Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 9 Shkurt 2026

Bashkia Elbasan nis bashkëpunimin me JICA dhe Fedinvest për ndërtimin e baxhos së qumështit në Kuqan

Bashkia Elbasan, në bashkëpunim me Agjencinë Japoneze të Bashkëpunimit Ndërkombëtar (JICA) dhe institucionin financiar Fedinvest, ka hedhur hapat e parë të një projekti të rëndësishëm për ndërtimin e një baxhoje moderne qumështi në zonën e Kuqanit. Ky investim strategjik synon të krijojë kushte bashkëkohore për grumbullimin dhe përpunimin e qumështit, duke u ardhur në ndihmë fermerëve dhe blegtorëve të zonës.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, z. Gledian Llatja, zhvilloi një takim pune me përfaqësuesit e JICA-s dhe Fedinvest, ku u diskutuan hapat konkretë për zbatimin e projektit. Gjatë takimit u theksua rëndësia e këtij investimi për rritjen e vlerës së prodhimit vendas, forcimin e sektorit të bujqësisë dhe blegtorisë, si dhe krijimin e mundësive të reja ekonomike për komunitetin rural.

Baxhoja e re do të funksionojë sipas standardeve më të mira bashkëkohore, duke garantuar cilësi, siguri ushqimore dhe akses më të lehtë të fermerëve në treg. Projekti pritet të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e të ardhurave për familjet fermere, në zgjerimin e zinxhirit të vlerës së produkteve të qumështit dhe në nxitjen e sipërmarrjeve lokale.

Bashkia Elbasan mbetet e vendosur të mbështesë çdo iniciativë që i shërben komunitetit dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik. Investime të tilla përkthehen në vende të reja pune, ekonomi më të fortë lokale dhe cilësi më të lartë jetese për qytetarët.