Mbështesim bizneset familjare që krijojnë punësim dhe zhvillim për Elbasanin
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, zhvilloi një vizitë në punishten e Sajmirit, një biznes familjar që prej 12 vitesh është kthyer në një histori suksesi në fushën e përpunimit të melaminës MGF për mobilie. Me punë të përkushtuar dhe vizion të qartë, Sajmiri së bashku me familjen e tij ka arritur të ndërtojë një aktivitet që sot punëson 10 qytetarë dhe 3 anëtarë të familjes, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm për punësimin dhe ekonominë e qytetit.
Kërkesat për shërbimet e kësaj punishteje janë në rritje të vazhdueshme, duke dëshmuar për cilësinë dhe besueshmërinë që Sajmiri dhe ekipi i tij kanë krijuar ndër vite. Ky biznes është shembull i qartë se si sipërmarrjet familjare, me vullnet dhe këmbëngulje, jo vetëm që mbijetojnë, por edhe rriten duke gjeneruar mundësi të reja zhvillimi.
Gjatë vizitës Llatja shprehu vlerësimin e tij për këtë model suksesi dhe theksoi angazhimin e Bashkisë Elbasan për të qenë gjithmonë pranë sipërmarrësve lokalë. “Sipërmarrës si Sajmiri janë modeli i duhur i zhvillimit. Bashkia Elbasan do të jetë gjithmonë pranë tyre për të dhënë mbështetjen e nevojshme që puna dhe vizioni i tyre të rriten edhe më shumë.”
Mbështetja e bizneseve të vogla dhe të mesme mbetet një prioritet i Bashkisë Elbasan, pasi ato janë baza e ekonomisë vendore, krijojnë vende pune dhe forcojnë mirëqenien e qytetarëve.