Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 6 Nëntor 2025

180 vullnetarë në aksion pastrimi në Fushë-Buall: Bashkia Elbasan dhe Organizata “Rrjedha” për një mjedis më të pastër.

Një aksion i gjerë pastrimi është zhvilluar në fshatin Fushë-Buall, në njësinë administrative Shushicë, ku rreth 180 vullnetarë janë bërë pjesë e nismës për pastrimin e përrenjve malorë.

Ky aktivitet u organizua në bashkëpunim mes Bashkisë Elbasan dhe Organizatës “Rrjedha”, që për herë të katërt ndërmerr veprime konkrete për mbrojtjen e rrjedhave ujore në zonat malore.

Përroi i Fushë-Buallit njihet si një nga zonat më të bukura dhe më të pasura me burime ujore, me potencial të madh turistik, por është prekur nga mbetjet që hidhen pa kriter nëpër përrenj, të cilat më pas përfundojnë në rrjedhën e lumit Shkumbin dhe në tokat bujqësore të Shushicës.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, gjatë aksionit tha se përveç pastrimit fizik, është ndërmarrë edhe një sesion informimi për banorët e zonës mbi rëndësinë e ruajtjes së mjedisit.

“Kemi nisur një fushatë ndërgjegjësuese që banorët të hedhin mbetjet në vendet e caktuara dhe jo në përrenjtë malorë. Falenderoj organizatën ‘Rrjedha’ për bashkëpunimin, sepse qëllimi ynë është t’i kemi të pastra të gjitha rrjedhat malore, në mënyrë që mbetjet e malit të mos përfundojnë në lumë e më pas në det. Kjo është një sipërmarrje që do ta vazhdojmë në të gjitha zonat malore”, u shpreh Llatja.

Në aksion morën pjesë edhe nxënës të shkollave të zonës, të cilët kontribuan në pastrimin dhe sensibilizimin e komunitetit për mbrojtjen e mjedisit.

Përfaqësuesja e Organizatës “Rrjedha” theksoi se bashkëpunimi me Bashkinë Elbasan dhe njësinë administrative Shushicë është pjesë e një projekti më të gjerë që synon ruajtjen e ekosistemeve ujore dhe promovimin e turizmit të qëndrueshëm në zonat malore.

“Ky është aksioni ynë i katërt në këtë territor. Synimi është të pastrojmë çdo përrua që derdhet në Shkumbin, duke reduktuar ndotjen dhe duke kthyer natyrën në gjendjen e saj të pastër”, u shpreh ajo.

 Nisma “Rrjedha” pritet të shtrihet edhe në zona të tjera të Bashkisë Elbasan në javët në vijim, me fokus te pastrimi i burimeve malore, edukimi mjedisor dhe përfshirja e sa më shumë vullnetarëve të rinj.

Lleshani, fshati i lashtë me histori dhe arkeologji të pasur


Në zemër të Shpatit, vetëm 15 km larg Elbasanit, fshihet Lleshani, një fshat me histori mijëvjeçare, ku natyra dhe trashëgimia kulturore bashkohen në një peizazh magjik. Nga rrënojat e kalasë së Gurit deri te legjendat e Dushkut të Lleshanit, çdo gur dhe çdo shteg flet për një qytetërim të lashtë që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Shqipërisë.

Lleshani shtrihet në një lartësi mbi 1200 metra mbi nivelin e detit, mes maleve që rrethojnë Elbasanin në lindje. Pozicioni i tij strategjik e ka bërë dikur një pikë të fortë mbrojtjeje dhe rezistence ndaj pushtimeve të huaja. Sipas burimeve historike, në këto anë është luftuar “vënçe”, ndërsa otomanët nuk arritën kurrë të shtrinin plotësisht regjimin e tyre.

Në majën shkëmbore ndodhen rrënojat e kalasë së Lleshanit, një fortifikim i lashtë që dëshmon për një vendbanim të hershëm me rëndësi strategjike dhe tregtare. Aty janë zbuluar fragmente qeramike dhe gurë të punuar, dëshmi të një aktiviteti të dendur që nga periudha e bronzit të vonë e deri në Mesjetë.

Rreth viteve 1500, në fshat u ngrit Kisha e Shën Mërisë, një monument i veçantë për arkitekturën dhe vlerën shpirtërore që mbartte. Përballë saj ngrihej kështjella ku gjenin strehë karvanet e rrugës antike “Via Egnatia” dhe pelegrinë të shumtë. Edhe pse sot kisha është në rrënoja, vendi mbetet i shenjtë dhe vizitohet çdo vit nga banorët dhe pelegrinët në fund të gushtit.
Pak para qendrës së fshatit, ndodhet Dushku i Lleshanit, një pemë e lashtë me histori të rrëfyer brez pas brezi. Sipas legjendës, aty u varros një foshnje e etur dhe e lodhur nga një familje udhëtarësh, dhe mbi varrin e saj u rrit filizi i dushkut që sot është monument natyre. Banorët e zonës ruajnë këtë histori si simbol të kujtesës, jetës dhe besës, duke e kthyer vendin në një pikë të dashur për vizitorët.

Në majën e kodrës ku sot qëndrojnë rrënojat e Kalasë, dikur lulëzoi një vendbanim ilir i fortifikuar, i datuar në shekullin XII para erës sonë, në epokën e bronzit të vonë. Në shtresat arkeologjike janë zbuluar elementë të periudhës së hekurit dhe gjurmë të një kulture të përbashkët me fiset ilire. Vendndodhja strategjike mes maleve të Shpatit dhe rrugëve që lidhin jugun me veriun, e bëri Lleshanin një nyje lidhjeje dhe tregtie që për shekuj bashkonte kulturat dhe njerëzit.

Kalaja e Gurit, e ndërtuar me blloqe të mëdha guri që edhe sot qëndrojnë të forta, ka qenë jo vetëm strehë mbrojtjeje, por edhe qendër kulti dhe tregtie. Brenda mureve të saj janë gjetur fragmentë qeramike, enë balte, gurë të punuar dhe objekte bronzi që dëshmojnë një jetë të organizuar qytetare dhe fetare. Në vitet ’70, gjatë gërmimeve arkeologjike, u zbulua një thesar i jashtëzakonshëm me rreth 3,000 monedha antike, të vendosura në dy enë bronzi. Monedhat i përkasin periudhave të ndryshme, nga qytete greke, ilire dhe romake, duke dëshmuar lidhje të gjera tregtare dhe kulturore. Mes tyre u gjet edhe një monedhë romake e vitit 61 para erës sonë, që ndihmoi studiuesit të datonin fshehjen e thesarit.

Materialet e gjetura përfshijnë gjithashtu figura terrakote që paraqesin kokën e lopes, simbol i pjellorisë , dhe objekte artistike, të cilat tregojnë se Lleshani ka qenë një qendër kulti, tregtie dhe arti. Cdo gur dhe çdo copëz qeramike flet ende me zërin e kohës, duke ruajtur kujtesën e një qytetërimi të lashtë që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Elbasanit dhe të gjithë Shqipërisë.

Një vizitë në Lleshan nuk është thjesht një udhëtim drejt një kalaje të vjetër, është një takim me fillimin e historisë. Kur ngjitesh në kodrën e Gurit dhe sheh horizontin e gjelbër të Shpatit, kupton pse ilirët zgjodhën këtë vend për të jetuar dhe për të adhuruar zotat e tyre. Në pranverë, pyjet mbushen me lule dhe aromë sherebele, ndërsa në vjeshtë gjethet e arta e kthejnë gjithë zonën në një tablo që flet me gjuhën e lashtësisë.