Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 5 Mars 2026

Bashkia Elbasan njofton kufizime të përkohshme të qarkullimit për festimet e Ditës së Verës

Në kuadër të aktiviteteve festive që organizohen nga Bashkia Elbasan me rastin e festës tradicionale të “Ditës së Verës” një sërë masash do të merren për mbarëvajtjen e aktiviteteve.

Duke filluar nga data 12-15 Mars 2026 do të ketë kufizime të përkohshme të qarkullimit në disa segmente të qytetit.

✅12 Mars 2026

Segmenti nga Teatri “Skampa” deri te rrethrrotullimi i “1 Majit” bllokohet (24 orë)

✅13-14 Mars 2026

Bllokohet segmenti nga Stadiumi “Elbasan Arena” deri te rrethrrotullimi i “1 Majit”. (48 orë)

✅15 Mars 2026

Bllokohet segmenti nga Stadiumi “Elbasan Arena” deri te rrethrrotullimi i “1 Majit”. (24 orë)

📍Parkimi i mjeteve gjatë aktiviteteve festive dhe sportive në Elbasan.

Për të shmangur trafikun dhe për të siguruar një lëvizje sa më të lehtë gjatë festimeve, ndalohet parkimi i mjeteve në qendër të qytetit dhe përgjatë bulevardit “Aqif Pasha”.

Për këtë arsye, janë përcaktuar hapësira të veçanta parkimi për mjetet që vijnë nga drejtime të ndryshme:

Për mjetet që vijnë nga lindja (Ura e Ballallit):

📍Parkimi te Parku i Mallrave

Për mjetet që vijnë nga jugu (Kryqëzimi i Cërrikut):

📍Parkimi te Shkolla e Formimit Profesional;

📍Parkimi i ri te Varrezat Publike.

Për mjetet që vijnë nga perëndimi (Kryqëzimi i Luleve):

📍Parkimi te Shkolla Profesionale “Sali Ceka” dhe në afërsi të Doganës;

📍Parkimi para stacionit të trenit.

📍Autobusët e linjës Tiranë – Elbasan do të stacionohen te Dogana pranë shkollës Profesionale.

📍Autobusët e linjës Elbasan – Cërrik do të stacionohen te Ish ofiçina rruga ura, pranë tregut industrial.

Policia Rrugore dhe ajo bashkiake do të monitorojnë trafikun dhe do të drejtojnë mjetet drejt zonave të parkimit të përcaktuara.

Për më shumë informacion, kontaktoni Bashkinë Elbasan në:

☎️Tel: +355 54 400152

“Startup Albania” prezanton në Elbasan Grant 2026, thirrje kombëtare me fokus në sektorin digjital dhe të gjelbër

Në ambientet e Bashkia Elbasan u zhvillua prezantimi i thirrjes Grant 2026 nga Startup Albania, një program kombëtar mbështetës financiar për startup-et dhe aktorët e inovacionit.

Aktiviteti u zhvillua në prani të maturantëve, studentëve dhe përfaqësuesve të biznesit lokal, si pjesë e një turi informues që po organizohet në disa qytete të vendit. Thirrja është e hapur për aplikantë nga i gjithë territori i Shqipërisë dhe synon të nxisë zhvillimin e ideve inovative, veçanërisht në sektorin digjital dhe atë të gjelbër, të cilët janë edhe fushat prioritare të Grant 2026.

Fondi i alokuar për këtë vit arrin në 300 milionë lekë, duke ofruar financim dhe mentorim profesional për të rinjtë që duan të kthejnë idetë e tyre në biznese të qëndrueshme.

I pranishëm në aktivitet, kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, theksoi se kjo është hera e dytë që ky bashkëpunim realizohet në Elbasan, në koordinim me Ministrinë e Ekonomisë, me fokus mbështetjen e të rinjve.

Sipas tij, gjatë vitit të kaluar pesë të rinj nga Elbasani aplikuan dhe përfituan nga skema e granteve, duke hapur bizneset e tyre kryesisht në fushën e IT-së. Ai nënvizoi se qyteti ka potencial të lartë për zhvillim në këtë drejtim, duke përmendur edhe praninë e universitetit dhe fakultetit të Teknologjisë së Informacionit, si dhe nismat e ndërmarra në shkollat e mesme përmes konkurseve të teknologjisë dhe shkencës.

“Ky grant është një mundësi reale për të përfituar financim për idetë tuaja dhe për t’i kthyer ato në biznese konkrete. Qeveria shqiptare dhe Bashkia e Elbasanit po i mbështesin fort të rinjtë që duan të ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu”, u shpreh Llatja.

Në aktivitet mori pjesë edhe drejtuesi politik i qarkut Elbasan, Arbjan Mazniku, i cili vlerësoi rolin e Elbasanit si një ndër bashkitë më aktive në mbështetjen e rinisë dhe inovacionit.

Ai theksoi se rezultatet e vitit të kaluar tregojnë se skema funksionon dhe se brenda një viti janë krijuar biznese të reja nga përfituesit. Sipas tij, zhvillimet teknologjike dhe inteligjenca artificiale kanë ulur ndjeshëm barrierat teknike për realizimin e ideve, duke krijuar më shumë hapësirë për kreativitet dhe vendosmëri.

“Jemi në një moment ku limitet nuk i vendos teknologjia, por i vendosin ëndrrat dhe vullneti juaj. Idetë që bëhen të suksesshme janë ato që janë të mira dhe kanë qëndrueshmëri në kohë”, u shpreh Mazniku.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin gjithashtu deputetët Evis Kushi, Sara Mila, Aulona Bylkbashi dhe Adi Qose.

