Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 28 Shtator 2025

Këngët qytetare elbasanase jehonë në Tetovë me Ansamblin “Isuf Muzyri”

Ansambli Popullor “Isuf Muzyri” i Elbasanit ishte i ftuar në edicionin e 14-të të Festivalit të Këngëve të Vjetra Qytetare “Teuta”, organizuar nga Qendra e Kulturës “Ilo Anteski Smok” në Tetovë, ku solli në skenë tingujt e traditës dhe shpirtin e qytetit elbasanas.

Me këngë dhe motive të pasura të muzikës qytetare, artistët e ansamblit rrëmbyen duartrokitjet e publikut, duke rikthyer në kujtesë magjinë e një repertori që mbart historinë dhe identitetin kulturor të Elbasanit. Performanca e tyre u shqua për stilin e veçantë interpretues dhe për autenticitetin me të cilin u përcollën meloditë që kanë shoqëruar brez pas brezi qytetarët elbasanas.

Pjesëmarrja në “Teuta” ishte një mundësi e vyer për të promovuar trashëgiminë muzikore shqiptare jashtë kufijve, duke dëshmuar se Elbasani mbetet një nga vatrat më të rëndësishme të kulturës qytetare.

Ansambli Popullor “Isuf Muzyri” falënderon organizatorët për mikpritjen dhe për mundësinë e përfaqësimit dinjitoz të kulturës sonë në një skenë ndërkombëtare, duke mbajtur gjallë traditën e muzikës popullore elbasanase dhe duke e përcjellë atë me krenari tek publiku.

Elbasani pret “Skampa Extension” edicioni i 27-të i festivalit teatror nis më 2 tetor

Më 2 tetor në Elbasan starton edicioni i 27-të i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit “Skampa”, një ngjarje që prej shumë vitesh është shndërruar në traditën më të madhe kulturore të qytetit.

Me moton “Extension / Zgjerim”, festivali i këtij viti vjen me një program të pasur shfaqjesh e vizionesh artistike, duke mirëpritur trupa ndërkombëtare nga Turqia, Greqia, Kosova, Lituania, Serbia dhe Shqipëria. Publiku do të ketë mundësinë të shijojë 11 shfaqje teatrore të ndryshme, të cilat do të ngjiten në skenën e Teatrit “Skampa” në Elbasan dhe në Tiranë.

Festivali zhvillohet me mbështetjen kryesore të Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë Elbasan, nën kujdesin e kryetarit të bashkisë Gledian Llatja, si edhe me kontributin e sponsorëve të tjerë që e bëjnë të mundur realizimin e këtij aktiviteti të madh kulturor. Përveç shfaqjeve, programi do të pasurohet edhe me workshop-e, ekspozita fotografike dhe promovime librash, duke e kthyer qytetin në një qendër të gjallë të artit dramatik.

Prej 27 vitesh, “Skampa” ka pritur me qindra trupa të huaja dhe vendase, duke e vendosur Elbasanin në hartën e festivaleve ndërkombëtare dhe duke dëshmuar se ky qytet është një vatër e kulturës dhe artit, që vit pas viti e forcon dhe e rinovon këtë traditë të vyer.

Rikualifikimi i lagjes “Kala” rikthen destinacione kulturore e turistike në Elbasan

Rikualifikimi i plotë i lagjes “Kala” në qytetin e Elbasanit do ta shndërrojë atë në një zonë të qëndrueshme, tërheqëse dhe me vlera të mëdha kulturore e turistike.

Ky projekt synon t’i japë një identitet të ri qytetit duke tërhequr më shumë vizitorë vendas e të huaj.

Në Elbasan u zhvillua ditët e fundit takimi për zbatimin e projektit BID, “Kalaja e Elbasanit”, një investim i mbështetur nga Fondacioni Shqiptaro–Amerikan për Zhvillim (AADF) dhe i konceptuar nga studioja prestigjioze MVM Architecture.

Në takimin e zhvilluar morën pjesë kryetari i bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, drejtuesi politik i qarkut, Arbjan Mazniku, përfaqësues të AADF dhe të MVM Architecture. Pas takimit, ata vizituan nga afër kalanë historike, ku panë pikat më të rëndësishme ku do të kryhen ndërhyrjet dhe diskutuan mbi hapat konkretë për rivitalizimin.

Projekti parashikon rikualifikimin urban të hapësirave brenda kalasë, përmirësimin e infrastrukturës publike për banorët dhe vizitorët, restaurimin e monumenteve me vlerë historike, si dhe nxitjen e aktiviteteve kulturore e artistike.

Po ashtu, do të mbështeten bizneset tradicionale që operojnë brenda mureve të kalasë.

Kryetari i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, tha se “ky projekt është një hap i madh për qytetin. Pas dekadash pritjeje, ne tashmë kemi hyrë në fazën konkrete të punës. Kalaja do të rikthehet në vlerat e saj maksimale, duke u bërë jo vetëm simbol i identitetit historik, por edhe motor i zhvillimit turistik dhe ekonomik të Elbasanit”.

Në fokus të ndërhyrjeve do të jenë gjithashtu shtëpia e Aleksandër Xhuvanit, shtëpia e Kostandin Kristoforidhit, Xhamia Mbret dhe shtëpia e Lef Nosit, të cilat pritet të rivitalizohen si destinacione kulturore e muzeale.

“Ky projekt lidhet edhe me një vizion më të gjerë të zhvillimit turistik të qytetit, përfshirë atraksione si Gjinari, Tregani e Funari”, u shpreh Llatja.

Sipas tij, ky projekt ambicioz nuk është vetëm një hap drejt ruajtjes së historisë, por edhe një motor për zhvillimin ekonomik të qytetit, duke kthyer kalanë e Elbasanit në një shembull të suksesit kombëtar.

Më 11 janar të këtij viti në Elbasan u nënshkrua memorandumi i mirëkuptimit mes bashkisë Elbasan, Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) dhe Ministrisë së Shtetit për Pushtetin Vendor (MSHPV) për rikualifikimin e lagjes “Kala” të qytetit.

Kalaja e Elbasanit është e vetmja kala fushore në Shqipëri, e ndërtuar në shekullin XV mbi themele më të hershme iliro-romake. Brenda mureve të saj ndodhen objekte të kultit me vlerë të veçantë historike, si Xhamia Mbret, kisha ortodokse, ndërsa jashtë mureve gjendet edhe kisha katolike.

Kjo kala përfaqëson një ndërthurje unike të trashëgimisë kulturore, fetare dhe arkitektonike, duke e bërë një nga monumentet më të rëndësishme të qytetit dhe të vendit.

Kalaja e Elbasanit mbetet një nga atraksionet kryesore historike dhe turistike të Shqipërisë, duke ruajtur gjurmët e të tri periudhave historike. Ky monument i jashtëzakonshëm dëshmon për rëndësinë strategjike dhe kulturore të qytetit në histori, ndërsa projektet e fundit synojnë të ruajnë dhe të promovojnë këtë trashëgimi unike.