Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 28 Janar 2026

Elbasani mikpret Democracy Week 2026, Bashkia nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi

Kryetari i Bashkisë Elbasan ka nënshkruar zyrtarisht Memorandumin e Mirëkuptimit me organizatën PVN Albania, duke shënuar kështu nisjen e bashkëpunimit për organizimin e Democracy Week 2026. Ky vit e zhvendos qendrën e rëndësishme të dialogut demokratik pikërisht në zemër të Elbasanit, duke e shndërruar qytetin në një platformë aktive të debatit publik dhe angazhimit qytetar.

​Ky projekt nuk është thjesht një aktivitet kalendarik, por një javë intensive e dedikuar debatit publik ku do të përballen ide për të mirën e përbashkët. 

​Rëndësi e veçantë gjithashtu do ti kushtohet transparencës dhe fuqizimit të llogaridhënies dhe aksesit në informacion. 

​Pjesëmarrjes Rinore dhe inkurajimi i studentëve dhe të rinjve për të qenë protagonistë të ndryshimit në qytetin e tyre është synimi ynë.

Nënshkrimi i këtij memorandumi rikonfirmon vullnetin e Bashkisë Elbasan për të bashkëpunuar ngushtë me partnerët ndërkombëtarë dhe shoqërinë civile. Përmes këtij partneriteti me PVN Albania, synohet krijimi i urave lidhëse mes institucioneve dhe qytetarëve, duke promovuar vlerat më të larta të demokracisë dhe bashkëqeverisjes.

​Elbasani është gati të mirëpresë ide të reja dhe energjinë e jashtëzakonshme të të rinjve, duke dëshmuar se zëri i qytetarit është forca lëvizëse e zhvillimit urban dhe social.

Këshilli Bashkiak Elbasan miraton marrëveshjen e bashkëpunimit për projektin e eficiencës së energjisë.

Këshilli Bashkiak i Elbasanit miratoi sot marrëveshjen e bashkëpunimit për zbatimin e projektit “Transformimi Ligjor dhe Rregullator për Eficencë të Përmirësuar të Energjisë”, një nismë që synon forcimin e kuadrit ligjor dhe institucional për menaxhimin e energjisë së rinovueshme në nivel vendor.

Në kuadër të zgjerimit të bashkëpunimeve me partnerë strategjikë dhe sigurimit të granteve në fusha që lidhen me eficiencën e energjisë dhe klimën, Bashkia Elbasan ka aplikuar pranë OSF Western Balkans në përputhje me objektivat e saj për rritjen e eficiencës energjetike dhe veprimit klimatik, të harmonizuara me Marrëveshjen e Asocimit të Shqipërisë me programet Horizon Europe. Si rezultat i këtij aplikimi, Bashkia Elbasan është shpallur fituese e grantit.

Projekti synon hartimin e modeleve të standardizuara për menaxhimin e energjisë së gjeneruar nga sistemet fotovoltaike në shtatë institucione arsimore në Bashkinë Elbasan, të investuara më herët nga OSFA. Qëllimi kryesor është zhvillimi i një procesi advokimi në nivel lokal dhe qendror, për harmonizimin e kuadrit të ri ligjor vendor me politikat dhe legjislacionin kombëtar, duke garantuar zbatueshmëri dhe qëndrueshmëri afatgjatë.

Zbatimi i marrëveshjes do t’i mundësojë Bashkisë Elbasan hartimin e kuadrit ligjor përkatës, përgatitjen e rregullores për menaxhimin e energjisë së gjeneruar, zhvillimin e modeleve të standardizuara të menaxhimit, hartimin e planit të kontrollit dhe realizimin e proceseve të advokimit dhe koordinimit në nivel qendror.

Bashkia Elbasan ka ndërmarrë prej kohësh hapa konkretë drejt tranzicionit energjetik, duke instaluar sisteme fotovoltaike në shtatë institucione arsimore, investime që kanë sjellë kursime buxhetore dhe ulje të varësisë nga burimet tradicionale të energjisë. Megjithatë, mungesa e një baze të qartë ligjore dhe rregullatore në nivel vendor ka kufizuar menaxhimin e standardizuar të energjisë së prodhuar.