Grant 2026 synon të forcojë ekosistemin e startup-eve në Shqipëri, duke mbështetur financiarisht idetë inovative në sektorin digjital dhe të gjelbër, dhe duke krijuar mundësi konkrete për të rinjtë që duan të ndërtojnë bizneset e tyre në vend.

Së bashku, përmes inovacionit dhe mbështetjes së sipërmarrjes së re, ndërtohet një e ardhme më e qëndrueshme dhe konkurruese për Shqipërinë.

Atmosfera e “Ditës së Verës 2026” ka përfshirë Elbasanin

Pak ditë përpara festës më të dashur të qytetit, Elbasani po jeton tashmë atmosferën e “Ditës së Verës 2026”. Qendra e qytetit është mbushur me ngjyra pranverore, dekorime festive dhe simbolika tradicionale që e bëjnë këtë periudhë të veçantë për qytetarët dhe vizitorët.

Përgjatë qendrës së qytetit janë vendosur shtepizat karakteristike prej druri, të cilat janë kthyer në një nga elementët më të dashur të kësaj feste. Në to prezantohen punimet e artizanëve të qytetit të Elbasanit dhe njësive të tij administrative, duke krijuar një atmosferë autentike panairi në zemër të qytetit.

Në këtë atmosferë festive bie në sy edhe ndërthurja e traditës së hershme me elementët modernë, që e bëjnë festën e Ditës së Verës në Elbasan një përjetim unik. Punimet artizanale, suveniret tradicionale, dekorimet pranverore dhe hapësirat e krijuara për qytetarët dhe vizitorët sjellin një harmoni mes së lashtës dhe modernes që karakterizon identitetin e qytetit.

Krahas tyre janë krijuar edhe hapësira relaksi dhe kënde kreative për fëmijët, duke e kthyer qendrën e Elbasanit në një vendtakim plot gjallëri për familjet dhe vizitorët.

Sigurisht, kulinaria mbetet një nga elementët më të rëndësishëm të kësaj feste. Ballokumja, simboli i Ditës së Verës, po përgatitet në çdo pastiçeri dhe familje elbasanase, ndërsa aroma e saj tashmë është bërë pjesë e pandashme e atmosferës së festës. Bashkë me të, vizitorët mund të shijojnë edhe gatime të tjera tradicionale që e bëjnë përvojën në qytet edhe më autentike.

Interesi për festën ndihet që një javë më parë, me turistë dhe vizitorë që kanë nisur të mbërrijnë në Elbasan për të përjetuar nga afër këtë traditë unike.

Çdo detaj i dekorit dhe i kësaj atmosfere festive është realizuar nën kujdesin e kryetarit të Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, me synimin që qyteti të mirëpresë në mënyrën më të bukur mijëra vizitorë që pritet të jenë pjesë e festimeve.

Festimet kulmojnë mbrëmjen e 13 marsit, ndërsa më 14 mars qyteti do të vijojë me koncerte, aktivitete kulturore dhe shumë surpriza për qytetarët dhe vizitorët.

Me traditën, artizanatin, kulinarinë dhe atmosferën unike që e karakterizon, Elbasani është gati të mirëpresë edhe një herë mijëra vizitorë për të festuar Ditën e Verës, festën që mbart historinë dhe identitetin e këtij qyteti.

Çelet në Elbasan Panairi “Work & Study”, mundësi për orientimin akademik dhe profesional të të rinjve

Në ambientet e Pallatit të Sportit “Tomorr Sinani” në Elbasan u çel Panairi “Work & Study”, një aktivitet që tashmë është kthyer në një traditë të rëndësishme për orientimin akademik dhe profesional të të rinjve.

Qëllimi i këtij panairi është inkurajimi i të rinjve dhe njohja nga afër me alternativat e ndryshme që ofrohen për studim dhe punësim në të ardhmen. Në këtë aktivitet marrin pjesë rreth 30 universitete, institucione arsimore dhe kompani të ndryshme, të cilat prezantojnë programet e tyre të studimit dhe mundësitë e punësimit për maturantët dhe të rinjtë.

I pranishëm në këtë panair ishte edhe Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, z. Gledian Llatja, i cili e konsideroi këtë aktivitet një mundësi të mirë komunikimi dhe orientimi për të rinjtë.

“Janë rreth 30 universitete të pranishme këtu me profile të ndryshme studimi, duke filluar nga programet ushtarake, degët e inxhinierisë, sigurisë, ekonomisë dhe shumë fusha të tjera, duke u dhënë mundësinë të rinjve të njihen nga afër me alternativat që ofrohen për të ardhmen e tyre”, u shpreh kryebashkiaku Llatja.

Në panair ishte e pranishme edhe deputetja Evis Kushi, e cila vlerësoi rëndësinë e këtij projekti, duke theksuar se “Work & Study” është një nga iniciativat që ka ndjekur që në fillimet e saj dhe që tashmë ka dhënë rezultate konkrete për të rinjtë.

Ndërkohë, Drejtoresha e Zyrës Vendore të Arsimit Vesa Llanaj Liço shprehu bindjen se interesi i madh i maturantëve për këtë panair do t’i ndihmojë ata të bëjnë zgjedhje më të informuara për studimet dhe karrierën e tyre.

Panairi “Work & Study” në Elbasan mbetet një mundësi e rëndësishme për maturantët dhe të rinjtë për t’u njohur me programet e studimit, këshillimin e karrierës dhe alternativat aktuale të tregut të punës.