Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 3 Shtator 2025

Keshilli Bashkiak miraton fond ndihme për Gramshin pas zjarreve të gushtit

Këshilli Bashkiak i Elbasanit ka miratuar me unanimitet akordimin e një fondi prej 3 milionë lekësh të rinj për Bashkinë Gramsh, pas situatës emergjente të shkaktuar nga zjarret në muajin gusht, të cilat prekën disa fshatra të Njësisë Administrative Skënderbegas.

Ky vendim synon mbështetjen e menjëhershme të Bashkisë Gramsh për përballimin e kostove të dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësia, lehtësimin e barrës financiare që solli emergjenca, si dhe rikuperimin e një pjese të dëmeve në territorin e saj.

 Zjarret shkaktuan dëme të konsiderueshme, duke cenuar drejtpërdrejt jetën e qytetarëve dhe pasuritë e tyre. Për këtë arsye, në frymën e solidaritetit ndërmjet njësive të vetëqeverisjes vendore, Bashkia Elbasan ka vlerësuar të domosdoshme ndarjen e këtij fondi, si një akt bashkëpunimi dhe ndihme reciproke për përballimin e fatkeqësive natyrore.

Këshilli Bashkiak miraton krijimin e Akademisë së Pushtetit Vendor

Këshilli Bashkiak i Elbasanit ka miratuar në mbledhjen e radhës krijimin e Akademisë së Pushtetit Vendor, një nismë e rëndësishme që synon forcimin e administratës vendore përmes trajnimit dhe profesionalizimit të saj.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, e cilësoi këtë hap si një moment të rëndësishëm për pushtetin vendor, duke e vlerësuar edhe si pjesë të domosdoshme të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.

“Të gjitha bashkitë do të kenë një institucion të posaçëm ku do të trajnojnë punonjësit e tyre, specialistët dhe administratën, për të ndarë problematikat dhe për të gjetur zgjidhje të përbashkëta. Kjo është një mundësi për një administratë më profesionale dhe më efikase,” u shpreh Llatja.

Akademia do të drejtohet nga një komitet i përbashkët me përfaqësues nga bashkitë dhe qeveria qendrore, ku në krye do të jetë Ministri i Pushtetit Vendor. Për funksionimin e saj, të gjitha bashkitë do të kontribuojnë financiarisht, ndërsa qeveria do të mbulojë gjysmën e kostove.

Ky institucion i ri do të shërbejë për zhvillimin dhe kualifikimin profesional të qëndrueshëm të të zgjedhurve vendorë, nëpunësve civilë dhe punonjësve të tjerë të administratës vendore. Qëllimi është përmirësimi i shërbimeve ndaj komuniteteve, rritja e eficiencës së pushtetit vendor dhe përgatitja e tij për sfidat e integrimit europian.

“Stina Koncentrore “sjell magjinë e muzikës në Elbasan            

Mbrëmjen e djeshme, tek Porta e Kalasë në Elbasan, u zhvillua një koncert vokal–instrumental i Orkestrës së Harqeve Elbasan, pjesë e ciklit kulturor “Stina Koncertore”, i organizuar nën kujdesin e kryetarit të Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja.

Qytetarët dhe vizitorët patën mundësinë të shijojnë një koncert të veçantë, që vjen në kuadër të programit të pasur, ku netët kulturore dhe artistike nuk kanë munguar, duke gjallëruar jetën e qytetit dhe duke e kthyer Elbasanin në një destinacion të rëndësishëm për artin dhe turizmin.

Në këtë koncert u ngjitën në skenë emra të njohur të muzikës shqiptare, mes tyre tenori i shquar, “Mjeshtër i Madh” Kastriot Tusha, sopranoja Erinda Agolli, si dhe artistët Matilda Bajrami (flaut), Agim Mustafaj (klarinetë), Bashkim Kupi (violinçel) dhe Franceska Kasa (këngëtare). Orkestra u drejtua nga dirigjentët Blerim Narazani dhe Antonio Pine.

Mbrëmja ofroi një program muzikor të pasur dhe emocionues, që kënaqi të gjithë adhuruesit e muzikës.