Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Muaj: Nëntor 2025

Gledian Llatja panelist në Konferencën Rajonale për të Ardhmen Industriale të Gjelbër

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, mori pjesë si panelist në Konferencën Rajonale “Accelerated Zones and One-Stop Shops for Green Deployment”, me temë “Rruga e Ballkanit Perëndimor drejt një të ardhme industriale të gjelbër”.
Konferenca mblodhi përfaqësues të qeverive lokale, organizatave ndërkombëtare dhe aktorëve të zhvillimit ekonomik nga i gjithë rajoni, për të ndarë praktika dhe ide mbi mënyrat e nxitjes së transformimit të gjelbër në Ballkanin Perëndimor.

Në fjalën e tij, kryebashkiaku Llatja theksoi rëndësinë e fuqizimit të bashkive dhe të rolit të tyre në drejtimin e këtij procesi, përmes thjeshtimit të procedurave të lejeve, tërheqjes së investimeve dhe përdorimit të modeleve të reja zhvillimore, si “one-stop shops” për investitorët.

“Nga rijetëzimi i zonave industriale të braktisura deri te rritja e besimit të investitorëve, fokusi ynë mbetet tek kthimi i politikave të gjelbra në rezultate konkrete në terren,” u shpreh Llatja.

Diskutimet u përqendruan në krijimin e zonave të përshpejtuara zhvillimore dhe qendrave me një ndalesë si instrumente kyçe për të tërhequr investime të gjelbra, për të përmirësuar mjedisin e biznesit dhe për të nxitur zhvillimin industrial të qëndrueshëm në rajon.

Konferenca u organizua në kuadër të bashkëpunimit rajonal për ekonominë e gjelbër.

Llatja &Kumbaro në shkollën artistike “Onufri” në Elbasan, investim për artin dhe arsimin

Pas disa dekadash, Ministrja e Arsimit dhe Kulturës, Mirela Kumbaro, është rikthyer në shkollën ku nisi hapat e parë të edukimit dhe dashurisë për artin, shkollën artistike “Onufri” në Elbasan.

Një vizitë e ngrohtë dhe plot emocione, ku ajo është pritur nga kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, drejtori i shkollës Ilir Zdrava, mësuesit dhe nxënësit e këtij institucioni që sot është shndërruar në një model të edukimit artistik dhe bashkëkohor.

E shoqëruar nga kryebashkiaku Gledian Llatja, ministrja Kumbaro vizitoi palestrën, bibliotekën dhe studiot artistike të shkollës, ku pa nga afër punimet e nxënësve dhe ndryshimet që i kanë dhënë “Onufrit” një pamje të re, por që ruan shpirtin e krijimtarisë që e ka karakterizuar gjithmonë.

Kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, tha se ky është një investim i rëndësishëm për arsimin dhe artin në qytet.

“Kënaqësi t’i tregoja Ministres së Arsimit, znj. Mirela Kumbaro, sa e bukur është bërë shkolla ‘Onufri’, falë investimit të Ministrisë së Arsimit dhe Bashkisë Elbasan, vendi ku ajo dikur mori dijet e para dhe plot dashuri nga mësuesit tanë.

Sot ‘Onufri’ është një model i shkollës moderne dhe krenaria jonë, prej nga kanë dalë shumë artistë të talentuar. Me të njëjtin ritëm do të vijojmë edhe gjatë vitit të ardhshëm, me rikonstruksionin e tre shkollave të tjera në Elbasan, sepse besojmë fort se investimi më i vlefshëm është ai për arsimin dhe fëmijët tanë.

Në këtë vizitë, ministrja dhe kryebashkiaku ndanë edhe tituj mirënjohjeje për personalitete të artit dhe mësimdhënies që kanë lënë gjurmë në qytetin e Elbasanit.

Profesori Sopot Serica u nderua me motivacionin: “Për interpretimin virtuoz dhe harmoninë e shpirtit që solli dritë në skenë dhe frymëzim në mësimdhënie për brezat.”

Ndërsa skulptori Vladimir Caridha, autor i shumë veprave monumentale në qytet, u nderua për kontributin e tij me motivacionin:

“Për duart që skalitën artin dhe shpirtin që frymëzoi brezat artistikë.”

“Është nder i madh për qytetin tonë të kemi artistë si profesor Caridha, që edhe pse në pension, vijon të krijojë çdo ditë në studion e tij. Elbasani ka një trashëgimi të pasur artistike dhe njerëz që e mbajnë gjallë atë,”  u shpreh kryebashkiaku Llatja.

