Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 23 Janar 2026

Këshilli Vendor i Sigurisë Publike zhvillon takimin e parë të vitit me të rinjtë

Bashkia Elbasan ka zhvilluar takimin e parë për këtë vit të Këshillit Vendor të Sigurisë Publike, duke e nisur ciklin e bashkëbisedimeve me të rinjtë e qytetit dhe përfaqësues të Këshillit Rinor. 

Tryeza mblodhi përfaqësues të institucioneve publike, organizatave të shoqërisë civile dhe të rinj, me fokus forcimin e sigurisë publike dhe përfshirjen aktive të rinisë në çështjet e sigurisë.

Në fjalën e tij, kryetari i Bashkisë Elbasan, dhe njëkohësisht kryetar i KVSP Gledian Llatja, theksoi se siguria publike mbetet një nga prioritetet kryesore të qeverisjes vendore, duke nënvizuar përmirësimin e ndjeshëm të situatës në komunitet.

“Sot, mbi 92% e qytetarëve ndihen të sigurt, një rritje e jashtëzakonshme krahasuar me vitet e mëparshme. Ky perceptim është një tregues konkret i stabilitetit, rendit dhe përmirësimit të jetës së përditshme,” u shpreh Llatja.

Ai vuri në dukje se ky rezultat është fryt i bashkëpunimit ndërinstitucional, politikave lokale dhe angazhimit komunitar, duke theksuar se siguria është e pandashme nga planifikimi urban dhe qeverisja vendore. Në këtë proces, sipas tij, roli i të rinjve është thelbësor.

“Të rinjtë nuk janë vetëm përfitues të politikave publike, por aktorë aktivë të ndryshimit. Siguria e qëndrueshme vjen nga përfshirja e të gjitha zërave, nga ndërtimi i besimit dhe krijimi i një komuniteti të fortë,” tha kryebashkiaku.

Në takim Zëvendësdrejtori për Sigurinë dhe Rendin Publik në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, kryekomisar Blerim Berbati, i cili e cilësoi sigurinë publike si një koncept të gjerë që kërkon angazhimin e institucioneve shtetërore, publike dhe private.

Sipas tij, Policia e Shtetit e konsideron përfshirjen e të rinjve një element kyç përmes bashkëpunimit, edukimit ligjor dhe ndërgjegjësimit, duke theksuar se angazhimi aktiv i rinisë ndihmon në parandalimin e veprimtarive të paligjshme dhe ndërtimin e një kulture qytetare.

Si përfaqësuese e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, prokurorja Glenda Zeneli theksoi rolin e institucionit në hetimin dhe ndjekjen penale të çështjeve që lidhen me të miturit, duke garantuar vëmendje të veçantë për sigurinë e tyre.

Ndërsa drejtuesja e Zyrës Vendore të Arsimit, Vesa Llanaj Liço, iu drejtua të rinjve me mesazhin se siguria publike, veçanërisht ajo që lidhet me të rinjtë, është një mision i përbashkët që padyshim nis nga vetë të rinjtë.

Vetë të rinjtë e pranishëm përcollën mesazhin se përfshirja e tyre e bën sigurinë publike më të fortë, duke e vlerësuar këtë nismë si një shembull konkret të bashkëpunimit mes institucioneve dhe të rinjve.

Në fokus të diskutimit ishte edhe rëndësia e pjesëmarrjes së të rinjve në ndërtimin e politikave të sigurisë, si burim inovacioni, ndërtimi besimi dhe kohezioni shoqëror. 

U theksua nevoja për krijimin e platformave reale të përfshirjes, dëgjimin e ideve të rinisë dhe fuqizimin e tyre përmes arsimit, aftësive dhe mundësive ekonomike.

“Një qytet i sigurt nuk ndërtohet vetëm me rregulla dhe kamera, por me pjesëmarrje, përgjegjësi dhe ndjenjë komuniteti,” ishte mesazhi përmbyllës i takimit.

Bazilika e Kodrës së Tepes; një nga monumentet më të hershme të krishtërimit në Elbasan

Shumë pranë Ullishtës, në lindje të qytetit të Elbasanit, në zonën e njohur si Kodra e Tepes, ndodhet një nga bazilikat më të vjetra të qytetit, e shpallur Monument Kulture. Arkeologët që e kanë studiuar këtë objekt e lidhin atë me Varrezën e Skampinit dhe e datojnë në shekujt IV–V të erës sonë. Kjo bazilikë konsiderohet ndër ndërtimet më të hershme të kultit të krishterë në vend, pas Bazilikës së Akropolit në Butrint.