Ambasadori i Arabisë Saudite nderohet me titullin “Mirënjohja e Qarkut Elbasan”

Këshilli i Qarkut Elbasan i akordoi sot titullin “Mirënjohja e Qarkut Elbasan” ambasadorit të Mbretërisë së Arabisë Saudite Fejsal Gazi Alhivsi, për mbështetjen e vazhdueshme ndaj projekteve sociale dhe humanitare në këtë qark dhe për kontributin e dhënë në nxitjen e dialogut ndërfetar dhe bashkëjetesës fetare.

Ceremonia u zhvillua në ambientet e Këshillit të Qarkut Elbasan, në prani të ambasadorit të Katarit, ambasadorit  Mbretërisë së Arabisë Saudite Fejsal Gazi Alhivsi, kryetarit të Bashkisë Elbasan Gledian Llatja, kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë Haxhi Bujar Spahiu, rektores së Universitetit “Aleksandër Xhuvani” Elvira Fetahu, si dhe përfaqësuesve të institucioneve vendore dhe fetare.

Kryetarja e Këshillit të Qarkut, Ermira Urupi, vlerësoi kontributin e ambasadorit së Arabisë Saudite Z. Fejsal Gazi Alhivsi, duke theksuar ndihmën e dhënë kryesisht për personat në nevojë dhe mbështetjen e drejtpërdrejtë për rreth 100 fëmijë në Qarkun e Elbasanit, përmes përfitimeve mujore të rregullta që kanë ndikuar ndjeshëm në përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre.

Me propozim të Myftinisë Elbasan dhe Qendrës së Bashkëpunimit Ndërfetar, Këshilli i Qarkut vendosi akordimin e titullit “Mirënjohja e Qarkut Elbasan” me motivacionin:

“Për aktivitetin social dhe human, për kontributin e dhënë në nxitjen e shkëmbimeve kulturore dhe ndërfetare, duke promovuar dialogun, mirëkuptimin dhe bashkëjetesën ndërfetare në Qarkun e Elbasanit.”

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, e cilësoi ambasadorin Fejsal Gazi Alhivsi një mik të madh të komuniteteve të qarkut. “Për shtresat në nevojë kemi gjetur gjithmonë mbështetje, veçanërisht për fëmijët që kanë pasur më shumë nevojë për ndihmë. Në emër të shtatë kryetarëve të bashkive të qarkut, shpreh vlerësimin maksimal për ambasadorin dhe Mbretërinë e Arabisë Saudite”, tha Llatja.

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Haxhi Bujar Spahiu, u shpreh se ky vlerësim është një shenjë mirënjohjeje për ndihmën e vazhdueshme që Arabia Saudite i ka dhënë Shqipërisë ndër vite, si dhe për kontributin në promovimin e dialogut dhe harmonisë fetare.

Ndërsa rektorja e Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, Elvira Fetahu, theksoi se Elbasani mbetet një shembull i bashkëjetesës dhe harmonisë fetare, duke shprehur gatishmërinë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me institucionet saudite, veçanërisht në fushën e arsimit dhe rinisë.

Në fjalën e tij, ambasadori i Mbretërisë së Arabisë Saudite Z.Fejsal Gazi Alhivsi falënderoi institucionet vendore për këtë vlerësim, duke theksuar se e konsideron atë jo vetëm si një nder personal, por si një shprehje të sinqertë të miqësisë dhe bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

“Ky nderim pasqyron frymën e respektit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë mes dy popujve tanë miq. Qarku i Elbasanit përfaqëson një model të shkëlqyer të bashkëjetesës fetare dhe diversitetit kulturor. Riafirmoj angazhimin tim për të vijuar forcimin e marrëdhënieve të miqësisë dhe bashkëpunimit mes Mbretërisë së Arabisë Saudite dhe Republikës së Shqipërisë”, u shpreh ambasadori, Z. Fejsal Gazi Alhivsi duke falënderuar për mikpritjen.