Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 25 Nëntor 2025

Elbasani, qyteti i parë që shpalli Pavarësinë më 25 nëntor 1912

Më 25 nëntor 1912, Elbasani u bë qyteti i parë që shpalli Pavarësinë kombëtare, duke vendosur gurin e parë në themelet e shtetit të ri shqiptar. 113 vjet më parë, 35 patriotë nga Elbasani dhe rrethet përreth shpallën Pavarësinë e këtij qyteti në Shqipërinë e Mesme, duke ngritur të parët flamurin kombëtar dhe duke i paraprirë aktit të 28 Nëntorit në Vlorë.

Rruga deri te shpallja e Pavarësisë ishte e vështirë dhe e mbushur me dilema historike. Kryengritjet e njëpasnjëshme të viteve 1910–1911 u shndërruan në parathënie të natyrshme të ngjarjes së madhe të vitit 1912, duke treguar vendosmërinë e shqiptarëve për t’u shkëputur nga Perandoria Osmane. Në të njëjtën kohë, ushtria serbe po përparonte me shpejtësi në trojet shqiptare dhe po i afrohej Elbasanit, çka i vuri rrethet patriotike të qytetit përballë detyrës urgjente për të shpallur Pavarësinë, në mënyrë që autoritetet serbe të viheshin përballë faktit të kryer.

Në këtë klimë tensioni, Aqif Pashë Elbasani, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Ismail Qemalit, luajti rol kyç në kryengritjen e përgjithshme antiosmane të vitit 1912 dhe në organizimin e çetës së Elbasanit. Me mbështetjen e tij, të popullit të qytetit dhe të vetë Ismail Qemalit, më 25 nëntor 1912 u ngrit flamuri kombëtar në Elbasan dhe u shpall Pavarësia, duke i bërë të qartë ushtrisë serbe që po afrohej se kishte hyrë në territore të një Shqipërie të Pavarur.

Shpallja e Pavarësisë në Elbasan ishte njëherësh nder për qytetin dhe e drejtë legjitime për vendin, duke vulosur rolin që Elbasani luajti në historinë e Pavarësisë kombëtare dhe duke e renditur në epiqendrën e ngjarjeve që çuan në krijimin e shtetit shqiptar.

Në kuadër të kësaj date historike, përfaqësues të pushtetit lokal zhvilluan homazhe pranë bustit të Aqif Pashë Elbasanit, të ngritur në qendër të qytetit. Në ceremoni morën pjesë prefekti i qarkut, Ilir Bejtja, deputetët Adi Qose, Aulona Bylykbashi, Sara Mila, Evis Kushi, si edhe qindra qytetarë të Elbasanit, të cilët nderuan figurën dhe kontributin e tij në shpalljen e Pavarësisë.