Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 7 Nëntor 2025

Bashkia Elbasan asistencë falas për qytetarët në përdorimin e platformës e-Albania

Bashkia Elbasan vijon të qëndrojë pranë qytetarëve duke ofruar asistencë falas për përdorimin e platformës elektronike e-Albania, me qëllim lehtësimin e marrjes së shërbimeve publike dhe rritjen e aksesit në shërbimet digjitale.

Në të gjitha zyrat e bashkisë dhe njësive administrative, qytetarët që kanë nevojë për ndihmë në aplikime, plotësim formularësh apo procedura të tjera online, mund të marrin mbështetjen e nevojshme nga stafi i dedikuar, në mënyrë të sigurt, të saktë dhe pa asnjë kosto.

Veçanërisht, vëmendje e veçantë i kushtohet pensionistëve dhe shtresave në nevojë, të cilët shpesh hasin vështirësi me përdorimin e shërbimeve digjitale. Stafi i Bashkisë Elbasan është i angazhuar t’i udhëheqë hap pas hapi në çdo procedurë, duke garantuar që asnjë qytetar të mos mbetet pa shërbimin që i takon.

Kjo nismë është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të Bashkisë Elbasan për të ofruar shërbime më pranë qytetarëve, duke e bërë administratën lokale më të afërt, më efikase dhe më njerëzore. Kujdesi për qytetarët nuk është vetëm detyrë, por përgjegjësi dhe respekt.

Kosha të rinj për menaxhimin e mbetjeve, nisma e Bashkisë në të gjitha njësitë administrative

Bashkia Elbasan, nën drejtimin e Kryetarit Gledian Llatja, ka nisur një nismë të re që synon përmirësimin e cilësisë së shërbimeve publike dhe mirëmbajtjen e hapësirave të përbashkëta në të gjithë territorin e bashkisë.

Nëpërmjet Agjencisë së Shërbimeve Publike, ka filluar vendosja e koshave të rinj të mbeturinave në të gjitha njësitë administrative, si pjesë e planit të Bashkisë për rritjen e standardeve të higjienës urbane.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, z. Gledian Llatja, ka theksuar se ky investim është pjesë e vizionit për një qytet më të pastër, dhe më të qëndrueshëm mjedisor. “Pastrimi dhe mirëmbajtja e hapësirave publike janë pjesë e një strategjie të gjerë për zhvillim të qëndrueshëm. Ne po punojmë çdo ditë që Elbasani të jetë një shembull në menaxhimin e mbetjeve dhe në ndërgjegjësimin qytetar për kujdes ndaj mjedisit,” u shpreh Llatja.

Bashkia Elbasan fton qytetarët dhe bizneset të bashkëpunojnë, duke hedhur mbetjet vetëm në vendet e përcaktuara dhe duke kontribuar së bashku për një mjedis më të pastër dhe të shëndetshëm për të gjithë.

Elbasani drejt furnizimit me ujë 24 orë në ditë!

Një nga objektivat më të rëndësishëm për qytetin e Elbasanit, furnizimi i qëndrueshëm me ujë të pijshëm 24 orë në ditë, po bëhet realitet falë investimeve të reja që po ndërmerren në këtë drejtim.

Në mbledhjen e fundit të Këshillit Teknik të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve, është miratuar projekti “Rehabilitimi i rrjetit të ujësjellësit të qytetit të Elbasanit”, një ndërhyrje e rëndësishme që do të mundësojë përmirësimin e ndjeshëm të furnizimit me ujë për të gjithë qytetarët.

Ky projekt parashikon modernizimin e rrjetit ekzistues, uljen e humbjeve teknike, si dhe rritjen e cilësisë së shërbimit, me qëllim që çdo banor i Elbasanit të ketë ujë të pijshëm pa ndërprerje, 24 orë në ditë.

Në këtë mbledhje mori pjesë edhe Kryetari i Bashkisë Elbasan, z. Gledian Llatja, i cili vlerësoi miratimin e projektit si një hap të madh përpara në përmirësimin e jetesës së qytetarëve dhe forcimin e shërbimeve bazë që garanton bashkia.

Ai theksoi se Bashkia Elbasan do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me institucionet qendrore për të siguruar që çdo investim të sjellë ndikim real në përditshmërinë e komunitetit.

Me këtë projekt, Bashkia Elbasan po rrit standardet e shërbimeve publike dhe po e kthen qytetin në një model të qëndrueshëm, të pastër dhe me infrastrukturë moderne që i përgjigjet nevojave të çdo banori.