Festivali i Shkencës në Elbasan, nxënësit e “Dhaskal Todri” dhe “Ahmet Dakli” prezantojnë kërkimet e tyre shkencore
Atmosfera në gjimnazet e qytetit u mbush me kreativitete gjatë prezantimeve të fazës së parë të Festivalit të Shkencës, ku nxënësit e Shkollave të Mesme “Dhaskal Todri” dhe Shkolla e Mesme “Ahmet Dakli” paraqitën projektet e tyre përpara komunitetit shkollor.
Në këtë ekspozitë shkencore, nxënësit prezantuan kërkime nga natyra, trupi i njeriut, fenomenet fizike, si edhe projekte me fokus teknologjinë dhe mjedisin, duke dëshmuar përkushtim, aftësi kërkimore dhe pasion për dijen.
Mini-ekspozitat u shndërruan në hapësira diskutimi dhe shkëmbimi idesh, ku të rinjtë treguan kreativitet dhe mendim kritik.
E pranishme në këtë aktivitet ishte edhe drejtoresha e Zyrës Vendore të Arsimit, Vesa Llanaj Liço, e cila vlerësoi angazhimin e nxënësve dhe rolin e mësuesve në nxitjen e kulturës shkencore.
Faza e parë e Festivalit të Shkencës shënon një hap të rëndësishëm në promovimin e dijes dhe inovacionit në shkollat e Elbasanit.