Vizita u mbyll me një koncert artistik të përgatitur nga nxënësit, që sollën në skenë muzikë,  duke përcjellë energjinë e brezit të ri të artistëve elbasanas.

Laboratorë, klasa e terrene të reja sportive në gjimnazin “Kostandin Kristoforidhi”

Gjimnazi “Kostandin Kristoforidhi” në Elbasan ka rilindur duke ruajtur identitetin, por duke përmirësuar dhe modernizuar ambientet për mbi 600 nxënësit e tij, me laboratorë, klasa dhe terrene të reja sportive, si dhe mjedise shtesë që do t’i shërbejnë mësimdhënies dhe aktiviteteve komunitare.

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, vizitoi nga afër shkollën, një investim i përbashkët i Ministrisë së Arsimit dhe Bashkisë Elbasan, ku u shoqërua nga kryetari i bashkisë, Gledian Llatja.

“Shkolla pas rindërtimit dhe shtimit të hapësirave ka gjithë potencialin të zhvillojë edhe programe si ai ‘Art dhe Zeje’. Me kryetarin e bashkisë kemi një projekt që duam ta zhvillojmë, me qëllim që përveç këtyre gjërave ‘tekno’ të merremi pak edhe me natyrën”, tha ministrja Kumbaro.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, u shpreh se “me rikonstruksionin total të shkollës u bënë edhe shtesa, për t’iu përgjigjur numrit të madh të nxënësve. Gjithashtu terrenet sportive janë të reja dhe ambientet janë pajisur me ngrohje qendrore, sisteme emergjence, etj.”

Ai shtoi se “brenda javës së ardhshme do të nisë rikonstruksioni i gjimnazit ‘Dhaskal Todri’, ndërsa janë në proces projektimi rikonstruksionet për dy gjimnazet e tjera qendrore të qytetit, ‘Vasil Kamami’ dhe ‘Ahmet Dakli’. Dy vite më parë kemi përfunduar edhe rikonstruksionin e shkollave profesionale ‘Sali Ceka’, me standarde shumë të mira.”

Ndërkohë, në qarkun e Elbasanit, nis së shpejti edhe rikonstruksioni i shkollës “Dhaskal Todri”, si dhe janë në projekt ritransformimi edhe dy gjimnaze të tjera.

Dashuria për kulturën nis që në fëmijëri, prezantohet projekti ‘Family Art Guides’”

Bashkia Elbasan, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Turizmit, si edhe Zyrën Vendore të Arsimit  (ZVA)  prezantoi projektin “Family Art Guides,” guidat kulturore të përshtatura posaçërisht për fëmijë.
Ky projekt ka në fokus mënyrën se si brezat e vegjël njihen dhe vlerësojnë trashëgiminë kulturore, duke garantuar që vlerat identitare të qytetit dhe të vendit të përcillen me dashuri brez pas brezi.

Në aktivitet morën pjesë fëmijë nga kopshtet dhe shkollat e qytetit, të cilët përmes lojës dhe interaktivitetit, u njohën me mënyra të reja të interpretimit të kulturës dhe historisë.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, vlerësoi rëndësinë e projektit, duke theksuar se Elbasani po bëhet gjithnjë e më shumë një model në edukimin kulturor të fëmijëve:

“’Family Art Guides’ është një nismë e bukur që i afron fëmijët me trashëgiminë tonë kulturore dhe u mëson atyre ta duan dhe ta ruajnë atë. Është shumë e rëndësishme që edukimi për kulturën të nisë që në moshë të hershme, sepse këta fëmijë janë ambasadorët e ardhshëm të qytetit tonë,” u shpreh Llatja.

Në vijim të angazhimeve për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë, Llatja bëri me dije se Kalaja e Elbasanit, një nga simbolet më të rëndësishme të qytetit, do të restaurohet së shpejti, duke iu rikthyer shkëlqimit që meriton.

“Kalaja e Elbasanit është krenaria e qytetit tonë. Me projektin e restaurimit që do të nisë së shpejti, ajo do të rikthehet si një xhevahir i çmuar, jo vetëm për elbasanasit, por për të gjithë vizitorët që e duan historinë dhe kulturën,”  shtoi kryebashkiaku.

Ky projekt është pjesë e vizionit të Bashkisë Elbasan për ta bërë qytetin një qendër të hapur, mikpritëse dhe edukative, ku fëmijët mësojnë të njohin e të duan kulturën përmes përvojës dhe argëtimit.