Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 15 Gusht 2025

Punët Publike në terren: Pastrohen rrugë, kanale dhe hapësira publike në gjithë bashkinë

Ekipet e Punëve Publike të Bashkisë Elbasan janë çdo ditë në terren, duke ndërhyrë jo vetëm në qendrën e qytetit dhe lulishtet kryesore, por edhe në zonat rurale. Aksionet e pastrimit dhe mirëmbajtjes po shtrihen në rrugët rurale, kanalet vaditëse dhe hapësirat publike, për të siguruar një mjedis të pastër dhe funksional për çdo banor.

Prioritet mbeten kanalet vaditëse, të cilat janë thelbësore për bujqësinë dhe mirëmbajtjen e tokës, ndërsa njëkohësisht po pastrohen edhe rrugët nga dheu dhe mbeturinat, si dhe po kryhet kositja e barërave. Ky proces jo vetëm përmirëson pamjen e zonave, por edhe shmang probleme të mundshme infrastrukturore dhe mjedisore.

Bashkia Elbasan u bën apel banorëve që të kontribuojnë për të ruajtur pastërtinë dhe të bashkëpunojnë me ekipet në terren, në mënyrë që bashkë të mbajnë të pastër dhe të gjallë çdo cep të bashkisë.

Asfaltohet rruga në Fushë-Buall, një tjetër premtim i mbajtur për 1200 banorët

Në fshatin Fushë-Buall, njësia administrative Shushicë, ka përfunduar asfaltimi i 1 kilometër rrugë, duke shënuar një tjetër premtim të mbajtur për 1200 banorët e zonës. Tashmë mbeten më pak se 600 metra për të përfunduar të gjithë aksin, duke i dhënë këtij fshati infrastrukturë dhe lëvizshmëri pa pengesa.

Ky investim i shumëkërkuar nga banorët lehtëson ndjeshëm udhëtimin e nxënësve, studentëve, fermerëve drejt qytetit të Elbasanit dhe njësisë Shushicë. Rruga e re shkurton kohën e udhëtimit, rrit sigurinë dhe u krijon mundësi fermerëve të çojnë më shpejt prodhimet drejt tregut. Njëkohësisht, zona merr vlerë të shtuar turistike, pasi në të kalojnë gjurmë të Via Egnatia-s.

Investime të tilla ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë së jetesës së banorëve, ndërsa Bashkia Elbasan mbështet çdo kërkesë të komunitetit në funksion të zhvillimit të zonave rurale.