Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Muaj: Shtator 2025

Byshek Fest/ Festa që bashkon natyrën, traditën dhe argëtimin

Të shtunën, më 20 Shtator, duke nisur nga ora 10:00, në fshatin piktoresk të Byshekut do të zhvillohet një festë unike që sjell bashkë natyrën, kulturën dhe argëtimin, nën kujdesin e kryetarit të Bashkisë Elbasan, z. Gledian Llatja.

Vizitorët do të kenë mundësinë të shijojnë muzikë live me atmosferë festive, ushqime tradicionale të zonës, aktivitete sportive dhe zbavitëse në natyrë – një ditë të mbushur me energji dhe mikpritje karakteristike të banorëve.

“Byshek Fest” synon të promovojë vlerat natyrore dhe kulturore të zonës, duke e kthyer këtë fshat në një destinacion turistik për qytetarët e Elbasanit dhe më gjerë.

Bashkia Elbasan fton të gjithë qytetarët të bëhen pjesë e kësaj feste të bukur, që do të sjellë jo vetëm argëtim, por edhe mundësinë për të zbuluar një perlë turistike të qytetit tonë.

20 Shtator – Ora 10:00
 Një festë për të gjithë, mes natyrës, traditës dhe argëtimit!

Mbështesim bizneset familjare që krijojnë punësim dhe zhvillim për Elbasanin

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, zhvilloi një vizitë në punishten e Sajmirit, një biznes familjar që prej 12 vitesh është kthyer në një histori suksesi në fushën e përpunimit të melaminës MGF për mobilie. Me punë të përkushtuar dhe vizion të qartë, Sajmiri së bashku me familjen e tij ka arritur të ndërtojë një aktivitet që sot punëson 10 qytetarë dhe 3 anëtarë të familjes, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm për punësimin dhe ekonominë e qytetit.

Kërkesat për shërbimet e kësaj punishteje janë në rritje të vazhdueshme, duke dëshmuar për cilësinë dhe besueshmërinë që Sajmiri dhe ekipi i tij kanë krijuar ndër vite. Ky biznes është shembull i qartë se si sipërmarrjet familjare, me vullnet dhe këmbëngulje, jo vetëm që mbijetojnë, por edhe rriten duke gjeneruar mundësi të reja zhvillimi.

Gjatë vizitës Llatja shprehu vlerësimin e tij për këtë model suksesi dhe theksoi angazhimin e Bashkisë Elbasan për të qenë gjithmonë pranë sipërmarrësve lokalë. “Sipërmarrës si Sajmiri janë modeli i duhur i zhvillimit. Bashkia Elbasan do të jetë gjithmonë pranë tyre për të dhënë mbështetjen e nevojshme që puna dhe vizioni i tyre të rriten edhe më shumë.”

Mbështetja e bizneseve të vogla dhe të mesme mbetet një prioritet i Bashkisë Elbasan, pasi ato janë baza e ekonomisë vendore, krijojnë vende pune dhe forcojnë mirëqenien e qytetarëve.

Fëmijët në qendër të sigurisë rrugore gjatë Javës Europiane të Lëvizshmërisë

Në kuadër të Javës Europiane të Lëvizshmërisë 2025, Bashkia Elbasan në bashkëpunim me DPSHTRR, Kryqin e Kuq dhe partnerë të tjerë organizoi një aktivitet edukues me fokus tek siguria rrugore për fëmijët.

Gjatë këtij aktiviteti u zhvilluan demonstrime interaktive, ushtrime mbi sinjalistikën rrugore si dhe trajnime mbi ndihmën e parë, duke e bërë të prekshme për fëmijët rëndësinë e respektimit të rregullave të qarkullimit.

Në mesin e fëmijëve që morën pjesë ishte edhe kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, i cili theksoi se siguria në rrugë nis nga edukimi i brezit të ri, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm drejt vizionit për një qytet më të sigurt dhe të aksesueshëm për të gjithë.

Gazmend Xhaferri i dhuron qytetit një murale mbresëlënëse

Në zemër të Elbasanit, pranë Postës Qendrore, një mur i zakonshëm është shndërruar në një faqe arti që flet me ngjyra. Pas tij qëndron duart e arta të artistit Gazmend Xhaferri, i cili prej vitesh ka ditur të ngjyrosë historinë e qytetit, herë në telajo dhe herë në hapësira publike.

Murali i ri është më shumë se një vepër estetike, ai është një rrëfim i gjallë i kujtesës së qytetit. Në të pasqyrohen elementë të trashëgimisë kulturore, arkitekturës së vjetër dhe jetës së përditshme që ka ndërtuar identitetin e Elbasanit ndër shekuj. Çdo detaj i pikturës, nga ngjyrat e ngrohta te format simbolike, është një ftesë për të ndaluar, për të parë dhe për të reflektuar mbi rrënjët tona.

Kjo murale e kthen hapësirën publike në një galeri arti të hapur, duke i dhuruar qytetit jo vetëm bukuri, por edhe një lidhje të re mes të kaluarës dhe së tashmes. Vepra e Gazit dëshmon se arti nuk është i kufizuar brenda mureve të muzeve, por mund të jetojë përditë mes njerëzve, t’i shoqërojë ata në rrugët ku kalojnë dhe t’i bëjë më krenarë për vendin e tyre.

Me këtë krijim, Gazmend Xhaferri forcon edhe një herë rolin e tij si artist që nuk thjesht pikturon, por rrëfen, kujton dhe gjallëron historinë e qytetit në çdo penelatë.

