Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 10 Mars 2026

Nata e Verës po vjen më e madhe se kurrë!

Më 13 mars, Sheshi “Gensher” do të ndizet nga muzika dhe atmosfera festive në natën më të madhe të qytetit. Në skenë do të ngjiten artistët e dashur për publikun, Xhensila Myrtezaj, Ledri Vula, Eneida Tarifa, Mato Lale dhe DJ NOIIAN.

Sepse askush nuk e feston Natën e Verës si Elbasani, qyteti ku kjo festë ka lindur dhe është përcjellë brez pas brezi prej shekujsh. Një natë plot energji, muzikë dhe emocione ju pret në zemër të qytetit!

Mos e humbisni festën më të madhe të pranveres!

Fëmijët çelin festimet e Ditës së Verës në Elbasan

Fëmijët e klasave përgatitore të shkollave “Ali Agjah”, “Bardhyl Popa”, “Naim Frashëri”, “Jorgji Dilo” dhe “Fadil Gurmani” çelën festimet e Ditës së Verës përmes aktivitetit “Art & Zeje”, një moment simbolik kushtuar pranverës dhe traditave të qytetit.

Të vendosur në tavolina të vogla të improvizuara në ambientin e jashtëm, fëmijët realizuan vizatime me motive pranverore, ndërsa u njohën edhe me elementë të artizanatit dhe lojërave tradicionale, duke sjellë përmes ngjyrave dhe krijimtarisë simbolikën e stinës që po afron.

Të rrethuar nga prindër dhe qytetarë që ndoqën aktivitetin, fëmijët, nën kujdesin e edukatoreve të tyre, interpretuan gjithashtu këngë dhe recitime kushtuar ardhjes së pranverës, duke përcjellë mesazhe gëzimi, paqeje dhe harmonie.

Në këtë aktivitet ishte i pranishëm edhe kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, i cili përshëndeti fëmijët dhe uroi të gjithë qytetarët për festën e Ditës së Verës, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së traditave dhe përcjelljes së tyre tek brezat më të rinj.

Atmosfera e Ditës së Verës është ndjerë më herët në qytetin e Elbasanit, ku kjo festë me prejardhje të lashtë është kremtuar prej shekujsh dhe përfaqëson një nga traditat më të rëndësishme të qytetit. Në mënyrë simbolike, janë pikërisht fëmijët ata që çelin festimet, duke i dhënë kësaj feste gjallërinë dhe kuptimin që ajo përcillet ndër breza.