Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 22 Shtator 2025

Elbasani, pjesë e nismës europiane për klimën dhe energjinë

Në Forumin e Kryetarëve për Energjinë e Qëndrueshme, që u zhvillua në Durrës, Bashkia Elbasan ndau eksperiencën e saj me projektet që po zbatohen në qytet për një të ardhme më të gjelbër, si  “Sunny Schools” dhe  GreenElb, të cilat promovojnë energjinë e rinovueshme dhe efiçiencën energjetike.

Kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, firmosi Deklaratën për Klimën dhe Energjinë, duke e cilësuar atë një hap të rëndësishëm për veprime konkrete në dobi të qytetarëve.

 “Jemi krenarë që Elbasani është pjesë e kësaj nisme rajonale dhe evropiane, duke u angazhuar për një të ardhme më të qëndrueshme për qytetin tonë dhe për brezat që vijnë,”  u shpreh Llatja.

Energjia e qëndrueshme i shërben Elbasanit jo vetëm në uljen e ndotjes dhe kursimin e energjisë, por edhe në ndërtimin e një qyteti më të shëndetshëm për të gjithë qytetarët.

Kalaja e Elbasanit, monument i kulturës dhe turizmit. 

Kalaja e Elbasanit, një ndër monumentet më të rëndësishme historike të qytetit, po kthehet çdo ditë e më shumë në një qendër tërheqëse për vizitorët. Dikur nyje e rëndësishme e rrugës antike “Via Egnatia”, sot kalaja është një simbol i gjallë i historisë, kulturës dhe bashkëjetesës fetare.

Brenda mureve të saj shekullore gjenden Xhamia e Mbretit dhe Kisha Ortodokse “Shën Maria”, ndërsa shumë pranë ndodhet edhe Kisha Katolike, duke e bërë këtë zonë një shembull unik të harmonisë ndërfetare. Përveç vlerave shpirtërore, rrugicat karakteristike, arkitektura osmane dhe gjurmët e qytetërimit të hershëm e bëjnë kalanë një udhëtim në kohë për çdo vizitor.

Një tjetër element që e bën kalanë të paharrueshme është mikpritja tradicionale elbasanase, zonjat e vjetra shpesh hapin dyert e shtëpive brenda mureve, duke ofruar ëmbëlsira e kafe, si edhe rrëfime për historinë e qytetit. Ky gjest i thjeshtë, por i çmuar, kthehet në një përvojë autentike për turistët.

Falë nismave të rivitalizimit dhe interesit në rritje për turizmin kulturor nga bashkia Elbasan, Kalaja e Elbasanit po merr një jetë të re. Kjo hapësirë historike ëshë një destinacion, që i fton vizitorët të zbulojnë historinë, kulturën dhe mikpritjen që e kanë bërë Elbasanin një qytet të veçantë në zemër të Shqipërisë.

70 vite Estradë Profesioniste në Elbasan

Sot, shënohet 70-vjetori i krijimit të Estradës Profesioniste të Elbasanit, një nga institucionet më të rëndësishme të artit dhe kulturës qytetare.
Estrada e Elbasanit u themelua në vitin 1955, me premierën e saj të parë, e cila u përcoll me entuziazëm nga publiku dhe u pasqyrua në median e kohës. Në artikullin e parë të shkruar nga V. Zallemi në gazetën “Zëri i Popullit”, theksohej kontributi i aktorëve dhe këngëtarëve që ngjitën në skenë humorin, këngën dhe muzikën popullore, mes tyre Hysen Biza, Rustem Serica, Marie Dhamo, si dhe orkestrantë të njohur si Gori Shuteriqi, Hysen Shehu, Rifat Çaushi, e Ismail Bedhija.
Estrada e Elbasanit ka qenë për dekada një vatër arti e gjallë, që lindi talente, edukoi publikun dhe u bë një pikë referimi për jetën kulturore të qytetit.
70 vite më vonë, Estrada Profesioniste e Elbasanit mbetet një simbol i traditës, humorit dhe kulturës, duke ruajtur gjallë emocionin e parë të vitit 1955.