Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 8 Janar 2026

Bashkia Elbasan në terren: Të gjitha rrugët në fshatra të hapura, punë intensive për përballimin e situatës

Bashkia Elbasan bën të ditur se të gjitha rrugët në fshatrat e territorit të saj janë aktualisht të hapura dhe të qarkullueshme, pavarësisht kushteve të vështira atmosferike.

Gjatë gjithë ditës janë angazhuar intensivisht strukturat e bashkisë, me 5 fadroma, 2 borëpastruese, 4 kamionë, 3 foristrada dhe dhjetëra punonjës, duke punuar pa ndërprerje për pastrimin dhe mbajtjen hapur të akseve rrugore. Megjithatë, reshjet e vazhdueshme të dëborës po e vështirësojnë ndjeshëm punën e ekipeve në terren.

Nisur nga kjo situatë, si dhe nga fakti që gjatë natës parashikohet rënie e mëtejshme e temperaturave dhe shtim i ngricave, Bashkia Elbasan u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të mos qarkullojnë pa zinxhirë në akset rrugore Elbasan–Gjinar, Elbasan–Labinot Mal, Elbasan–Gracen dhe Elbasan–Funar.

Aktualisht, mjetet dhe ekipet janë të pozicionuara në zonat Mollagjesh, Zavalinë, si dhe në rrugët që lidhin fshatrat me qendrën e njësisë administrative Labinot Mal, për të garantuar qarkullimin dhe sigurinë e banorëve.

Kryetari i Bashkisë Elbasan Gledian Llatja ndodhet në terren për të ndjekur nga afër situatën dhe për të koordinuar punën e strukturave, duke garantuar se bashkia është në gatishmëri të plotë në çdo moment për të ndërhyrë në rast të çdo problematike që mund të shfaqet.

Sa i përket reshjeve të shiut në qytet dhe zonat e ulëta, pavarësisht intensitetit të tyre, deri më tani nuk janë evidentuar problematika të mëdha.

Bashkia Elbasan apelon për kujdes të shtuar nga qytetarët dhe respektim të udhëzimeve të strukturave përgjegjëse.

Reshjet e dëborës përfshijnë zonat malore të Elbasanit, ndërhyrje në akset rrugore

Bashkia Elbasan bën të ditur se gjatë natës zonat malore të territorit të saj janë përfshirë nga reshje dëbore me intensitet të lartë. Aktualisht ka prani dëbore në fshatrat e njësive administrative Gjinar, Gracen, Labinot Mal dhe Funar.

Sa i përket situatës në akset rrugore, rruga Elbasan–Gjinar është e kalueshme vetëm me zinxhirë, duke nisur nga fshati Shelcan. Aksi Elbasan–Gracen dhe fshatrat e Gracenit janë të kalueshëm vetëm me zinxhirë, ndërsa kalimi pa zinxhirë nuk do të lejohet.
Gjithashtu, rruga Elbasan–Funar, si edhe rruga për në Labinot Mal, janë të kalueshme vetëm me zinxhirë.

Bashkia Elbasan bën me dije se në të gjitha akset ku ka prani dëbore dhe ngrica po punohet për pastrimin dhe kriposjen e rrugëve, me qëllim garantimin e qarkullimit dhe sigurisë së përdoruesve të rrugës.

Në lidhje me reshjet e shiut, pavarësisht intensitetit të tyre, deri në këto momente nuk janë evidentuar problematika të mëdha në territorin e bashkisë.

Bashkia Elbasan u bën thirrje qytetarëve dhe drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të respektojnë udhëzimet e strukturave përgjegjëse.

Për çdo situatë të mundshme emergjente, ju kujtojmë numrat e kontaktit:

🚓Policia e Shtetit: 129

🚒Zjarrfikësja: 128

🆘Numri unik i emergjencave: 112

💧Për emergjenca të lidhura me furnizimin me ujë, në dispozicion janë edhe numrat e Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve:

📞+355 68 641 6064

📞+355 69 475 0333

🤝Bashkia Elbasan mbetet në shërbim të komunitetit.