Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 16 Gusht 2025

Kujtohet në Muzeun Etnografik Mustafa Bodini, korifeu i këngës qytetare elbasanase

Në ambientet e Muzeut Etnografik të Elbasanit u zhvillua një aktivitet përkujtimor kushtuar figurës së shquar të kulturës qytetare elbasanase, Mustafa Bodini (1900 – 1970).

Me shumë emocion e pathos, u soll në vëmendje jeta dhe krijimtaria e artistit që la gjurmë të pashlyeshme në këngën popullore qytetare, por edhe në artin skenik shqiptar.

Të pranishëm ishin shkrimtarë, artistë dhe dashamirës të kulturës, ndër ta edhe një nga autorët e librit për Mustafa Bodinin, studiuesi Eduart Hoxholli, i cili ndau kujtime e fakte mbi jetën dhe muzikën e tij që vijon të mbetet gjallë edhe sot.

Mustafa Bodini është një nga emrat që i dha identitet këngës qytetare elbasanase. Në më shumë se 60 vite krijimtarie, ai la pas rreth 70 këngë dhe 7 drama, duke i kënduar së mirës, së bukurës dhe së sinqertës. Përveç muzikës, Bodini spikati edhe si aktor, duke luajtur role në Itali dhe duke u cilësuar si një talent i hershëm i kinematografisë shqiptare.

Edhe pse jeta e tij pati vështirësi të mëdha dhe emri u la në heshtje për dekada pas vdekjes së tij më 1970, vepra e Bodinit sot mbetet themel i këngës qytetare elbasanase dhe pasuri e kulturës shqiptare.

Ky aktivitet i bashkohet larmisë artistike dhe kulturore që Bashkia e Elbasanit ka nisur që në fillim të muajit gusht, nën kujdesin e kryetarit Gledian Llatja.