Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 16 Shtator 2025

Fëmijët në qendër të sigurisë rrugore gjatë Javës Europiane të Lëvizshmërisë

Në kuadër të Javës Europiane të Lëvizshmërisë 2025, Bashkia Elbasan në bashkëpunim me DPSHTRR, Kryqin e Kuq dhe partnerë të tjerë organizoi një aktivitet edukues me fokus tek siguria rrugore për fëmijët.

Gjatë këtij aktiviteti u zhvilluan demonstrime interaktive, ushtrime mbi sinjalistikën rrugore si dhe trajnime mbi ndihmën e parë, duke e bërë të prekshme për fëmijët rëndësinë e respektimit të rregullave të qarkullimit.

Në mesin e fëmijëve që morën pjesë ishte edhe kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, i cili theksoi se siguria në rrugë nis nga edukimi i brezit të ri, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm drejt vizionit për një qytet më të sigurt dhe të aksesueshëm për të gjithë.

Gazmend Xhaferri i dhuron qytetit një murale mbresëlënëse

Në zemër të Elbasanit, pranë Postës Qendrore, një mur i zakonshëm është shndërruar në një faqe arti që flet me ngjyra. Pas tij qëndron duart e arta të artistit Gazmend Xhaferri, i cili prej vitesh ka ditur të ngjyrosë historinë e qytetit, herë në telajo dhe herë në hapësira publike.

Murali i ri është më shumë se një vepër estetike, ai është një rrëfim i gjallë i kujtesës së qytetit. Në të pasqyrohen elementë të trashëgimisë kulturore, arkitekturës së vjetër dhe jetës së përditshme që ka ndërtuar identitetin e Elbasanit ndër shekuj. Çdo detaj i pikturës, nga ngjyrat e ngrohta te format simbolike, është një ftesë për të ndaluar, për të parë dhe për të reflektuar mbi rrënjët tona.

Kjo murale e kthen hapësirën publike në një galeri arti të hapur, duke i dhuruar qytetit jo vetëm bukuri, por edhe një lidhje të re mes të kaluarës dhe së tashmes. Vepra e Gazit dëshmon se arti nuk është i kufizuar brenda mureve të muzeve, por mund të jetojë përditë mes njerëzve, t’i shoqërojë ata në rrugët ku kalojnë dhe t’i bëjë më krenarë për vendin e tyre.

Me këtë krijim, Gazmend Xhaferri forcon edhe një herë rolin e tij si artist që nuk thjesht pikturon, por rrëfen, kujton dhe gjallëron historinë e qytetit në çdo penelatë.

NJOFTIM PËR PËRFITIM BURSE

Në mbështetje të VKM-së nr 666 datë 10.10.2019 “Për kuotat financiare të ushqimit në mensa e konvikte dhe përcaktimin e kritereve për përfitimin e bursave e të pagesave për nxënësit e arsimit parauniversitar si dhe format e tjera të përkujdesjes ndaj kategorive të veçanta në institucionet arsimore parauniversitare publike” i ndryshuar,  Bashkia Elbasan fton të gjithë nxënësit, të cilët ndjekin arsimin parauniversitar publik me kohë të plotë, përfshirë këtu edhe arsimin profesional, për vitin shkollor 2025-2026, të aplikojnë për bursë në përputhje me kriteret e vendosura në VKM-në nr.666/2019 të ndryshuar dhe kuotat e akorduara nga MAS dhe MEKI.

Dokumentacioni i nevojshëm për përfitim burse do të dorëzohet nga nxënësi apo kujdestarët ligjorë pranë shkollës në të cilën nxënësi ndjek studimet, ku do të marrin dhe informacionin e detajuar mbi dokumentacionin e nevojshëm për cdo kriter.

Afati i dorëzimit të dokumentacionit është data 10.10.2025

Suksese!