Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 20 Shtator 2025

“Byshek Fest”, mes natyrës, traditës dhe argëtimit në zemër të Shushicës

Bysheku, vetëm 5 kilometra larg qytetit të Elbasanit, këtë të shtunë, u shndërrua në një qendër të gjallë festimi, ku natyra, tradita dhe argëtimi u bashkuan në një aktivitet unik. “Byshek Fest”, e organizuar nën kujdesin e kryetarit të Bashkisë Elbasan, z. Gledian Llatja, solli një ditë të mbushur me atmosferë, mikpritje dhe gjallëri për banorët dhe vizitorët.

Prej dekadash, elbasanasit e kanë zgjedhur Byshekun si një vend pushimi e relaksi, nën hijen e rrapit shekullor dhe pranë ujit të freskët që buron nga burimet natyrore. Në vitet e fundit, këtij vendi i janë shtuar edhe turistë të huaj, duke e futur Byshekun në hartën e pikave turistike më të vizituara të Elbasanit dhe duke e kthyer në një nga destinacionet e para që të huajt kërkojnë të zbulojnë.

Nën hijen e rrapave, vizitorët shijuan ushqime tradicionale, muzikë live dhe aktivitete zbavitëse që pasqyruan shpirtin e kësaj zone. Një vend të veçantë zuri edhe panairi i punimeve artizanale të zonjave të zonës, ku u ekspozuan produkte të dorës si qëndisje, punime me grep, tekstile dhe produkte të tjera tradicionale që pasqyruan mjeshtërinë dhe trashëgiminë kulturore të trevës.

Atmosfera festive u ndërthur me vlerat kulturore e natyrore të Byshekut, duke e bërë këtë festë një përvojë të veçantë për fëmijë, të rinj dhe familje të tëra.

I pranishëm në festë, kryebashkiaku Gledian Llatja theksoi rëndësinë e promovimit të zonave rurale dhe vlerave të tyre natyrore e kulturore. “Bysheku është një perlë turistike e Elbasanit. Përmes kësaj feste ne jo vetëm që i japim jetë traditës, por krijojmë edhe një mundësi për të forcuar ekonominë lokale dhe për të afruar qytetarët me natyrën dhe bukuritë e saj”, u shpreh ai. Në këtë event ishin të pranishme edhe dy deputetet e Elbasanit Aulona Bylykbashi dhe Evis Kushi.

“Byshek Fest” nuk ishte thjesht një ditë argëtimi, por një urë lidhëse mes qytetit dhe fshatit, një mundësi për të risjellë në vëmendje pasurinë kulturore e natyrore që rrethon Elbasanin. Festa e Byshekut solli bukurinë e traditës dhe gjallërinë e komunitetit, nën hijen e rrapeve shekullorë dhe pranë ujit të freskët të burimit.

Sukses në teatrin “Skampa” komedia rinore “Erashka”

Mbrëmja e sotme në Teatrin “Skampa” solli një atmosferë të veçantë me premierën e shfaqjes “Erashka”, projekt i Qendrës së Artit, që u prit me duartrokitje të gjata nga publiku.Salla u mbush me të rinj gjimnazistë, prindër dhe artdashës të qytetit, të cilët shijuan plot humor dhe energji interpretimin e nxënësve, duke treguar se Elbasani ka një brez të ri plot talent e pasion për artin skenik.

Ky projekt synon të zbulojë e të promovojë talente të reja, duke i përfshirë të rinjtë më shumë në jetën artistike të qytetit.

“Erashka”, komedi e autorit italian Carlo Goldoni, e sjellë me regji të Fjorela Mirditës, do të vazhdojë të jepet në skenën e Teatrit “Skampa” më datat 19, 20, 21 dhe 22 Shtator, ora 18:00.