Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 21 Nëntor 2025

“Shumë Pak Vrasës” ndez skenën e Teatrit “Skampa”, publiku shpërthen në duartrokitje

Netët e komedisë misterioze “Shumë Pak Vrasës” kanë sjellë një atmosferë fantastike në Teatrin “Skampa” të Elbasanit, duke u shndërruar në një nga sukseset më të veçanta të këtij sezoni artistik. Salla u mbush plot me një publik të ngrohtë dhe energjik, i cili e shoqëroi shfaqjen me të qeshura, emocion dhe duartrokitje të pandërprera.

Nën regjinë e Rozi Kostanit, aktorët sollën me mjeshtëri dinamiken e një komedie misterioze plot situata gazmore, ritëm dhe befasi, duke rrëmbyer admirimin e të pranishmëve.

Në skenë interpretuan, Helidon Fino, Ola Harizaj, Marin Orhanasi, Vin Bejleri, Erli Fortuzi, Elona Mamo, Marsias Lila dhe Rudi Koçibelli, të cilët u vlerësuan për lojën e tyre të natyrshme dhe energjinë që sjellin në këtë produksion.

Teatri “Skampa” vijon të pasurojë kalendarin artistik me premiera dhe shfaqje për të gjitha grupmoshat. Krahas komedive dhe dramave për të rriturit, gjatë këtij sezoni po prezantohen edhe shumë shfaqje të dedikuara për fëmijët, duke e kthyer teatrin në një qendër të gjallë të kulturës dhe artit në qytet.

Elbasani drejt partneritetit me EIT RawMaterials për modernizimin e industrisë me teknologji të gjelbra

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, priti në një vizitë pune Ledi Moisiun, Drejtoreshë e Qendrës Rajonale të Inovacionit në Shqipëri, me të cilën diskutoi mbi mundësitë e bashkëpunimit mes EIT RawMaterials, rrjetit më të madh europian të lëndëve të para,dhe Bashkisë Elbasan.

Në qendër të bisedës ishin projektet që synojnë modernizimin e industrisë nxjerrëse dhe përpunuese, përmes nxitjes së teknologjive të gjelbra dhe zgjidhjeve inovative, me fokus te zhvillimi i qëndrueshëm dhe reduktimi i ndikimit në mjedis.

Palët shprehën gatishmërinë për të eksploruar iniciativa të përbashkëta që mund të sjellin investime, rritje të kapaciteteve lokale dhe krijimin e mundësive të reja në sektorët strategjikë për qytetin dhe rajonin e Elbasanit.