Laboratorë, klasa e terrene të reja sportive në gjimnazin “Kostandin Kristoforidhi”
Gjimnazi “Kostandin Kristoforidhi” në Elbasan ka rilindur duke ruajtur identitetin, por duke përmirësuar dhe modernizuar ambientet për mbi 600 nxënësit e tij, me laboratorë, klasa dhe terrene të reja sportive, si dhe mjedise shtesë që do t’i shërbejnë mësimdhënies dhe aktiviteteve komunitare.
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, vizitoi nga afër shkollën, një investim i përbashkët i Ministrisë së Arsimit dhe Bashkisë Elbasan, ku u shoqërua nga kryetari i bashkisë, Gledian Llatja.
“Shkolla pas rindërtimit dhe shtimit të hapësirave ka gjithë potencialin të zhvillojë edhe programe si ai ‘Art dhe Zeje’. Me kryetarin e bashkisë kemi një projekt që duam ta zhvillojmë, me qëllim që përveç këtyre gjërave ‘tekno’ të merremi pak edhe me natyrën”, tha ministrja Kumbaro.
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, u shpreh se “me rikonstruksionin total të shkollës u bënë edhe shtesa, për t’iu përgjigjur numrit të madh të nxënësve. Gjithashtu terrenet sportive janë të reja dhe ambientet janë pajisur me ngrohje qendrore, sisteme emergjence, etj.”
Ai shtoi se “brenda javës së ardhshme do të nisë rikonstruksioni i gjimnazit ‘Dhaskal Todri’, ndërsa janë në proces projektimi rikonstruksionet për dy gjimnazet e tjera qendrore të qytetit, ‘Vasil Kamami’ dhe ‘Ahmet Dakli’. Dy vite më parë kemi përfunduar edhe rikonstruksionin e shkollave profesionale ‘Sali Ceka’, me standarde shumë të mira.”
Ndërkohë, në qarkun e Elbasanit, nis së shpejti edhe rikonstruksioni i shkollës “Dhaskal Todri”, si dhe janë në projekt ritransformimi edhe dy gjimnaze të tjera.