NJOFTIM PËR PËRFITIM BURSE

Në mbështetje të VKM-së nr 666 datë 10.10.2019 “Për kuotat financiare të ushqimit në mensa e konvikte dhe përcaktimin e kritereve për përfitimin e bursave e të pagesave për nxënësit e arsimit parauniversitar si dhe format e tjera të përkujdesjes ndaj kategorive të veçanta në institucionet arsimore parauniversitare publike” i ndryshuar,  Bashkia Elbasan fton të gjithë nxënësit, të cilët ndjekin arsimin parauniversitar publik me kohë të plotë, përfshirë këtu edhe arsimin profesional, për vitin shkollor 2025-2026, të aplikojnë për bursë në përputhje me kriteret e vendosura në VKM-në nr.666/2019 të ndryshuar dhe kuotat e akorduara nga MAS dhe MEKI.

Dokumentacioni i nevojshëm për përfitim burse do të dorëzohet nga nxënësi apo kujdestarët ligjorë pranë shkollës në të cilën nxënësi ndjek studimet, ku do të marrin dhe informacionin e detajuar mbi dokumentacionin e nevojshëm për cdo kriter.

Afati i dorëzimit të dokumentacionit është data 10.10.2025

Suksese!

Të rinjtë e Elbasanit në aksion për lumin Shkumbin, pastrim dhe monitorim sipas metodologjisë OSPAR

Me energjinë që i karakterizon, shumë të rinj dhe vullnetarë u angazhuan në pastrimin dhe monitorimin e lumit Shkumbin, i cili përshkon qytetin e Elbasanit dhe është një pasuri natyrore e çmuar për komunitetin.

Aksioni u zhvillua në bashkëpunim mes Bashkisë së Elbasanit dhe organizatave mjedisore, duke ndjekur metodologjinë ndërkombëtare OSPAR.

Ky aktivitet nuk është i pari dhe nuk do të mbetet i fundit. Ai është pjesë e një angazhimi të përbashkët që do të vijojë, për të mbrojtur rrjedhën e Shkumbinit dhe për të rritur ndërgjegjësimin qytetar mbi rëndësinë e ruajtjes së mjedisit.

 Përmes këtyre nismave të përbashkëta, Elbasani po hedh hapa të qëndrueshëm drejt një qyteti më të pastër, më të gjelbër dhe më miqësor me natyrën.

Elbasani nënkampion në Peshëngritje dhe shkëlqim në Not me medalje të shumta

Klubi Shumësportësh Elbasani ka shënuar një tjetër sukses të rëndësishëm në arenën kombëtare, duke u shpallur Nënkampion i Shqipërisë në Peshëngritje dhe duke u dalluar në Kampionatin e Notit në Durrës me medalje ari, argjendi dhe bronzi nga sportistët e rinj.

Në Kupën e Republikës për të rritur në Peshëngritje, një nga garat më prestigjioze të këtij sporti, Elbasani mori pjesë me 5 sportistë, të cilët treguan performanca të shkëlqyera. Franko Ferra dhe Kejdi Tafani u shpallën kampionë kombëtarë. Alban Hoxha (88 kg) dhe Albert Meta (109 kg) fituan vendin e dytë. Kristi Muca u rendit i katërti në kategorinë e tij.

Me këto rezultate, ekipi u shpall nënkampion i Shqipërisë, duke fituar medaljen e argjendtë.

Në Kampionatin e Notit në Durrës, sportistët elbasanas shkëlqyen në të gjitha kategoritë e moshave:

Jakobo Xhindoli, vendi i parë në 200 m delfin dhe vendi i dytë në 100 m delfin.

Joan Kacollja (deri 10 vjeç): 4 vende të para.

Ajlin Talelli (deri 12 vjeç): 2 vende të para dhe 2 vende të dyta.

Amina Tola dhe Euan Gjevori (deri 12 vjeç): respektivisht vendi i dytë dhe i tretë.

Ami Braho (deri 14 vjeç): vendi i tretë.

Stafeta e klubit (deri 12 vjeç): vendi i tretë.

Këto arritje pasqyrojnë punën e palodhur të trajnerëve dhe përkushtimin e sportistëve të rinj, duke dëshmuar se Elbasani mbetet një vatër e talenteve dhe një kontribuues i rëndësishëm në zhvillimin e sportit shqiptar.

Elbasani me transport urban të qëndrueshëm, nënshkruhet marrëveshja me GIZ

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, dhe përfaqësues të GIZ nënshkruan Marrëveshjen e Mirëkuptimit për projektin “Transporti Urban i Qëndrueshëm në Shqipëri (SUTiII)”, një iniciativë që synon modernizimin e sistemit të transportit publik dhe promovimin e lëvizjes së gjelbër në qytet.

Ky projekt vjen në vazhdën e bashkëpunimit afatgjatë mes Bashkisë Elbasan dhe GIZ, i cili ndër vite ka sjellë mbështetje konkrete dhe nisma për qëndrueshmërinë mjedisore.

Kryebashkiaku Llatja theksoi se kjo marrëveshje është një hap i rëndësishëm drejt një qyteti më modern, më të gjelbër dhe më të aksesueshëm për të gjithë qytetarët, ndërsa përfaqësuesit e GIZ vlerësuan Elbasanin si një partner kyç në zbatimin e projekteve që kanë ndikim të drejtpërdrejtë tek komuniteti.