Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 4 Shkurt 2026

Investimet bujqësore në Jagodinë, model zhvillimi nga prodhimi te eksporti

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, së bashku me deputeten Evis Kushi, vizituan nga afër sipërmarrjen e fermerit Marsid Sula në Jagodinë, një shembull i suksesshëm i bujqësisë moderne dhe i forcimit të zinxhirit prodhim–treg. Gjatë takimit, ata vlerësuan investimet e realizuara dhe theksuan mbështetjen e vazhdueshme të bashkisë për iniciativa që nxisin ekonominë rurale dhe zhvillimin e gjelbër.

Fermeri Marsid Sula ka investuar jo vetëm në sera bashkëkohore, por edhe në ngritjen e një pike grumbullimi, duke krijuar kushte më të mira për ruajtjen dhe tregtimin e prodhimit. Aktualisht janë të mbjella rreth 3 hektarë sera me lakër Brukseli dhe pritet që sezoni të mbyllet me afro 50 ton prodhim.

Një pjesë e konsiderueshme e kësaj sasie ka nisur tashmë drejt tregjeve europiane, kryesisht në Poloni dhe Kroaci, çka dëshmon se prodhimet e Jagodinës përmbushin standardet e cilësisë dhe kanë potencial të fortë konkurrues jashtë vendit.

Ndërtimi i autostradës bujqësore ka luajtur rol kyç në këtë zhvillim, duke lehtësuar transportin, zgjeruar sipërfaqet e mbjella dhe rritur volumin e tregtimit. Ky investim infrastrukturor ka sjellë ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen ekonomike të zonës dhe në përmirësimin e jetës së fermerëve.

Bashkia e Elbasanit do të vijojë të mbështesë projekte që rrisin prodhimin vendas, mbrojnë mjedisin dhe e afrojnë bujqësinë me tregjet europiane, duke e kthyer Jagodinën dhe gjithë territorin në një model zhvillimi të qëndrueshëm.

Bashkia Elbasan e angazhuar pranë fermerëve për zhvillimin e bujqësisë dhe Skemën Kombëtare 2026

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja, Ministri i Bujqësisë e Zhvillimit Rural Andis Salla, kryetari i Bashkisë së Peqinit Bukurosh Maçi dhe drejtoresha e AZHBR-së zhvilluan një takim me fermerët e Elbasanit dhe Peqinit, në kuadër të takimeve për Skemën Kombëtare 2026.

Ishte një diskutim i hapur dhe shumë i vlefshëm për nevojat reale të bujqësisë në territoret e dy bashkive.

Zëri i fermerëve dhe propozimet që vijnë direkt nga terreni janë udhërrëfyesi më i mirë për çdo vendim që synon të sjellë mbështetje konkrete dhe të drejtë.

Bashkia Elbasan do të vijojë të jetë pranë fermerëve, jo vetëm duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet përgjegjëse për Skemën Kombëtare 2026, me synimin që mbështetja të jetë më efikase, më transparente dhe e orientuar drejt prodhimit cilësor, por edhe përmes investimeve konkrete në terren: në kanalet kulluese dhe vaditëse, si edhe në rrugët rurale që lidhen me unazën bujqësore.

Këto investime nuk janë thjesht projekte infrastrukture , janë masa që rrisin prodhimin, ulin kostot, lehtësojnë transportin e produkteve dhe i japin bujqësisë më shumë mundësi për t’u zhvilluar dhe konkurruar.