Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 10 Nëntor 2025

Prezantohet raporti i parë për pjesëmarrjen publike në qeverisjen mjedisore

Në ambientet e Bashkisë Elbasan u zhvillua sot takimi me përfaqësuesit e projektit rajonal “Convergence for Environmental Justice (CEJ)”, një nismë e financuar nga Agjencia Franceze për Zhvillim (AFD) dhe Expertise France, ku u prezantua Raporti i Vlerësimit të Nevojave për Pjesëmarrjen Publike në Qeverisjen Mjedisore.

Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të projektit CEJ, AFD, Expertise France, drejtues të Bashkisë Elbasan, anëtarë të Forumit të Qeverisjes së Hapur (OGP Local) dhe përfaqësues të organizatave partnere të shoqërisë civile.

E pranishme në takim ishte edhe Nënkryetarja e Bashkisë Elbasan, znj. Klaudja Krasnika, e cila theksoi rëndësinë e forcimit të partneritetit mes institucioneve vendore dhe komunitetit në ndërtimin e një qeverisjeje më të hapur dhe më të gjelbër.

“Bashkia Elbasan ka qenë gjithmonë e angazhuar për të ndërtuar politika mjedisore të bazuara në pjesëmarrjen e qytetarëve dhe transparencë institucionale. Ky raport përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të kulturës së bashkëpunimit dhe llogaridhënies në nivel vendor,”  u shpreh znj. Klaudja Krasnika, Nënkryetare e Bashkisë Elbasan.

Raporti, i përgatitur gjatë vitit 2025 në bashkëpunim me strukturat e Bashkisë Elbasan, ofron një analizë të thelluar mbi mënyrën se si qytetarët përfshihen në vendimmarrjen mjedisore dhe si mund të përmirësohen mekanizmat e transparencës dhe konsultimit publik.

Në Elbasan janë identifikuar dy fusha pilotuese për zbatim.

Buxhetimi me pjesëmarrje, si një proces tashmë i konsoliduar që garanton zërin e qytetarëve në vendimmarrje. Konsultimet publike për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis (VNM), që do të forcohen përmes bashkëpunimit më të ngushtë midis Bashkisë dhe Agjencisë Rajonale të Mjedisit.

Elbasani është ndër bashkitë e para në vend që ka integruar parimet e Partneritetit për Qeverisje të Hapur (OGP Local) në politikat vendore, duke ndërtuar një forum të përhershëm qytetar për hartimin e politikave lokale. Ky forum do të shërbejë si platformë kyçe për zbatimin e rekomandimeve të raportit CEJ dhe për nxitjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në qeverisjen mjedisore.

Raporti vlerëson Elbasanin si një nga bashkitë me përvojën më të konsoliduar në buxhetimin me pjesëmarrje dhe me potencial për të shndërruar qeverisjen mjedisore në një praktikë model.

Në bashkëpunim me projektin CEJ dhe partnerët ndërkombëtarë, Bashkia Elbasan do të vijojë zbatimin e mjeteve inovative për pjesëmarrje publike, duke ndërtuar një model të qëndrueshëm për qeverisje të hapur dhe të gjelbër.

Shkolla “Naim Frashëri” në Elbasan hyn në fazën e transformimit, mjedise të reja për 730 nxënës

Shkolla “Naim Frashëri” në Elbasan do të jetë një nga kantieret e hapur, pjesë e investimeve për transformimin e infrastrukturës arsimore duke iu nënshtruar një rikonstruksioni total.

Ky investim i shumëpritur do të sjellë ndryshime thelbësisht pozitive për 730 nxënës që do të mësojnë në mjedise të reja me kushte bashkëkohore si dhe për 72 mësuesit që kontribuojnë çdo ditë në edukimin e brezave të rinj.

Rikonstruksioni total i cili do të nisë brenda këtij viti do të përfshijë ndërhyrje të thelluara në të gjithë strukturën e shkollës, duke garantuar siguri, komoditet dhe standarde moderne për një mjedis të denjë arsimor.

“Arsimi është themeli i të tashmes dhe të ardhmes, ndaj përmes këtij investimi dhe jo vetëm, po ndërtojmë më shumë mundësi për fëmijët dhe nxënësit e Elbasanit”, tha kryetari i bashkisë Gledian Llatja.

Prej më shumë se një dekade kjo shkollë kryente mësimin me dy turne dhe gjithnjë ka qenë kërkesë e kreut të bashkisë, duke lobuar në ministrinë dhe qeverinë për rikonstruksionin total të kësaj shkolle të vjetër në Elbasan, e cila ka nxjerrë breza të talentuar nxënësish për më shumë se 50 vite, duke ruajtur një muze të vyer me figurat që u kanë dhënë zë arsimit në Elbasan.

Shkolla “Naim Frashëri” e themeluar për herë të parë në vitin 1908 është një ndër institucionet më të hershme arsimore në qytetin e Elbasanit. Godina aktuale ku funksionon shkolla është ndërtuar në vitin 1967 dhe që prej asaj kohe ka shërbyer si një vatër e rëndësishme formimi për breza të tërë nxënësish. Me një traditë të gjatë dhe staf të përkushtuar pedagogjik, shkolla ka ruajtur një identitet të fortë arsimor, duke kontribuar ndjeshëm në edukimin e fëmijëve të qytetit. Brenda saj ndodhet edhe një kënd muzeal, që përkujton figurat më të shquara që kanë kontribuar në historinë e arsimit në Elbasan.

Me këtë rikonstruksion, ajo nuk do të jetë vetëm një shkollë moderne, por edhe një simbol i respektit për trashëgiminë dhe përkushtimit për të ardhmen.