biznes që po i shtohet hartës së zhvillimit të qytetit.
“Ky është një shembull domethënës i asaj që duam të nxisim në Elbasan: njerëz që rikthehen nga emigrimi dhe investojnë me përkushtim në qytetin e tyre. Furra ‘Baku’ është një histori suksesi që ka sjellë jo vetëm shërbim cilësor, por edhe vende të reja pune. Mbështetja jonë për biznese të ndershme dhe të qëndrueshme do të vazhdojë, dhe jemi të gatshëm të qëndrojmë pranë tyre edhe në hapat e ardhshëm të zhvillimit”, u shpreh Kryetari Llatja.

Biznesi përfaqëson një model të suksesshëm lokal, me kushte optimale pune, pajisje moderne dhe përkushtim të vazhdueshëm për të ofruar produkte cilësore.