Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 6 Mars 2026

Elbasani gëzon Ditën e Verës, një javë plot festa, koncerte dhe aktivitete nga 9 deri më 15 mars

Festimet për Dita e Verës në Elbasan këtë vit do të nisin zyrtarisht më 9 mars, duke sjellë një nga agjendat më të pasura dhe më argëtuese të aktiviteteve për qytetarët dhe vizitorët. Për disa ditë me radhë qyteti do të shndërrohet në një skenë të madhe feste me koncerte, ekspozita, panaire, aktivitete për fëmijë dhe evente sportive.

E gjithë kjo agjendë e ngjeshur festive organizohet nën kujdesin e Kryetarit të Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, duke synuar ta kthejë qytetin në qendrën kryesore të festimeve tradicionale të kësaj feste të dashur për shqiptarët.

9 Mars nis zyrtarisht festa

Festimet hapen me një seri aktivitetesh kulturore dhe artistike që sjellin atmosferën e parë të Ditës së Verës në qytet.

Koncert kushtuar pranverës në Parkun Rinia, një aktivitet që sjell muzikë dhe atmosferë festive në zemër të gjelbër të qytetit.

Në mbrëmje, në Teatri Skampa zhvillohet koncerti kushtuar gruas “Lira Femina”, një aktivitet artistik që vlerëson rolin dhe fuqinë e gruas në shoqëri.

10 Mars, muzikë dhe sport

Dita e dytë sjell aktivitete për të gjitha moshat, nga fëmijët tek sportdashësit.

Në Parkun Rinia zhvillohet “Sofra e të Vegjëlve”, një aktivitet i dedikuar fëmijëve për të festuar Ditën e Verës me lojëra dhe tradita.

Në Pallatin e Sportit “Tomorr Sinani” luhet finalja e kampionatit të basketbollit “Kupa e Luleve”, duke sjellë emocion sportiv në programin e festimeve.

11 Mars, fëmijët dhe arti në qendër

Një ditë ku kreativiteti dhe energjia e fëmijëve bëhen pjesë e festës.

Koncerti festiv i kopshteve, ku të vegjlit performojnë dhe sjellin gëzimin e tyre në skenë.

Hapet edhe ekspozita e piktorit Sadik Kasa me titull “Stil”, që prezanton punimet dhe vizionin artistik të autorit.

Sofra Elbasanase në Fish City, ora 18:00, ku shpalosen vlerat, tradita, historia dhe kulinaria e qytetit ,një aktivitet që është kthyer në traditë dhe simbol i festës.

12 Mars: Traditë, kulturë dhe spektakël

Programi vazhdon me aktivitete kulturore dhe artistike për publikun.

Takim dhe ekspozitë “Historiku i Ditës së Verës”, organizuar nga Biblioteka Qemal Baholli, që sjell në vëmendje rrënjët historike të kësaj feste.

Në Sheshin Gensher zhvillohet koncerti i Qendrës Kulturore të Fëmijëve “Gëzuar Ditën e Verës”.

Në të njëjtin shesh do të ketë edhe shfaqje nga Cirku Kombëtar, një spektakël i dashur për familjet dhe fëmijët.

13 Mars: Dita e traditës dhe e festës popullore

Qyteti mbushet me ngjyra, shije dhe aktivitete tradicionale.

Teatri i Ftohtë “Maskotat” në disa pika të qytetit sjell humor dhe ndërveprim me publikun.

Pranë mureve të kalasë zhvillohet Panairi i Ballakumeve, simboli më i dashur i Ditës së Verës, si edhe Panairi i Zejtarisë.

 Panairi “Art & Zeje” në Parkun Rinia promovojnë traditën dhe punën artizanale.

Në mbrëmje, në Sheshin Gensher zhvillohet koncerti i madh “Nata e Ditës së Verës” me pjesëmarrjen e artistëve Xhensila Myrtezaj, Ledri Vula, Eneida Tarifa, Mato Lale dhe DJ NOIIAN, një natë e madhe muzike dhe energjie për publikun.

14 Mars: Kulmi i festimeve

Dita tradicionale e festës sjell një program spektakolar nga mëngjesi deri në mbrëmje.

Karnavalet e Ditës së Verës në Sheshin Gensher hapin ditën me paradë dhe ngjyra festive.

Panairi i Zejtarisë vazhdon gjatë ditës me produkte artizanale dhe traditë vendase.

Zhvillohet eventi “Miss Lulja e Verës” në Sheshin Gensher.

Aktiviteti “100 Vjet Elbasan” në Lulishten e Trëndafilave sjell një moment simbolik për historinë e qytetit.

Eventi rinor “Summer Day Go Wild” shton energjinë dhe atmosferën festive në qytet.

Festimet kulmojnë me koncertin e madh festiv në Sheshin Gensher, me artistët MC Kresha, Lyrical Son, Lorenc Hasrama, Anxhela Peristeri dhe DJ NOIIAN.

15 Mars: Koncert festiv i muzikës shqiptare

Në Sheshin Gensher hapet ekspozita e mjeteve retro, një udhëtim nostalgjik në kohë përmes automjeteve klasike.

Ndërkohë, Teatri i Ftohtë dhe tradita e koncertit “Një lulishte me trëndafila” sjellin një tjetër moment artistik në kuadër të festimeve.

Koncerti me këngëtaret Eranda Libohova dhe Era Rusi, një moment festiv i dedikuar muzikës dhe pranverës.

Me një agjendë të pasur, plot ngjyra, traditë dhe argëtim, qyteti i Elbasanit edhe këtë vit pritet të mirëpresë mijëra qytetarë dhe vizitorë për të festuar Ditën e Verës. Nën kujdesin e Kryetarit të Bashkisë Gledian Llatja, kjo seri aktivitetesh synon ta kthejë qytetin në epiqendrën e festës më të dashur pranverore, duke bashkuar kulturën, traditën dhe muzikën në një atmosferë unike festive.