Rritet fluksi i qytetarëve në zyrat e e-Shërbimeve, kursime deri në 340 mijë lekë në ditë
Qytetarët e Elbasanit po përdorin gjithnjë e më shumë zyrat e reja të e-Shërbimeve, të cilat ofrojnë lëshim certifikatash, aplikime për akte gjendjeje civile, pasaporta, shërbime kadastrale, aplikime pranë OSHEE dhe Tatim-Taksat, si dhe ndihmë për përdorimin e portalit e-Albania.
Prej tre javësh, nga hapja e zyrave të e-Shërbimeve, Bashkia Elbasan ka vënë re një rritje të vazhdueshme të fluksit të qytetarëve që drejtohen për të marrë shërbime të ndryshme.
Vetëm javën e fundit, mesatarisht çdo ditë janë kryer 30 aplikime pranë ASHK, 35 pranë ISSH, 10 për pasaportë, 50 certifikata 10 dëshmi penaliteti,15 aplikime për shërbimet e Zyrës së Punës, 20 vërtetime për shërbimet e Tatim-Taksave.
Përveç lehtësimit të procedurave, qytetarët përfitojnë kursime mesatare prej 2,000 lekësh, që për fluksin ditor prej 150–170 personash arrijnë deri në 340,000 lekë.
Çdo javë, numri i qytetarëve që kanë frekuentuar këto zyra varion nga 120 deri në 170, duke dëshmuar rëndësinë e tyre në jetën e përditshme.
Nga sot, pagesa e taksave të mjeteve mund të bëhet online përmes e-Albania në zyrat e e-Shërbimeve, duke kursyer mbi 11,500 ditë pune, 4.7 milion km rrugë dhe 331 mijë litra karburant. Bashkia synon të zgjasë dhe përmirësojë më tej këto shërbime, duke i bërë më të pranueshme dhe efikase për qytetarët.