Bazilika është zbuluar me mure pjesërisht mbi tokë dhe ruan thuajse të njëjtën pamje që paraqet edhe sot. Ajo ka kaluar nëpër tre faza ndërtimore, gjatë të cilave ka pësuar ndryshime funksionale dhe arkitektonike. Në një nga këto faza, nefet anësore u kthyen në ambiente varrimi për dinjitarët e komunitetit fetar të Skampinit.

Rreth vitit 518, bazilika pësoi rrënim si pasojë e tërmeteve dhe nuk u rindërtua më. Në këtë periudhë, qyteti i Skampinit kishte katedralen e Shën Pjetrit, e cila përmendet vetëm në dokumente historike, dhe ishte lejuar varrimi brenda mureve të kalasë.

Tre fazat ndërtimore të bazilikës

Varfëria e ndërtimit e daton fazën e parë të bazilikës në mesin e shekullit IV, një periudhë kur Skampini ende nuk e kishte konsoliduar plotësisht fizionominë e tij qytetare. Kjo fazë paraqet një bazilikë me tre mjedise, të formuara nga dy kolona. Muret janë ndërtuar me gurë dhe breza tullash, ndërsa lartësia e plotë e murit ka qenë rreth 5.5 metra. Dyshemeja ishte e shtruar me dhe të ngjeshur, çka dëshmon për një ndërtim të thjeshtë.

Në fazën e dytë, bazilika pësoi një sërë transformimesh për t’iu përshtatur më mirë funksionit të saj si kishë varrezash. Në këtë periudhë u murosën arkadat ndërmjet nefeve, duke krijuar një sallë qendrore, e cila u shtrua me mozaik. Po ashtu, u realizua ndarja e rregullt e ambientit të altarit nga naosi përmes një ikonostasi të gurtë. Këto ndryshime lidhen edhe me ndërtimin e dy varreve me qemer tullash në nefin verior.

Faza e tretë e rindërtimit datohet në shekullin V të erës sonë, gjë që dëshmohet nga kapitelet korintike të stilizuara. Më vonë, monumenti pësoi një tjetër ndryshim në anën perëndimore, i cili i përket shekullit VI të erës sonë dhe përkon me ndërhyrje ndërtimore të realizuara edhe në kalanë e Elbasanit.

Mozaiku i bazilikës

Dyshemeja e bazilikës ndahej nga rrugë me pllaka guri shtufi në katër panele mozaiku, të vendosura në mënyrë simetrike dhe të dekoruara kryesisht me motive bimore dhe gjeometrike. Dy panelet pranë hyrjes janë më të mëdha dhe përmbajnë bordura me gërsheta, brenda të cilave gjenden rrathë dhe rombe me ngjyra të ndryshme. Në pjesën e sipërme, drejt qendrës së sallës, shfaqet një dekor me gjethe vreshti. Dy panelet e tjera, më të vogla, paraqesin motive gjeometrike.

Mozaikët janë realizuar me kubikë mermeri të bardhë, gëlqerorë, me ngjyra vjollcë, të zezë dhe tullash të kuqe, dhe dallohen për nivel të mirë ekzekutimi. Kolonat e ikonostasit janë prej mermeri gri, të sjella nga një vend tjetër. Në pllakat e ikonostasit janë gdhendur figura luanësh, kaprollësh, shpendësh dhe ornamente bimore.

Gjendja aktuale dhe mirëmbajtja

Janë ndërmarrë ndërhyrje periodike për pastrimin e mozaikut dhe heqjen e dherave e gurëve. Janë realizuar gjithashtu masa mbrojtëse për mbulimin e mozaikut, me qëllim ruajtjen e tij nga faktorët atmosferikë.

Bazilika e Kodrës së Tepes mbetet një pasuri e rëndësishme historike, arkeologjike dhe kulturore për qytetin e Elbasanit, duke përfaqësuar një dëshmi të vyer të hershmërisë së krishterimit dhe zhvillimit urban të Skampinit antik.