Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 4 Nëntor 2025

Gledian Llatja panelist në Konferencën Rajonale për të Ardhmen Industriale të Gjelbër

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, mori pjesë si panelist në Konferencën Rajonale “Accelerated Zones and One-Stop Shops for Green Deployment”, me temë “Rruga e Ballkanit Perëndimor drejt një të ardhme industriale të gjelbër”.
Konferenca mblodhi përfaqësues të qeverive lokale, organizatave ndërkombëtare dhe aktorëve të zhvillimit ekonomik nga i gjithë rajoni, për të ndarë praktika dhe ide mbi mënyrat e nxitjes së transformimit të gjelbër në Ballkanin Perëndimor.

Në fjalën e tij, kryebashkiaku Llatja theksoi rëndësinë e fuqizimit të bashkive dhe të rolit të tyre në drejtimin e këtij procesi, përmes thjeshtimit të procedurave të lejeve, tërheqjes së investimeve dhe përdorimit të modeleve të reja zhvillimore, si “one-stop shops” për investitorët.

“Nga rijetëzimi i zonave industriale të braktisura deri te rritja e besimit të investitorëve, fokusi ynë mbetet tek kthimi i politikave të gjelbra në rezultate konkrete në terren,” u shpreh Llatja.

Diskutimet u përqendruan në krijimin e zonave të përshpejtuara zhvillimore dhe qendrave me një ndalesë si instrumente kyçe për të tërhequr investime të gjelbra, për të përmirësuar mjedisin e biznesit dhe për të nxitur zhvillimin industrial të qëndrueshëm në rajon.

Konferenca u organizua në kuadër të bashkëpunimit rajonal për ekonominë e gjelbër.

Llatja &Kumbaro në shkollën artistike “Onufri” në Elbasan, investim për artin dhe arsimin

Pas disa dekadash, Ministrja e Arsimit dhe Kulturës, Mirela Kumbaro, është rikthyer në shkollën ku nisi hapat e parë të edukimit dhe dashurisë për artin, shkollën artistike “Onufri” në Elbasan.

Një vizitë e ngrohtë dhe plot emocione, ku ajo është pritur nga kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, drejtori i shkollës Ilir Zdrava, mësuesit dhe nxënësit e këtij institucioni që sot është shndërruar në një model të edukimit artistik dhe bashkëkohor.

E shoqëruar nga kryebashkiaku Gledian Llatja, ministrja Kumbaro vizitoi palestrën, bibliotekën dhe studiot artistike të shkollës, ku pa nga afër punimet e nxënësve dhe ndryshimet që i kanë dhënë “Onufrit” një pamje të re, por që ruan shpirtin e krijimtarisë që e ka karakterizuar gjithmonë.

Kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, tha se ky është një investim i rëndësishëm për arsimin dhe artin në qytet.

“Kënaqësi t’i tregoja Ministres së Arsimit, znj. Mirela Kumbaro, sa e bukur është bërë shkolla ‘Onufri’, falë investimit të Ministrisë së Arsimit dhe Bashkisë Elbasan, vendi ku ajo dikur mori dijet e para dhe plot dashuri nga mësuesit tanë.

Sot ‘Onufri’ është një model i shkollës moderne dhe krenaria jonë, prej nga kanë dalë shumë artistë të talentuar. Me të njëjtin ritëm do të vijojmë edhe gjatë vitit të ardhshëm, me rikonstruksionin e tre shkollave të tjera në Elbasan, sepse besojmë fort se investimi më i vlefshëm është ai për arsimin dhe fëmijët tanë.

Në këtë vizitë, ministrja dhe kryebashkiaku ndanë edhe tituj mirënjohjeje për personalitete të artit dhe mësimdhënies që kanë lënë gjurmë në qytetin e Elbasanit.

Profesori Sopot Serica u nderua me motivacionin: “Për interpretimin virtuoz dhe harmoninë e shpirtit që solli dritë në skenë dhe frymëzim në mësimdhënie për brezat.”

Ndërsa skulptori Vladimir Caridha, autor i shumë veprave monumentale në qytet, u nderua për kontributin e tij me motivacionin:

“Për duart që skalitën artin dhe shpirtin që frymëzoi brezat artistikë.”

“Është nder i madh për qytetin tonë të kemi artistë si profesor Caridha, që edhe pse në pension, vijon të krijojë çdo ditë në studion e tij. Elbasani ka një trashëgimi të pasur artistike dhe njerëz që e mbajnë gjallë atë,”  u shpreh kryebashkiaku Llatja.

Vizita u mbyll me një koncert artistik të përgatitur nga nxënësit, që sollën në skenë muzikë,  duke përcjellë energjinë e brezit të ri të artistëve elbasanas.