Turizmi kurativ, një motor i fuqishëm për ekonominë lokale të Treganit
Në Tregan, ku sezoni i turizmit kurativ po i afrohet fundit, ritmi mbetet i pandryshuar: kapacitete të tejmbushura, kërkesë e lartë dhe një fluks i qëndrueshëm vizitorësh. Ky është treguesi më i qartë i potencialit të kësaj zone dhe i rëndësisë që ajo ka fituar për zhvillimin rajonal.
Gjatë vizitës së sotme në Hotel “Miza”, kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, diskutoi me përfaqësues të bizneseve lokale mbi ecurinë e sezonit, sugjerimet dhe sfidat që ata hasin.
Vizitorë nga e gjithë Shqipëria, por edhe nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, zgjedhin Treganin për cilësinë e ujërave termale, mikpritjen tradicionale, çmimet e favorshme dhe natyrën e paprekur që e rrethon.
“Tregani është pjesë e ‘Paketës së Maleve’, një paketë strategjike që synon të forcojë investimet në turizmin malor, atë kurativ dhe në format e tjera të turizmit gjithëvjetor. Kjo zonë është një shembull i qartë se si ndërthuren natyrshëm produktet vendase, agroturizmi dhe turizmi shëndetësor, duke sjellë zhvillim ekonomik të qëndrueshëm,” u shpreh Llatja.
Ai theksoi se investimet në infrastrukturë, në bizneset familjare dhe në promovimin e potencialit natyror e shëndetësor të Treganit do të mbeten ndër prioritetet kryesore të bashkisë. “Çdo investim në këtë zonë përkthehet në më shumë vizitorë dhe më shumë mundësi për komunitetin,” shtoi ai.
Gjatë qëndrimit në llixhat e Treganit, kryetari Llatja bisedoi edhe me pacientët që po marrin trajtime në fund të sezonit kurativ. Ata ndiheshin të kënaqur me kushtet e përmirësuara dhe me shërbimet që ofron kjo zonë, duke theksuar se klima e Treganit është unike dhe se efektet e ujërave termale ndihen që pas ditëve të para të trajtimit.
“Këtu gjejmë qetësi, shërbim shumë të mirë dhe trajtime që vërtet ndihmojnë shëndetin tonë,” u shpreh një vizitor nga Kosova, ndërsa një tjetër nga Divjaka shtoi se “kthimi në Tregan është bërë traditë çdo vit.”
Në vijim, kryetari Llatja solli në vëmendje edhe politikat mbështetëse të qeverisë për shtresat në nevojë, veçanërisht për pensionistët dhe bujqit, duke nënvizuar se rritja e pensioneve do të vijojë çdo vit, sipas prioritetit të përcaktuar nga Kryeministri Edi Rama.
Në fund të sezonit kurativ, Tregani konfirmon edhe një herë se turizmi shëndetësor nuk është vetëm një pasuri natyrore, por një motor i fuqishëm ekonomik për të gjithë zonën, që po tërheq gjithnjë e më shumë investime dhe vizitorë nga i gjithë rajoni.