Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 27 Nëntor 2025

Bashkia Elbasan, mes më të mirave në vend për matjen e performancës

Bashkia Elbasan është renditur ndër pesë bashkitë me performancën më të lartë në Shqipëri, sipas rezultateve të Grantit të Bazuar në Performancë për vitin 2025, të prezantuara gjatë Konferencës Kombëtare të Matjes së Performancës, organizuar nga Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor.

Në këtë aktivitet kombëtar, u vlerësuan bashkitë që kanë arritur standarde të larta në qeverisjen vendore, planifikimin strategjik dhe zbatimin e politikave në nivel lokal. Elbasani ka dalë në pah jo vetëm për performancën e përgjithshme, por edhe për përmbushjen e plotë të kritereve strategjike të skemës së grantit.

Bashkia Elbasan është një nga vetëm tre bashkitë në rang vendi që ka përmbushur të gjashtë planet vendore strategjike të kërkuara:

  • Planin e Mbetjeve
  • Planin Social
  • Planin e Arsimit Parauniversitar
  • Planin e Barazisë Gjinore
  • Planin e Integritetit
  • Planin e Mbarështimit të Pyjeve

Ky vlerësim konsiderohet si rezultat i punës së përbashkët të ekipit të Bashkisë Elbasan, standardeve të larta të planifikimit dhe koordinimit të vazhdueshëm mes drejtorive dhe strukturave të ndryshme vendore. Nëpërmjet zbatimit të këtyre planeve, bashkia ka dëshmuar një qasje të qëndrueshme dhe afatgjatë në menaxhimin e shërbimeve dhe zhvillimin e territorit.

Bashkia Elbasan konfirmon kështu rolin e saj si një model i mirë i transparencës, planifikimit dhe qeverisjes efektive vendore, duke dëshmuar se performanca e matshme dhe llogaridhënia janë në thelb të punës së saj në shërbim të qytetarëve.

296 familje në Elbasan përfitojnë subvencionim qiraje për vitin 2026.

Këshilli Bashkiak miratoi listën emërore të familjeve që do të përfitojnë subvencionim qiraje, për vitin 2026 në Bashkinë e Elbasanit.

Bashkia Elbasan ka aplikuar pranë Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për përfitimin e këtij fondi, i cili do të shërbejë si subvencion qiraje për familjet që përfitojnë nga programet sociale të strehimit.

Nga 346 aplikime të paraqitura, 296 familje plotësuan kriteret ligjore të parashikuara në ligjin “Për Strehim Social” dhe aktet nënligjore janë përfshirë në listën përfituese, hartuar nga Komisioni i Strehimit.

Në përparësi kanë qenë kategoritë sociale më në nevojë, si, individët me status jetimi, personat me aftësi të kufizuara, të moshuarit, viktimat e dhunës në familje, familjet rome dhe egjiptiane, prindërit e vetëm me fëmijë në ngarkim, etj.

Bashkia Elbasan thekson se ky proces është zhvilluar në mënyrë transparente duke garantuar që fondi i subvencionimit të qirasë për vitin 2026 të shkojë tek familjet me të ardhura të pamjaftueshme dhe në nevojë për strehim të sigurt.

Bashkia Elbasan konfirmon edhe një herë se mbetet një bashki sociale, e orientuar drejt mbështetjes së familjeve me të ardhura të ulëta dhe grupeve më vulnerabël. Përmes programeve të tilla të strehimit social, synohet garantimi i një strehimi të sigurt dhe dinjitoz për çdo familje në nevojë.