“Ambasadorë të Energjisë për një Elbasan më të Gjelbër” Të rinjtë promotorë të tranzicionit të gjelbër

Bashkia Elbasan vijon angazhimin konkret me të rinjtë përmes trajnimit “Ambasadorë të Energjisë për një Elbasan më të Gjelbër”, duke i vendosur ata në qendër të përpjekjeve për transformimin e qëndrueshëm të qytetit.
Kjo nismë zhvillohet në kuadër të projektit GreenElb “Energjia e Gjelbër dhe e Qëndrueshme në Ndërtesat e Elbasanit”, i zbatuar nga Bashkia Elbasan në partneritet me Urban Research Institute dhe me mbështetjen financiare të Komisioni Europian përmes programit NetZeroCities.
Gjatë sesioneve trajnuese, të rinjtë po thellojnë njohuritë mbi Modelin e Standardizuar për Vlerësimin e Performancës së Energjisë në Ndërtesa, duke u përgatitur të jenë promotorë aktivë të nismave që lidhen me rritjen e eficiencës së energjisë, reduktimin e emetimeve, ndërgjegjësimin e komunitetit për sfidat klimatike dhe promovimin e zgjidhjeve të qëndrueshme për zhvillimin e qytetit.
Përmes këtij angazhimi, Bashkia Elbasan forcon vizionin për të udhëhequr tranzicionin e gjelbër si i vetmi qytet në Shqipëri pjesë e Misionit Europian për Neutralitet Klimatik, duke fuqizuar rolin e të rinjve si aktorë kyç në ndërtimin e një Elbasani më të gjelbër, më të qëndrueshëm dhe më të jetueshëm për të gjithë.